Përleshje të reja vdekjeprurëse kanë shpërthyer në zonën kufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit dhe të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të brishtë.
Banorët kanë ikur prej qytetit afgan Spin Boldak përgjatë natës, i cili gjendet në kufirin 2.574-kilometërsh mes dy vendeve.
Ka raportime për të plagosur në anën e Pakistanit.
Luftime sporadike kanë shpërthyer vazhdimisht mes dy palëve në muajt e fundit, derisa Qeveria e talibanëve në Afganistan e ka akuzuar Pakistanin edhe për kryerje të sulmeve ajrore brenda shtetit.
Të dyja palët kanë konfirmuar se kanë gjuajtur me armë në drejtim të njëra-tjetrës, mirëpo e kanë fajësuar palën tjetër për nisjen e luftimeve që kanë zgjatur disa orë.
Mosharraf Zaidi, zëdhënës i kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, i ka akuzuar talibanët për “të shtëna të paprovokuara”.
Ndërkohë, një zëdhënës i talibanëve ka thënë se Pakistani “ka iniciuar sërish sulme” dhe që Afganistani është detyruar më pas të përgjigjet.
Në pamjet e asaj zone është parë se një numër i madh afganësh janë larguar në këmbë dhe me makina për në qytezat fqinje, për shkak të frikës së rikthimit të konfliktit.
Përleshjet kanë shpërthyer më pak se dy muaj pasi të dyja palët janë pajtuar për armëpushimin e ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia.
Negociatat i kanë dhënë fund përleshjes më të rëndë mes Pakistanit dhe talibanëve prej kur grupi është kthyer në pushtet më 2021, ndonëse tensionet vazhdojnë të jenë të larta.
Qeveria në Islamabad i ka akuzuar që një kohë talibanët e Afganistanit se i kanë strehuar grupet e armatosura që kanë kryer sulme në Pakistanit.
Qeveria e talibanëve i hedh poshtë akuzat dhe akuzon Pakistanin se fajëson tjerët për “dështimet e veta në fushën e sigurisë”.
Javën e kaluar të dyja palët janë takuar në Arabinë Saudite në rundin e katërt të negociatave për të arritur një marrëveshje për paqe afatgjatë, por nuk është arritur asnjë marrëveshje.