Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e Listës Serbe me funksione të dyfishta


Flamujt e Serbisë në një ndërtesë banimi në Mitrovicën e Veriut - Foto ilustruese
Flamujt e Serbisë në një ndërtesë banimi në Mitrovicën e Veriut - Foto ilustruese

Emërimi i përfaqësuesve të Listës Serbe në pozitat e ndryshme në kuadër të institucioneve të sistemit të Serbisë, por që funksionojnë në Kosovë, është shenjë e mbrojtjes dhe falënderimit për lojalitetin ndaj Qeverisë së Serbisë, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike Rangjel Nojkiq, ish -deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, këto emërime janë bërë pavarësisht aftësive profesionale dhe kualifikimeve që kanë anëtarët e Listës Serbe. Ndërkaq, institucionet, në të cilat janë emëruar anëtarët e Listës Serbe, nga autoritetet e Kosovës konsiderohen paralele. Analisti Dushan Janjiq, vlerëson se paralelizmi në Kosovë nuk është shuar.

Qeveria e Serbisë, në nëntor të këtij viti, ka emëruar funksionarët e lartë të Listës Serbe për anëtarë të këshillave të ndryshëm të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut. Ky institucion funksionon sipas sistemit të Serbisë dhe financohet nga buxheti i kësaj të fundit, e që po ashtu, nga autoritetet e Kosovës konsiderohet si paralel.

Përveç faktit që anëtarët e Listës Serbe punojnë në sistemin e Kosovës, mjaft prej tyre janë në pozita udhëheqëse edhe në institucionet paralele serbe.

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që emërimin e anëtarëve të Listës Serbe në pozitat e ndryshme në kuadër të institucioneve të sistemit të Serbisë, autoritetet e kësaj të fundit po e bëjnë për të shpërblyer lojalitetin e tyre ndaj shtetit serb.

“Me këtë (Qeveria e Serbisë) dëshiron t’iu dërgojë porosi edhe të gjithë të tjerëve që në të ardhmen do të shërbejnë në këtë mënyrë, që Qeveria e Serbisë nuk do t’i braktisë, marrë parasysh që mjaft prej tyre do t’i humbin pozitat në institucionet e Kosovës dhe me këtë, në mënyrë të dukshme do të ndryshohet pozicioni i Listës Serbe. Kjo situatë është e imponuar nga ana e Qeverisë së Serbisë, në kuptimin që t’i mbrojë anëtarët e Listës Serbe për lojalitetin që kanë ofruar për Qeverinë e Serbisë”, tha Nojkiq.

Kush janë funksionarët e dyfishtë?

Lista Serbe është subjekt politik në Kosovë, i cili gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar. Ky subjekt politik, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, i ka fituar 10 ulëset në Kuvendin e Kosovës, të garantuara për komunitetin serb.

Po ashtu, Lista Serbe, është në krye të 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Goran Rakiq gjatë votimit në zgjedhje.
Goran Rakiq gjatë votimit në zgjedhje.

Për shembull, kryetari i Listës Serbe, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, më 21 nëntor është emëruar sërish si anëtar i Këshillit të Universitetit në Prishtinë me seli në Mitrovicën e Veriut, institucion ky që konsiderohet paralel nga autoritetet e Kosovës. Rakiq, gjithashtu është drejtor i Kompanisë komunale publike “Standard”, e cila është në sistemin serb.

Përveç tij, si anëtar të Këshillit të Universitetit që funksionon në Mitrovicën e Veriut, janë emëruar edhe Srgjan Popoviq, kryetar i Komunës së Graçanicës, Ivan Todosijeviq, deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës dhe kryetar i Komunës së Zveçanit sipas sistemit të Serbisë, por edhe zëvendëskryetar i Komunës së Zveçanit, sipas sistemit të Kosovës. Në këtë këshill të Universitetit është zgjedhur edhe kandidatja e Listës Serbe e cila nuk ka arritur të hyjë në Kuvendin e Kosovës, Vinka Radosavljeviq, por që kryen funksionin e kryetares së Qarkut të Pejës, sipas sistemit të Serbisë.

Deputeti i zgjedhur i Listës Serbe, Slavko Simiq, është vendosur në detyrën e kryetarit të “Qarkut Administrativtë Mitrovicës” dhe njëkohësisht është i emëruar edhe si anëtar i Këshillit të Fakultetit për Sport dhe Edukim Fizik. Në të njëjtin këshill është emëruar edhe Zoran Mojsiloviq, gjithashtu deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe. Mojsiloviq është edhe drejtor i Qendrës sportive komunale në Mitrovicën e Veriut.

Ivan Milojeviq, drejtor i Zyrës për komunitete në kuadër të kabinetit të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, është emëruar si anëtar i Këshillit të Fakultetit Ekonomik.

Për anëtar të të njëjtit këshill është emëruar edhe Milan Radojeviq, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës në largim. Gjithashtu, ai është edhe drejtor i Fondit të sigurimeve të pensionistëve dhe invalidëve në Mitrovicën e Veriut, sipas sistemit të Serbisë.

Deputetja e zgjedhur, Jasmina Dediq, është emëruar për anëtare të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Natyrore-Matematikore, në kuadër të Ministrisë së Arsimit të Serbisë.

Zoran Todiq, kryetar i Komunës së Leposaviqit dhe kryetar i organit të përkohshëm serb të së njëjtës komunë, është emëruar si anëtar i Këshillit të Fakultetit të Bujqësisë.

Në universitetin e njëjtë, si anëtar i Këshillit të Fakultetit të Edukimit, është emëruar deputetja e zgjedhur e Listës Serbe, Verica Qeraniq, e cila mban edhe funksionin e drejtoreshës së Shërbimit kombëtar për punësim për Kosovë, në kuadër të sistemit të Serbisë.

Për anëtar të Këshillit të Fakultetit Filozofik është emëruar Aleksandar Spiriq, i cili është kryetar i organit të përkohshëm komunal të Mitrovicës, që funksionon në sistemin e Serbisë. Spiriq, gjithashtu është edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, sipas sistemit të Kosovës.

Për anëtar të Këshillit të Fakultetit Jurdik është emëruar nënkryetari i Listës Serbe dhe deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq. Ai gjithashtu është edhe kryetar i Këshillit mbikëqyrës në kompaninë publike “Rrjeta-Ura” (Mreza – Most), të cilën e financon Qeveria e Serbisë.

Më pas aty janë emëruar edhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, i cili në mandatin e kaluar të Qeverisë së Kosovës ishte zëvendëskryeministër dhe ministër për Komunitete dhe Kthim; deputeti i zgjedhur Ljubinko Karagjiq, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i organit të përkohshëm të Prishtinës me seli në Graçanicë; si dhe Vuçina Jankoviq, kryetar i Komunës së Zveçanit, në sistemin e Kosovës.

"Organi i përkohshëm i Komunës së Prishtinës” me seli në Graçanicë.
"Organi i përkohshëm i Komunës së Prishtinës” me seli në Graçanicë.

Miljana Nikoliq, deputete e zgjedhur nga Lista Serbe, është emëruar si anëtare e Këshillit të Fakulteteit të Mjekësisë. Ajo, gjithashtu, është edhe zëvendësdrejtore e Qendrës shëndetësore për mbrojtje shëndetësore parësore në Mitrovicën e Veriut.

Në funksione të ndryshme janë emëruar edhe këshilltarët e kuvendeve komunale, nga radhët e Listës Serbe.

Funksionarët e (pa) kualifikuar

Ligji i Serbisë për shkollimin e lartë parasheh që përbërja e këshillave të institucioneve të arsimit të lartë të emërohen nga Qeveria e Serbisë “nga radhët e personaliteteve të spikatura nga fusha e shkencës, kulturës, arsimit, artit dhe ekonomisë”.

Nga Qeveria e Serbisë, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje lidhur me atë se pse funksionarët e Listës Serbe janë emëruar në këshillat e universitetit.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut kanë mendime të ndryshme lidhur me këto emërime. Përderisa një pjesë e tyre i mbështetë ato, të tjerët thonë që është vendosur kontroll politik mbi universitetet.

Dushan Milutinoviq shpreh mendimin që askush nuk mund të gjykojë për kualifikimin e të emëruarve në universitet, por kontestuese mbetet pavarësia e institucionit.

“Kjo po duket sikur ata po duan të vendosin kontrollin mbi arsimimin e lartë. Kjo nuk më pëlqen aspak dhe mendoj që edhe studentët, nëse janë të sinqertë, do të jenë kundër kësaj”, thotë Milutinoviq.

Ilija Markoviq thotë se nuk ka asgjë kundër Listë Serbe, nëse anëtarët e saj janë të kualifikuar:

“Do të ishin të mirëseardhur që të jenë anëtar të këshillit, por nëse janë jashtë kualifikimit, kjo është rrethanë rënduese, sepse nuk e njohin programin”.

Ljubisha Vujoviq vlerëson që universiteti është politizuar shumë.

“Fakulteti duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, por tash mendoj që është nën presionin e Qeverisë dhe kjo nuk është mirë”, shprehet Vujoviq.

Ndërkaq, Mirjana Jakshiq, shpreh mendimin që është mirë që në këshillat e universitetit janë zgjedhur anëtarët e Listës Serbe:

“Me siguri që dinë ta kryejnë funksionin për të cilin janë emëruar”.

“Paralelizmi nuk është shuar”

Lidhur me emërimet e reja në këshillat e universitetit, analisti Dushan Janjiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë që duke shikuar përshkrimin e funksioneve, bëhet fjalë për punë që kanë të bëjnë me buxhetin e Serbisë.

Sipas tij, heqja e paralelizmit në Kosovë, ndonëse është dashur të ndodhë pas marrëveshjes së Brukselit, kjo nuk ka ndodhur.

“Ky është i ashtuquajturi sistemi jo ekzistues paralel i pushtetit dhe në esencë, kjo është vetëm vazhdimësi e mandateve që kanë skaduar. Ky është një lloj i mbajtjes së paralelizmit të pushtetit, i cili nuk është hequr, pavarësisht marrëveshjes së Brukselit... Integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk ka ndodhur. Madje që nga viti 2016, është ripërtërirë një numër i institucioneve në atë sistem paralel. Në fakt, ky është ai paralelizmi, i cili në bazë të marrëveshjes së vitit 2013 dhe pas zgjedhjeve lokale, është dashur të shuhet”, thotë Janjiq.

Janjiq dhe Nojkiq konsiderojnë se nuk është sigurt se deri në çfarë mase Lista serbe do të jetë e përfshirë në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, në krye të së cilës pritet të jetë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit.

Kurti ka thënë që do të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe që Lista Serbe do të marrë një ministri, por që këtë subjekt politik nuk e sheh si partner të koalicionit qeverisës.

Përgatiti: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG