Ndërlidhjet

Libani në krizë politike dhe drejt kolapsit


Libani, foto nga arkivi.
Libani, foto nga arkivi.

Në Liban gjatë periudhës së fundit kanë ndodhur dy zhvillime që kanë lëkundur stabilitetin dhe mirëqenien e këtij vendi. Dy qeveri janë rrëzuar brenda 18 muajsh. Njëra për shkak të protestave masive kundër klasës politike dhe tjera, para rreth tetë muajsh, pas një shpërthimi në portin e Bejrutit.

Që nga ajo kohë, monedha ka humbur 90 për qind të vlerës së saj, inflacioni ka çuar më shumë se gjysmën e popullsisë në kufirin e varfërisë, vendi ka shtyrë pagesën e borxheve të tij dhe bankat ua kanë ndaluar të gjithë klientëve qasjen në depozitat e tyre në dollarë.

Në këtë shtet, tani janë të zakonshme pamjet në të cilat njerëzit shihen duke u grindur për mallra në dyqane, protestuesit që djegin goma për të bllokuar rrugët dhe qindra biznese të mbyllura. Bejruti, nga një qytet plot gjallëri, është kthyer në një qytet fantazmë, në errësirë të frikshme.

Ministri i Energjisë në largim ka paralajmëruar se një ndërprerje totale e energjisë është afër, pasi karburantet për energjinë elektrike po shkojnë drejt fundit.

Edhe pse Libani po shkon drejt shkatërrimit, në krizën më të rëndë që nga lufta civile 1975-1990, politikanët në këtë vend po vazhdojnë grindjet. Ata ose nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të formojnë një qeveri.

Saad al-Hariri, një mysliman sunit, që ka qenë kryeministër më parë, është caktuar nga parlamenti për të formuar kabinetin qeveritar.

Këtë javë ai zhvilloi takimin e 18-të të tij me presidentin, Michel Aoun. Ai tha se partia e krishterë e presidentit Aoun, e udhëhequr nga dhëndri i presidentit Gebran Bassil, dëshironte të diktonte pozitat në kabinetin qeverisës dhe synonte të fitonte të drejtën e vetos mbi vendimet.

Hariri, djali i Rafik al-Haririt, kryeministri i Libanit i vrarë më 2005, ka bërë thirrje për një kabinet ekspertësh i cili do të duhej të miratonte reformat e kërkuara prej kohësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe vendet donatore si Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Ai ka mbështetjen e partisë shiite Amal, e udhëhequr nga kryetari i parlamentit, Nabih Berri dhe të tjerë.

Mosmarrëveshjet politike në Liban në dukje bëhen për ndarjen e pjesëve të sistemit të plaçkitjes së vendit. Por, kjo mbetet nën hije nga fuqia e Hezbollahut, grupit shiit që ka mbështetjen e Iranit dhe që dominon politikën e Libanit.

Ky grup e mbështet presidencën e Aoun.

Sikurse vendet tjera arabe, Irak dhe Siri, edhe Libani ka qenë për një kohë të gjatë fushëbetejë e garës mes Iranit shiit dhe Arabisë Saudite sunite, përmes grupeve nën kontrollin e tyre.

Administrata e re amerikane po e rivlerëson politikën e saj ndaj Iranit dhe rrjedhimisht barazpesha e fuqisë në rajon po ndryshon. Tani për tani, Hezbollahu, që është nën ndikimin e Iranit, duket se po heziton të mbështesë një qeveri të re të Haririt, sepse kjo mund të shihej si një koncesion ndaj rivalëve të mbështetur nga sauditët dhe Perëndimi.

Hezbollahu është i pajtimit për nevojën e krijimit të një qeverie të re, por nuk është i gatshëm t’i bëjë presion presidentit Aoun dhe të rrezikojë aleancën me partinë e tij të madhe të krishterë.

“Të gjithë e dinë se çfarë është e nevojshme”

Në skenarin më optimist, Libani do të arrinte të kishte një qeveri të aftë për të fituar sërish besimin brenda dhe jashtë vendit dhe për të zbatuar reformat të cilat i kanë kërkuar vendet dhe organizatat huadhënëse. Reformat do të mund të përfshinin rregullimin e sektorit të energjisë, auditimin e Bankës Qendrore dhe ristrukturimin e sektorit të mbingarkuar publik.

“Të gjithë e dinë se cilat reforma fiskale janë të domosdoshme”, ka thënë një zyrtar i lartë për agjencinë Reuters.

Në skenarin pesimist, Libani do të ballafaqohej me një rënie më të thellë të vlerës së monedhës dhe rritjes ekonomike. Ekonomia e këtij vendi po tkurret aq shpejt sa është e vështirë të matet saktësisht, por në trendet aktuale tkurrja e këtij viti është vendosur të jetë rreth 10 për qind, ka thënë ky burim. Disa zyrtarë, diplomatë dhe politikanë kanë vlerësime më pesimiste.

"Unë nuk mendoj se palët duan një zgjidhje", tha burimi i lartë zyrtar për Reuters.

"Nuk është aq e rëndësishme kush është kryeministri, ajo që ka rëndësi është kriteret dhe zbatimi tyre në mënyrë që të rifitohet besimi dhe autoriteti", tha ai.

Është e vështirë të parashikohet se në çfarë shkalle mund të përkeqësohet situata derisa vazhdon një gjendje e tillë e paralizës.

Një skenar i mundshëm që mund të ndodhë është nëse vlera e monedhës vazhdon të bie më tej, rrjedhimisht të gjitha funksionet e qeverisë pushojnë së ekzistuari dhe përhapet kaosi, thotë Dan Azzi, ish-shefi ekzekutiv i Bankës Standard Chartered në Liban.

"Nëse vazhdojmë kështu ... shoqëria do ta humbasë tërësisht kontrollin. Kjo do të thotë që ju mund të jeni duke vozitur në një rrugë dhe dikush me një armë mund t'ju ndalojë, t'ju vrasë, të marrë makinën tuaj, paratë dhe gruan", tha ai.

Ndërsa zëvëndëskryeredaktori i së përditshmes An-Nahar thotë: "Unë nuk shoh ndonjë zgjidhje, unë shoh këtë si një krizë pa afat".

Presidenti Aoun vazhdon të mbetet i palëkundur në kërkesat e tij. Hariri e fajëson presidentin për këtë qasje dhe moskrijimin e qeverisë.

Burimet të afërta me presidentin Aoun e citojnë atë të ketë thënë se nuk është përgjegjës për krizën financiare, pasi sipas tij, në një pjesë të madhe gjatë tre dekadave të fundit, pushteti është mbajtur nga Hariri, babai i tij dhe kryetari i parlamentit, Nabih Berri.

Sipas presidentit, ata duhet të bëjnë lëshime. Burimet thonë se qëndrimi i presidentit Aoun është ngurtësuar që kur Uashingtoni vendosi sanksione ndaj dhëndrit të tij Bassil, njeriut të cilin ai po e projektonte si pretendent për president.

“Ai (presidenti) nuk është gati të bëjë asnjë lëshim", tha burimi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vitin e kaluar i ndali bisedimet me Libanin për shkak të shkallës së humbjeve financiare. Donatorët perëndimorë e kanë bërë të qartë se, pa u kryer reformat dhe të luftohet korrupsioni, ata nuk do ta shpëtojnë Libanin.

Shtetet arabe të Gjirit që dikur i jepnin para Libanit, tash nuk po e bëjnë një gjë të tillë. Këto vende janë të shqetësuara me ndikimin në rritje të Hozbollahut.

Pavarësisht situatës së rëndë në të cilën gjendet Libani, partitë që formojnë elitën qeverisëse duket se janë më të shqetësuara për sigurimin e vendeve në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sesa miratimi i reformave, thonë diplomatët.

"Për ta është një lojë politike. Ka të bëjë me atë se kush do të fitojë. Kolapsi total, kostot ekonomike dhe sociale nuk janë prioritet për ta. Është një betejë ekzistence. Ata mendojnë se më vonë mund të diskutojnë për kostot e kësaj situate", tha një burim i afërt me autoritetet libaneze.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG