Ndërlidhjet

Ligji për paga rikthen grevat në Kosovë


Grevë në sektorin e arsimit. Dhjetor, 2019.

Rreth 82 mijë persona që paguhen nga buxheti i shtetit të Kosovës do të marrin pagën e njëjtë, pa rritje, deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Shumë nga ta kanë pritur t’i marrin rrogat me rritje, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së parashtruar nga Avokati i Popullit, të enjten e ka pezulluar zbatimin e ligjit.

Vendimi i kësaj gjykate është parë si shkas nga punëtorët e sektorit të shëndetësisë dhe arsimit që të mbajnë grevë disa orëshe. Mjekët kanë trajtuar vetëm rastet urgjente, kurse mësuesit nuk kanë mbajtur mësim dy orët e para. Disa shkolla nuk kanë përfillur këtë vendim të sindikatës së tyre.

Drejtuesi i sindikatës së Qendrave të Kujdesit të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sherif Makolli, thotë se punëtorët shëndetësorë kanë pritur që ta marrin pagën me rritje nga muaji dhjetor.

“Greva sot është një paralajmërim për pagat, do të thotë për Ligjin mbi pagat që të realizohet dhe të merret paga me rritje. Dihet, kërkesa është zbatimi i ligjit, i cili veçse ka hyrë në fuqi kjo është kërkesa e vetme”, tha Makolli.

*Video: Makolli: Punëtorët shëndetësorë i duan pagat me rritje

Makolli: Punëtorët shëndetësorë i duan pagat me rritje
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:21 0:00

Ligji për pagat parashihte rritje për sektorë të ndryshëm, kryesisht pagat e mësuesve dhe mjekëve parashihej të kishin rritje të konsiderueshme.

Me Ligjin e ri për paga, një mësuesit do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro.

Greva kishte paralajmëruar edhe Sindikata e Policisë, mirëpo ky institucion nuk protestoi të premten duke thënë se vendimin për hapat e mëtejmë do të merreshin gjatë ditës.

Gjykata Kushtetuese në vendimin për pezullim ka thënë se zbatimi i Ligjit për paga do të pezullohet deri më 30 mars të vitit të ardhshëm. Deri në këtë datë, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim nëse ky ligj është në pajtim apo jo me Kushtetutën.

Loxha: Sindikatat të mos bëhen pjesë e lojërave politike

Kundër grevave janë pjesëtarët e shoqërisë civile. Drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëresha Loxha, thotë se sindikatat nuk duhet të bëhen pjesë e lojërave politike.

“Sindikatat duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të mos ndërhyjnë në punën e drejtësisë, pra të mos bëhen pjesë e lojërave politike, sepse të gjithë e dinë se nuk ka ligj, i cili do ta kënaqë dhe do të ketë pajtueshmëri dhe kënaqshmëri te sektori publik”, tha Arbëresha Loxha.

Për shkak të grevës, punëtorët shëndetësorë të premten kanë pranuar vetëm rastet emergjente.
Për shkak të grevës, punëtorët shëndetësorë të premten kanë pranuar vetëm rastet emergjente.


Loxha thekson se Ligji për paga nuk është zgjidhja më e mirë sa i takon rregullimit të pagave për sektorin publik. Ajo rekomandon marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias.

“Para se të kishim ligj, ne konsiderojmë se do të duhej të kishte një qartësim të drejtësisë dhe barazisë së lartësisë së pagave. Qeverisë së ardhshme i mbetet që të kërkojë një vendim ose opinionin në fakt nga Komisioni i Venecias përpara se Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim mbi këtë ligj dhe gjithashtu të kërkohet opinioni i SIGMA-s, i cili institucion ka kontribuar shumë në hartimin e pakos së ligjeve për reformën e administratës publike e që përfshinë edhe Ligjin për paga, Ligjin për zyrtarët publikë dhe riorganizimin e administratës publike”, shpjegon Loxha.

*Video: Loxha: Qeveria e re ta dërgojë Ligjin e pagave në Komisionin e Venecias

Loxha: Sindikatat të mos bëhen pjesë e lojërave politike
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:16 0:00

Ligji i pagave u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit, cili kishte pranuar dhjetëra ankesa nga sindikata dhe individë qe punojnë në sektorin publik, mes tjerash ata e kanë cilësuar diskriminues.

Kurti: E zgjidhim problemin me projektligj të ri

Mospajtimet që janë shkaktuar çështja e pagave do të jetë problemi kryesor, me të cilin do të përballet Qeveria e re, në rast se arrihet koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që është kandidat për kryeministër, tha se do të presin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe varësisht nga ato që thuhen aty, do të shkohet drejt zgjidhjes së situatës, mirëpo, sipas tij një projektligj i ri që do t’i përmirësonte gabimet do të ishte zgjidhja ideale.

“Unë besoj se kemi nevojë për një projektligj të ri, pra që e plotëson dhe e ndryshon këtë aktualin në mënyrë që pabarazitë e ngelura, të eliminohen. Le të mos harrojmë se edhe me këtë Ligjin e ri të pagave, ta zëmë shoferi i kryeparlamentarit e ka pagën më të lartë se drejtori i shkollës. Andaj, pabarazitë e ngelura janë të papranueshme dhe duhet të adresohen në një projektligj të ri për pagat, të plotësohet dhe të ndryshohet ky aktuali, e me ç’rast duhet të merren parasysh edhe ato që do të na i thotë Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj”, tha Kurti.

*Video: Kurti: Projektligj të ri për pagat

Deklarata e Albin Kurtit për Ligjin për paga
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:23 0:00

Sindikatat që mbajnë grevë të premten u kritikuan edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Kjo organizatë ka kërkuar pezullimin e çdo lloj greve apo proteste nga punëtorët që kundërshtojnë pezullimin e Ligjit për pagat.

KMDLNJ-a ua rikujton sindikatave se vendimi për pezullim nuk është vendim përfundimtar dhe nuk e paragjykon vendimin final.

XS
SM
MD
LG