Ndërlidhjet

Macron dhe Rohani do të punojnë drejt ruajtjes së paktit bërthamor


Presidenti iranian, Hassan Rohani (majtas) gjatë një takimi me përfaqësues francezë duke përfshirë homologun e tij nga Franca, Emmanuel Macron.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe presidenti iranian, Hassan Rohani janë pajtuar në një bisedë telefonike për të punuar së bashku në ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ka njoftuar zyra e Macronit, ndonëse lideri iranian ka insistuar se kushtet “nuk janë të negociueshme”.

Pallati Elysee ka thënë më 29 prill se Macron dhe Rohani janë pajtuar për të punuar “në javët e ardhshme në ruajtjen e përmbajtjes së marrëveshjes së vitit 2015 me të gjitha mekanizmat”.

Në njoftim është bërë e ditur se Macron ka propozuar që diskutimet të zgjerohen në mbulimin “e tri subjekteve të tjera të domosdoshme” siç është programi i Teheranit për raketa balistike, aktivitetet bërthamore pas vitit 2025 dhe “kriza kryesore në rajon” duke iu referuar Lindjes së Mesme.

Sidoqoftë Rohani i ka thënë Macronit se marrëveshja duhet të mbetet ashtu siç është dhe se kushtet janë “të panegociueshme”.

“Marrëveshja bërthamore dhe cilido subjekt është i panegociueshëm” është cituar të ketë thënë Rohani sipas presidencës iraniane.

“Irani nuk do të pranojë ndonjë kufizim përtej zotimeve të bëra”, ka shtuar presidenti iranian.

Deklaratat nuk kanë adresuar atë se si mund të ruhet marrëveshja aktuale nëse Irani kërkon të mos ketë ndryshime derisa presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur shqetësimet e tij të thella për këtë pakt.

Marrëveshja në fjalë i siguron Teheranit heqje të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Trump ka akuzuar Iranin për shkelje të shpirit të marrëveshjes duke testuar raketa balistike dhe duke financuar kryengritësit në rajon.

Rohani i ka treguar Macronit se ka gatishmëri për të nisur dialog për çështje rajonale.

“Irani është gati për të negociuar arritjen e stabilitetit dhe sigurisë, sidmos në luftimin e terrorizmit”, ka shtuar ai.

Këto komente kanë ardhur pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pomepo ka arritur në Izrael në kuadër të udhëtimit të tij në Lindje të Mesme, për të njoftuar aleatët rajonalë me kërkesat e Trumpit për rregullimin e atyre që presidenti amerikan i ka cilësuar si të meta të tmerrshme të paktit bërthamor.

“Nëse ne nuk e rregullojmë atë, Trump do të largohet nga marrëveshja”, ka thënë Pompeo para gazetarëve, pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Tel Aviv.

Nënshkrueset tjera të marrëveshjes, Franca, Britania, Gjermania, Rusia dhe Kina i kanë bërë thirrje Uashingtonit për të qëndruar në marrëveshje, ndonëse edhe shtetet Perëndimore kanë shprehur shqetësimet e tyre për kushtet e paktit.

Zyra e kryeministres britanike, Theresa May ka nisur një deklaratë duke thënë se May, Macron dhe kancelaraja gjermane, Angela Merkel janë pajtuar se marrëveshja bërthamore është mënyra më e mirë për të ndaluar aktivitetet bërthamore të Iranit, duke shtuar se e njëjta duhet të zgjerohet për të mbuluar edhe disa çështje tjera, duke përfshirë raketat balistike.

Macron ka vizituar së fundmi presidentin Trump në Uashington dhe të dy liderët kanë diskutuar për Iranin, përveç temave tjera.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG