Ndërlidhjet

Lufta tregtare SHBA-Kinë po përshkallëzohet, çfarë është ajo dhe çka nënkupton?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Masa e fundit e Uashingtonit në luftën e saj tregtare me Kinën do të shënjestrojë gjithçka, duke nisur nga produktet me palmë të përpunuar e deri te biçikletat. Profesorë të ekonomisë vlerësojnë se tarifat nuk po dëmtojnë Kinën, mirëpo kompanitë evropiane që veprojnë atje dhe si rezultat, kundërmasat kineze do të prekin prodhuesit amerikanë në SHBA.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të ashpërsojnë masat në luftën tregtare me Kinën, duke aplikuar tarifa prej 10 përqind në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve.

Vala e re e tarifave është masë, e cila pritet të rezultojë me përshkallëzim të madh të konfliktit tregtar.

Para së të bëhej një njoftim i tillë, Pekini pati premtuar se do të kundërpërgjigjej me tarifa në mallra në vlerë të 60 miliardë dollarëve, nëse presidenti amerikan, Donald Trump do të vendosë masa të reja. Më vonë, më 18 shtator, ministri kinez i Financave, ka konfirmuar se Kina do të përgjigjet me tarifat e përmendura më parë. Ky hap e kthen topin sërish në anën e Trumpit, pasi presidenti amerikan ka premtuar se do të nisë tarifa në reja, në mallrat në vlerë të 267 miliardë dollarëve nëse Pekini hakmerret.

Në total, të gjitha masat amerikane mund të prekin mallrat kineze në vlerë të 500 miliardë dollarëve, duke prekur edhe disa bujq dhe kompani amerikane që shesin produktet e tyre në Kinë.

Të shohim se cili është elementi i ri në këtë proces dhe çfarë nënkupton.

Çfarë ka bërë Trump?

Administrata e Trumpit ka njoftuar më 17 shtator se Uashingtoni do të vendosë tarifa në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, duke nisur aplikimin nga 24 shtatori. Mirëpo, tarifat prej 10 përqind që nisin së zbatuar shumë shpejt, do të rriten në 25 përqind më 2019.

Lista e produkteve të prekura është shumë e gjatë, duke nisur nga produktet prej palmës së përpunuar deri te biçikletat.

Mirëpo diçka ka shpëtuar. Ndonëse në listën fillestare të mallrave me vlerë prej 200 miliardë dollarëve kanë qenë në listë helmetat e biçiklistëve dhe produktet tjera për siguri të fëmijëve, ato janë kursyer nga masat, ashtu sikurse disa produkte elektronike që janë shumë të kërkuara në Kinë, siç janë byzylykët e fitnesit që prodhohen nga kompanitë amerikane, Apple dhe Fitbit.

Por, këto nuk janë tarifat e para të SHBA-së, të vëna drejt Kinës. Në muajin qershor, Trump ka njoftuar për vënie të tarifave prej 25 përqind në produktet kineze me vlerë të 50 miliardë dollarëve, të cilat kanë përfshirë importet e rreth 800 importeve kineze, duke mos lënë jashtë listës as veturat. Kina është përgjigjur në mënyrë të njëjtë, duke njoftuar në po të njëjtin muaj për vendosje të tarifave prej 25 përqind të 659 produkte amerikane me vlerë të 50 miliardë dollarëve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping.

Me tarifat e reja, pothuajse gjysma e mallrave kineze në vlerë të 506 miliardë dollarëve, që importohen në Shtetet e Bashkuara, janë të prekura nga masat ndëshkuese amerikane, derisa tjerat rrezikohen t’i bashkohen listës.

Pse tarifa?

Uashingtoni është ankuar për një kohë të gjatë për praktika të padrejta tregtare nga ana e Kinës. Zyrtarët amerikanë janë përqendruar në planin zhvillimor të Pekinit “Made in China 2025”. Ky dokument i bën thirrje Kinës të zhvillojë kompanitë e saj në sektorët siç janë teknologjia informative, robotika, pajisjet hapësinore, makinat elektrike dhe produktet farmaceutike. Kompanitë amerikane dhe disa ndërmarrje tjera të huaja janë ankuar duke përmendur përpjekjet e Pekinit se po tenton t’i largojë ato nga tregu kinez.

Bazuar në Zyrën amerikane të Përfaqësuesve Tregtarë, taktikat e Kinës variojnë nga kërkesa drejtuar kompanive amerikane dhe ndërmarrjeve tjera nga vendet e huaja për të “ndarë” teknologjinë në mënyrë që të kenë qasje në tregun kinez, deri te vjedhja e qartë e pronës intelektuale.

Si ka reaguar Kina?

Disa orë pasi janë bërë publike tarifat e reja, Kina ka thënë se do të hakmerret. Ministria kineze e Tregtisë ka thënë se i duhet “të mbrojë të drejtat e saj legjitime së bashku me interesat, bazuar në rregullin ndërkombëtar për tregti të lirë”.

Muajin e kaluar, Kina ka prezantuar një listë me produkte amerikane në vlerë të 60 miliardë dollarëve. Pekini ka deklaruar se do të shtojë tarifat në masat ekzistuese nëse Uashingtoni vepron njëjtë.

Ministria e Financave ka konfirmuar se Kina do të nisë së aplikuari tarifat në produkte amerikane në vlerë të 60 miliardë dollarëve, mirëpo në norma më të vogla në krahasim me ato që kishte propozuar fillimisht.

