Ndërlidhjet

Mosmiratimi i ligjeve vë në pikëpyetje zgjedhjet në Maqedoni të Veriut


Votime në Maqedoni të Veriut. Fotografi nga arkivi.
Votime në Maqedoni të Veriut. Fotografi nga arkivi.

Nëse deri në afatin për formimin e qeverisë teknike, më 3 janar, nuk miratohen disa ligje që për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut janë shumë të rëndësishme, atëherë vihet në pikëpyetje mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 12 prill të vitit të ardhshëm.

Kështu kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, disa herë ka paralajmëruar opozitën që drejtohet nga VMRO-DPMNE-ja, e cila në forma të ndryshme, qoftë duke pamundësuar sigurimin e kuorumit të nevojshëm apo përmes ndërhyrjeve të shumta procedurale, ka bërë që kuvendi të mos miratojë dhjetëra propozim-ligje të sferave të ndryshme.

Për qeverinë me rëndësi janë propozimet për rritjen e pagave, rritjen e pensioneve, disa zgjidhje tjera për subvencione, pastaj propozim-ligji për armatën e të tjera.

“VMRO DPMNE-ja dhe Hristijan Mickovski po vazhdojnë me sjelljen e tyre destruktive në dëm të interesave të qytetarëve dhe të shtetit. Me bllokimin e vetëdijshëm të Ligjit për mbrojtje, ata po e shkelin Kushtetutën duke rrezikuar realizimin e ëndrrës disa dekadëshe për anëtarësimin e vendit në NATO. Ata po rrezikojnë veto të re nga Republika e Greqisë, në veçanti tani kur ratifikimi i protokollit për anëtarësimin e plotë të vendit në këtë aleancë është në fund”, ka deklaruar Hari Lokvenec nga Lidhja Social-Demokrate.

Propozim-ligji për mbrojtjen parasheh ndërrimin e emrit të armatës në “Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, por këtë emër opozita nuk e njeh.

“Republika e Maqedonisë ndodhet në një situatë jashtëzakonisht të rëndë. Interesat shtetërore dhe të qytetarëve duhet të vendosen mbi interesat partiake dhe personale. Populli pret shpresë, shans për jetë më të mirë. Lufta jonë është për përparimin e shtetit, për parime, për vlera dhe për ripërtëritjen e Maqedonisë dhe jo për masa populiste në shërbim të partisë”, ka deklaruar Igor Janjushev, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, parti kjo e cila në mbledhjen e organeve partiake, të enjten, në mbrëmje ka nominuar kryetarin e saj, Hristijan Mickovski, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 12 prillit, edhe pse ato vazhdojnë të mbeten pezull për shkak të bllokimit të ligjeve.

Partitë shqiptare, pa përjashtim janë kundër çdo shtyrje të zgjedhjeve, pasi sipas tyre për datën janë marrë vesh liderët e të gjitha partive, të cilët duhet t’i përmbahen afatit të paraparë më 12 prill.

“Unë nuk shoh se mund të ketë ndonjë arsye për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ato janë vendosur me konsensus nga të gjithë liderët, por sikur të ketë ndonjë ndryshim ai duhet të miratohet me konsensus të përbashkët”, ka deklaruar Izet Mexhiti, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Kryeministri, Zoran Zaev, të shtunën, do të takohet më liderin e opozitës, Hristijan Mickovski dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Nuk dihet nëse në këtë takim do të vuloset 12 prilli si datë e zgjedhjeve, apo nëse do të vendoset për shtyrjen e tyre. Këto parti do të do të jenë pjesë e qeverisë teknike, pa Zoran Zaevin kryeministër, andaj edhe nuk përjashtohet mundësia që në këtë takim të merren vesh për emrat e rinj të kësaj qeverie që do të drejtohet nga një kuadër i LSDM-së. Mandati i qeverisë në të cilin VMRO-ja do të drejtojë dy ministri, ka për qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

XS
SM
MD
LG