Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Çekia shprehin mbështetje për punën e REL-it


Dhoma e lajmeve e Radios Evropa e Lirë në Pragë
Dhoma e lajmeve e Radios Evropa e Lirë në Pragë

Liria e medias dhe shtypi i pavarur “janë gur themeli për çdo demokraci të shëndetshme” dhe “ndihmojnë në sigurimin e informacionit si një e mirë publike”.

Kështu thanë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një deklaratë të përbashkët që lëshuan pas takimit të tyre në Uashington.

“Një shtyp i pavarur i ndihmon qytetarët t’i kuptojnë forcat që formësojnë jetën e tyre dhe u mundëson njerëzve të angazhohen në mënyrë domethënëse në sferat politike dhe civile të komuniteteve të tyre”, thanë ata.

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një marrëdhënie produktive me Agjencinë Amerikane për Media Globale (USAGM) dhe përfituesit e saj, duke përfshirë edhe Radion Evropa e Lirë, thuhet, po ashtu, në deklaratën e tyre.

USAGM është një agjenci e pavarur e Qeverisë federale amerikane, e financuar nga Kongresi, me qëllim të promovimit të vlerave demokratike, qasjes në informacione dhe lirisë së medias në gjithë botën.

Në deklaratën e dy zyrtarëve thuhet se Republika Çeke “vëren se mbështetja për lirinë e shtypit përbën një nga prioritetet e saj kryesore për të drejtat e njeriut”.

“Republika Çeke kujton se populli çek ka përfituar nga burime të pavarura informacioni, të tilla si transmetimet e Radios Evropa e Lirë, gjatë dekadave të nënshtrimit nga Bashkimi Sovjetik”, thuhet në deklaratë.

“Për shkak se Radio Evropa e Lirë shkakton zemërim te regjimet autoritare me programet e saj, ajo është një objektiv i vazhdueshëm i qeverive armiqësore. Shtetet e Bashkuara dhe Republika Çeke theksojnë se, për shkak të këtyre kërcënimeve, Radio Evropa e Lirë duhet ta kompozojë fuqinë e saj punëtore me kujdes të veçantë. Ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të fuqishme të punës së Radios Evropa e Lirë”, thanë Blinken dhe Lipavsky, duke u zotuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin për të siguruar që REL-i funksionon në mënyrë efektive.

Radio Evropa e Lirë ka selinë qendrore në Pragë që nga viti 1995. Ajo shërben në 23 vende, në 27 gjuhë.

XS
SM
MD
LG