Tarifat e reja do të nisin së aplikuari në shifrën prej 5 apo 10 përqind në krahasim me masën e propozuar në fillim prej 25 përqind, ka njoftuar ministria kineze në faqen zyrtare më 18 shtator.

Shembull, gazi natyror i lëngshëm, fillimisht ishte planifikuar të prekej nga tarifa prej 25 përqind, mirëpo tani masa do të ulet në 10 përqind.

Goditje në pikën e dobët të Kinës?

Sipas ekspertëve, tarifat mund të kenë kufizimet e tyre si armë e përdorur nga Pekini kundër Shteteve të Bashkuara dhe arsyeja është e thjeshtë: Kina eksporton më shumë në SHBA sesa që importon.

Një kamion transporton mallra në një port në Lianyungang të Kinës.
Një kamion transporton mallra në një port në Lianyungang të Kinës.

Deri më tani, Kina ka dëshmuar se nuk është dëmtuar nga tarifat e Trumpit, ka thënë profesori i ekonomisë në Universitetin e Merillendit, Peter Morici.

“Duke qenë se është ai lloj regjimi, Kina mund të përgjigjet ndaj tarifave të Trumpit. Pekini mundet që thjesht të bëjë ndryshime në valutën e saj apo të shtyjë përpara shpenzime shtesë për prodhuesit”, ka thënë Morici për Radion Evropa e Lirë.

“Vala e parë e sanksioneve nuk e ka dëmtuar Kinën ndonëse kanë qenë tarifa prej 25 përqind. Të rejat nisin me 10 përqind. Kështu që, Pekini nuk do të brengoset”, ka parashikuar ai.

Kush preket nga tarifat?

Në mesin e humbësve më të mëdhenj në konfliktin tregtar janë fermerët amerikanë që kultivojnë sojën, si dhe prodhues tjerë amerikanë. Këtyre masave nuk iu kanë shpëtuar as kompanitë që merren me pjesë të makinave.

Prandaj ekonomistët e Bankës së Amerikës Merrill Lynch, kanë paralajmëruar se sa më gjatë që vazhdon lufta në mes të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, ajo do të dëmtojë ekonominë amerikane.

Sipas tyre, ndërprerja e zinxhirit të furnizimit dhe ulja e besimit në biznese, mund të ndikojë që lufta tregtare të "nxisë recesion të plotë në ekonomi".

Dhe me sa duhet ndikimi i luftës tregtare është duke u zgjeruar përtej Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Oda Ekonomike e Bashkimit Evropian ka thënë më 18 shtator, se lufta tregtare SHBA-Kinë është duke dëmtuar kompanitë evropiane dhe është duke ndërprerë zinxhirin e furnizimit në nivel global.

Në një anketë të zhvilluar nga kjo Odë, 54 përqind e respodentëve kanë thënë se ata i konsiderojnë tarifat amerikane negative, derisa 43 përqind kanë menduar njëjtë për tarifat kineze.

“Efektet e luftës tregtare SHBA-Kinë në kompanitë evropianë në Kinë janë të mëdha dhe shumë negative”, ka thënë presidenti i Odës Ekonomike të BE-së, Mats Harborn.

Mirëpo Kina, shënjestra e masave amerikane, nuk është duke u dëmtuar ka thënë profesori, Peter Morici.

Çfarë pritet të ndodhë?

Kina është duke konsideruar mundësinë për dërgimin e një delegacioni në Uashington për bisedime të reja, ka raportuar South China Morning më 18 shtator, duke cituar një burim qeveritar në Pekin.

Mirëpo, kërcënimi i Trumpit për të vënë tarifa shtesë në mallrat kineze me vlerë të 267 miliardë dollarëve, në rast të hakmarrjes së Kinës, do të krijojë pak hapësirë për diskutim.

Të paktë janë ata që presin tërheqjen mbrapa nga ana e Kinës.

Oda Amerikane për Tregti në Kinë, ka thënë më 18 shtator se Pekini do të vazhdojë të jetë këmbëngulës, andaj ka bërë thirrje për negociata në mënyrë që të përfundojë konflikti tregtar.

Në një deklaratë, udhëheqësi i kësaj Ode, William Zarit ka thënë se “për dallim nga pikëpamjet e Uashingtonit, Kina mundet dhe do të këmbëngulë, prandaj ne nuk jemi optimistë për ndonjë zgjidhje në periudhë afatshkurtër”.

Në po të njëjtën kohë, një zyrtar i lartë kinez ka thënë se hapat tregtarë të SHBA-së kundër Kinës, nuk do të funksionojnë sepse Kina ka politika të mjaftueshme monetare dhe fiskale për të përballuar ndikimin.

“Presidenti Trump është biznesmen i ashpër dhe ai tenton t’i bëjë presion Kinës në mënyrë që të ketë kompromise nga negociatat tona. Mendoj se një strategji e tillë nuk do të funksionojë me Kinën”, ka thënë nënkryetari i rregullatorit të Sigurisë në Kinë, Fang Xinghai, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Ndërkohë profesori Morici ka parashikuar se edhe krijimi i ndonjë “bllokade”si pasojë e tarifave të Trumpit, nuk do të ndikojë në politikat ekonomike dhe ato tregtare të Pekinit.

“Nëse Trump ka përparësi në diçka, atëherë ajo është paparashikueshmëria. Mirëpo përmes tarifave, ai i ka treguar Kinës çfarë planifikon të bëjë andaj Pekini ka kohë për të reaguar”, ka thënë Morici, duke shtuar se rritja graduale e tarifave “nuk funksionon”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG