Ndërlidhjet

Partia e Putinit mbështetë Listën Serbe


Përfaqësuesit e Listës Serbe

Partia politike “Rusia e Bashkuar”, parti kjo e presidentit rus, Vladimir Putin, i ka dhënë mbështetje Listës Serbe dhe serbëve të Kosovës, kanë deklaruar përfaqësuesit e kësaj liste dhe zyrtarët e Qeverisë së Serbisë.

Deklaratën e tillë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e ka publikuar përmes një komunikate për medie, pas takimit që ai dhe Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, kanë pasur të enjten, në Moskë, me delegacionin e partisë “Rusia e Bashkuar”, të cilit i ka prirë zëvendës-sekretari i Këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, Sergej Zheljeznjak.

Në komunikatë thuhet se Zheljeznjak ka thënë se uniteti politik i popullit serb në Kosovë duhet të vërtetohet edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale të Kosovës.

“Rusia sillet me respekt ndaj politikës së Serbisë për Kosovën. Më vjen mirë që Lista Serbe i ka përforcuar pozicionet e veta dhe se të gjitha çështjet në Kosovë, tash do të zgjidhen me mendimin e popullit serb. Për këtë shkak edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, Rusia e bashkuar i jep mbështetje të plotë Listës Serbe që këtë luftë ta vazhdojë me kapacitet të plotë”, ka thënë Zheljeznjak.

Rakiq, ka thënë se lidhjet e forta me Federatën Ruse, janë trimëruese dhe stimuluese për popullin serb në Kosovë.

“Ky takim është argument për lidhjen e pathyeshme të popullit serb dhe atij rus. Në të ardhmen do ta zhvillojmë bashkëpunimin rajonal ndërpartiak”, ka thënë Rakiq, i cili e ka ftuar z. Zheljeznjak që t’i vizitojë serbët e Kosovës.

Në anën tjetër, vizita e drejtuesit të Listës Serbe në Moskë, nga politikanët dhe njohësit serbë të zhvillimeve politike, është vlerësuar si një veprim për konsum të brendshëm.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes së Rimëkëmbjes Serbe në Kosovë, Rangjel Nojkiq, tha për Radion Evropa e Lirë se drejtuesi i Listës Serbe ka shkuar në Moskë, në mënyrë që më pas të marrë mbështetjen e elektoratit në Kosovë.

“Mendoj që kjo, para së gjithash, është bërë për konsum të brendshëm, marrë parasysh që e dinë se serbët në Kosovë ndjejnë afërsi për Rusinë dhe në këtë mënyrë të marrin pak më shumë vota se sa që ndoshta do të merrnin".

"Kjo për faktin se në zgjedhjet lokale me siguri se do të krijohen polarizime, sepse Lista Serbe, me kandidatët me të cilët do të do të garojë, krijon pikëpyetje të madhe. Konsideroj që kjo, para së gjithash, është një tentim që përmes Rusisë dhe me partinë e zotit Putin, të marrë numër më të madh të votave. Përndryshe, nuk besoj që do të ndodhë diçka tjetër më e rëndësishme”, tha Nojkiq.

Se pas kërkesës së Listës Serbe për mbështetje nga partia e Putinit, para zgjedhjeve lokale në Kosovë, qëndron vlerësimi i lartë për Rusinë ndër serbët e Kosovës, këtë e vlerëson në një bisedë me Radion Evropa e Lirë edhe Igor Novakoviq, drejtor për hulumtime në Qendrën për Punë Ndërkombëtar dhe të Sigurisë.

“Ajo që duhet pasur parasysh gjithmonë është popullariteti i madh i Rusisë, para së gjithash në veri të Kosovës. Duhet përkujtuar se para disa vitesh ka qenë aktual aplikimi kolektiv i njerëzve që jetojnë atje, për shtetësinë e Federatës Ruse. Nuk duhet injoruar edhe faktin se para dy vjetësh, presidenti Vladimir Putin, është shpallur qytetar nderi i komunës së Zveçanit".

"Është shumë e mundur që e gjithë kjo është një veprim i marketingut politik, me të cilin drejtuesit e Listës Serbe po tentojnë që në këtë mënyrë ta përforcojnë pozicionin e vet para zgjedhjeve lokale në Kosovë”, tha Novakoviq.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, përmes një komunikate për medie, ka theksuar se “Partia ‘Rusia e Bashkuar' e presidenti rus Vladimir Putin, ka mbështetur vendimin e Listës Serbe që të hyjë në Qeverinë e Kosovës, të drejtuar nga Ramush Haradinaj”.

Megjithatë, Rangjel Nojkiq ka theksuar se me takimin në Moskë me delegacionin e “Rusisë së Bashkuar”, Lista Serbe do të marrë pikë negative karshi vendeve perëndimore . Gjithashtu, sipas tij, ndonëse Lista Serbe kishte thënë se nuk do t’i bëj shantazhe Qeverisë së Kosovës, në të cilën merr pjesë, me vizitën në Moskë për të kërkuar mbështetje nga Rusia, ajo po dërgon sinjale për mos qëndrueshmërinë e kësaj qeverie.`

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG