Retorika për luftimin e korrupsionit vazhdon të jetë diskurs ditor në shoqërinë e Kosovës. Pavarësisht dëmeve që shkakton korrupsioni në mirëqenien dhe perspektivën e popullit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, kjo si duket nuk ka alarmuar sistemin e drejtësisë që të ndërmarrë veprime konkrete për të ndjekur dhe gjykuar në mënyrë meritore veprimtarinë korruptive.
Prokuroria Speciale në maj 2018, kishte ngritur aktakuzë për korrupsion në lëndën e shënjestruar si rasti “Sekseri”, kundër të akuzuarve Emin Beqiri, ish-shef i Krimeve Ekonomike në polici si dhe Rrahim Hashimit.
Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2018 kishte liruar përfundimisht nga akuza për korrupsion ish-shefin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri. Pas këtij vendimi, prokuroria ishte ankuar në Gjykatën Supreme, e cila në prill të vitit 2019, përmes Kolegjit Penal, kishte vendosur se Emin Beqiri ishte liruar në mënyrë të kundërligjshme, pasi kishte pasur prova për ta gjykuar për korrupsion.
Në këto raste, kur gjykatësit në shkallë të parë apo të dytë, lirojnë të akuzuarit, në rast ankesë në Gjykatë Supreme, nëse ajo vërteton se të akuzuarit janë liruar në mënyrë të kundërligjshme, në bazë të ligjeve në fuqi, vetëm mund ta konstatojë një shkelje të tillë, por ndaj të akuzuarve nuk mund të iniciohen më procedura. Rrjedhimisht, ata lirohen përgjithmonë.
Sikurse rasti i Emin Beqirit, emisioni “Iustitia” ka identifikuar edhe disa raste të profilit të lartë, ku dëshmohet se gjykatësit kanë shkelur ligjin kur kanë liruar të akuzuarit për korrupsion:
- Rasti i Mehmet Krasniqit, ish-kryetar i Komunës së Obiliqit, i akuzuar për korrupsion dhe i liruar në mënyrë të kundërligjshme
- Rasti i Dalibor Jevtiqit, ministër për Komunitete dhe Kthim dhe zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, i akuzuar për korrupsion dhe i liruar në mënyrë të kundërligjshme
- Rasti i Nexhat Demakut, ish-kryetar i Komunës së Drenasit, i akuzuar për korrupsion dhe i liruar në mënyrë të kundërligjshme
Vendimet e gjykatave për të liruar të akuzuarit në këto raste të korrupsionit, vlerësohen të kundërligjshme dhe të dëmshme për drejtësinë. Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, thotë se përmes lirimit të kundërligjshëm të këtyre personave, po humb besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
"Gjykata Supreme e Kosovës në kompetence e saj e ka edhe kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, do të thotë, të gjitha palët kanë të drejtë të ushtrojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimeve gjyqësore të formës së prerë që merren në të gjitha shkallët gjyqësore, dhe njëra prej kompetencave është edhe ajo që nganjëherë prokurori i shtetit ushtron kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në dëm të dënuarit ose të akuzuarit, dhe në këtë drejtim edhe Gjykata Supreme ka kompetencë t’i vlerësojë vendimet gjyqësore të formës së prerë me të cilat janë liruar nga përgjegjësia penale”, tha Peci.
"Te rastet e korrupsioni është pak çështje më delikate, më e ndjeshme dhe ne jemi të vetëdijshëm që problematika e rasteve të korrupsionit është problematikë globale e përgjithshme, në kuptimin e vërtetimit të veprës penale, për shkak se janë vepra penale që kemi konstatuar në vazhdimësi, e vështirë të vërtetohen", shtoi Peci.
Gjykatësit që gjykojnë në shkallë të parë këto raste, thonë se nuk janë në dijeni për ndarje selektive të drejtësisë nga kolegët e tyre.
"Unë nuk jam në dijeni për ndarje të drejtësisë në mënyrë selektive. Nëse ato vërtetohen, nëse ka ankesa, atëherë për gjyqtarët do të duhej të merren masa", tha Arben Hoti, ushtrues i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Me vendimet e Gjykatës Supreme nuk pajtohet kreu i Gjykatës së Apelit. Hasan Shala thotë se në disa raste, është vërtetuar se Supremja ia ka “huqur” kur i ka anuluar vendimet e Apelit.
"Po, unë i kam edhe ato vërejtjet e mija që i kam thënë edhe përpara që nuk jam i kënaqur edhe ashtu me vendimet e Gjykatës Supreme, sidomos kur kemi të bëjmë, siç thash, ne i rrisim dënimet ata i anulojnë vendimet tona, ne i vërtetojmë, ata i konstatojnë shkeljet. Ne kemi disa raste kur edhe Gjykata Kushtetuese pikërisht ato vendime i ka anuluar Gjykata Kushtetuese sepse vetë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që Supremja i ka shkelur. Prandaj, ne duhet t’i koordinojmë punët sa i përket lëndëve me Gjykatën Supreme, por edhe me Gjykatën Themelore”, tha Shala.
Avokati Kujtim Kërveshi vlerëson se si prokurorët ashtu edhe gjykatësit, kanë probleme serioze në trajtim profesional të lëndëve, me theks të veçantë kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit.
"E kundërta e kësaj ndodh në rastet kur për shembull nga vendimet meritore të Gjykatës Supreme konstatohet se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë, në njëfarë formë ka amnistuar veprat e profilit të lartë të sektorit të korrupsionit. Një njohës e lexon dhe e krijon përshtypjen jo nga ajo që gjykohet në opinion, por ajo që është shkruar nga e zeza në të bardhë. Në disa raste të fundit, kemi qenë dëshmitarë që shkalla e parë dhe shkalla e dytë duket se në mënyrë ose duke shpërfaqur dozë të mosnjohjes, ose duke shfaqur dozë të mosnjohjes dhe interesit, ka vendosur si ka vendosur, dhe pastaj GJS ka konstatuar se këto vendime nuk janë të drejta", tha Kërveshi.
Ekspertët e pavarur, të cilët monitorojnë trajtimin e këtyre rasteve në sistemin gjyqësor, vlerësojnë se sistemi i drejtësisë, përmes trajtimit selektiv të rasteve të korrupsionit, ka dëshmuar në disa raste, se është vegël e politikave ditore, duke mos e kryer funksionin e vetë.
“Gjetjet e monitorimit të IKD-së, dëshmojnë se gjyqësori nuk ka dëshmuar guxim të përballjes me rastet e korrupsionit. Thjesht, para profilit të lartë të korrupsionit, ka vepruar në mënyra të ndryshme, edhe të kundërligjshme, vetëm e vetëm që të lirohen të akuzuarit. E mira e shqyrtimeve gjyqësore është se ato janë publike dhe qytetari në raste të caktuara, sheh nga raportimet tona se ka prova dhe dëshmi për korrupsion, por që ato vetëm gjykatësit nuk i shohin. Kjo praktikisht dëshmon për mungesën e integritetit të gjyqësorit që ta ketë guximin e duhur për të gjykuar drejtë dhe në bazë të ligjit të akuzuarit, pavarësisht emrave dhe pozitave të tyre”, tha Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Për hedhjen e kundërligjshëm të aktakuzave për korrupsion, që i takojnë profilit të lartë, ka pasur reagime nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Madje, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë fjalimit në konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit, ka thënë se prokurorët po ngrenë aktakuza për korrupsion me prova, por që ato po rrëzohen nga gjykatësit.
Në lidhje me kritikat e Kryeprokurorit të Shtetit për gjykatësit, kreu i Supremes, thotë se numri i kërkesave të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që janë aprovuar nga Gjykata Supreme, është shumë më i vogël sesa numri i kërkesave të refuzuara.
Derisa në gjykimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë, gjykatësit po gabojnë duke shkelur ligjin në favor të të akuzuarve, duke i liruar përfundimisht nga çdo përgjegjësi, ligji po zbatohet në mënyrë strikte ndaj të akuzuarve për korrupsion, që i takojnë profilit të ulët.
Gjykatësit ndaj tyre rezulton se respektojnë ligjin me përpikëri. “Iustitia” iu sjellë dy raste të aktgjykimeve kur gjykatësit në rastet e korrupsionit prej 5 eurove ryshfet dhe 500 eurove ryshfet, shqiptojnë dënime shumë më të ashpra.
Në rastin e parë, Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka dënuar me 300 euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht të akuzuarin Andon Vasiliu, për veprën penale të dhënies së ryshfetit. Sipas prokurorisë, i akuzuari në pikën kufitare Qafë Prushë, ua kishte ofruar policëve 5 euro ryshfet, me qëllim që të kalonte kufirin pa kontroll, pasi në veturën e tij, kishte pllaka të mermerit, që kishte për qëllim t’i dërgonte në fshatin Nivokaz.
Në rastin e dytë, nga Gjykata Themelore në Gjilan, inspektori i Komunës së Kamenicës, Sadullah Dërmaku, ishte dënuar për të pestën herë për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Sipas prokurorisë, me qëllim që të përfitojë kundërligjshëm, inspektori Dërmaku, kishte marrë 500 euro ryshfet për t’ia lejuar zhvillimin e veprimtarisë kompanisë “City Taxi”.
Kreu i Gjykatës Supreme, Enver Peci shprehet kritikë lidhur me mënyrën se si gjykatësit po veprojnë në rastet e korrupsionit të profilit të lartë dhe shton se ka probleme esenciale në politikën ndëshkimore.
"Po shihet një pasiguri, në kuptimin e veprimit të përgjegjësisë penale të kryerësve të veprave penale, do të thotë te dënimet po vërejmë një pasiguri se a e ka bërë apo jo. Kjo është e rrezikshme", tha Peci.
Mungesa e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit dhe zbatimi selektiv i drejtësisë në këto raste, vazhdimisht ka ndikuar që të humbë besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Sipas Pulsit Publik, rezulton se kënaqshmëria në sistemin prokurorial dhe gjyqësor është në nivelin më të ulët, në raport me të gjitha institucionet e tjera.
Facebook Forum