Ndërlidhjet

Ligji për gjuhën shqipe pritet ta dominojë fushatën zgjedhore


Një person kalon pranë një murali me motive shqiptare në Shkup. Foto nga arkivi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka paralajmëruar fillimin e bisedimeve me të gjitha institucionet dhe partitë politike për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, lidhur me raportin e Komisionit të Venecias për Ligjin e gjuhëve.

Vërejtjet e ekspertëve të këtij Komisioni kanë të bëjnë, me siç thuhet, “vështirësitë që do të shkaktojnë dispozitat e tij në procedurat gjyqësore”, por edhe në komunikimin ndërinstitucional dhe të brendshëm mes shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, duke rekomanduar që gjuha shqipe të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar.

“Deri në fund të javës do të realizoj takime mes institucioneve adekuate që të mund të harmonizojmë qëndrimet lidhur me vërejtjet e Komisionit të Venecias...Duhet të punojmë për forcimin e kapaciteteve të institucioneve që zgjidhja vërtetë të marrë formën bazuar në rekomandimet e Komisionit”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke komentuar më pas edhe paralajmërimin e opozitës për dorëzimin e amendamenteve për ndryshimin e Ligjit për gjuhët në përputhje me vërejtjet e Komisionit të Venecias.

“Opozita është një korrektues i rëndësishëm i proceseve. Nëse vërejtjet e tyre janë në drejtim të avancimit të projektit ‘Një shoqëri për të gjithë’, atëherë unë konsideroj se mund të debatojmë dhe të marrim parasysh vërejtjet e sugjerimet që mund të vijnë nga ana e tyre”, është shprehur kryeministri Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fillimisht doli me qëndrimin se Ligji për gjuhët nuk mund të ndryshojë, pasi sipas kësaj partie, që është pjesë e qeverisë, Maqedonia e Veriut do të kthehej në periudhën e para Marrëveshjes së Ohrit apo para konfliktit të vitit 2001ë. Por, tani nga kjo parti beson që përmes konsensusit ta kapërcejnë edhe këtë sfidë.

“Besoj se edhe në këtë fushë ne do të ndërtojmë një konsensus të përbashkët, të pranueshëm për të gjithë, një zgjidhje kjo që do të na bëjë me të fortë dhe krenar. Me këtë ne do të bëhemi shembull për zgjidhjen e problemeve përmes bisedimeve, kompromiseve dhe qasjeve pozitive”, ka deklaruar Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Raporti i Komisionit të Venecias ndërkohë ka nxitur reagime e opinione të ndryshme, që sipas disa njohësve të çështjeve politike, ka ardhur në kohën që ndoshta partive më së shumti i konvenon për shkak të shfrytëzimit të tij për fushatë parazgjedhore.

Analisti Petar Arsovski thotë se pavarësisht se partitë tani shprehin gatishmëri për të nisur konsultimet, kjo çështje nuk do të zgjidhet, por e gjithë periudha deri në ditën e zgjedhjeve më 12 prill do të shfrytëzohet për përplasje politike dhe rrjedhimisht për fitimin e poenëve politikë.

“Unë mendoj se nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë të kësaj çështjeje. Partitë nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Tensionet do të vazhdojnë me atë se secila parti do të mbrojë qëndrimin e saj. Kështu do të ndodhë deri pas zgjedhjeve, që problemi t’i lihet për zgjidhje koalicionit të ardhshëm qeveritar. Pra, raporti i Komisionit të Venecias do të shfrytëzohet deri në maksimum nga partitë tani në prag të zgjedhjeve”, thotë Arsovski.

Ligji për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, është miratuar më 14 mars të vitit 2018 dhe me të parashihet përdorimi i plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet i gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, ndryshe nga maqedonishtja, si në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike, si në të folur ashtu edhe në të shkruar, që nënkupton të gjitha tabelat dhe mbishkrimet do të jenë në dy gjuhë.

XS
SM
MD
LG