Ndërlidhjet

Adoleshentët pak të interesuar për t'u vaksinuar 


Interesim i ulët për vaksinim kundër COVID-19 nga ana e adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut.
Interesim i ulët për vaksinim kundër COVID-19 nga ana e adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut.

Në Maqedoninë e Veriut vërehet interesim i ulët për vaksinim kundër COVID-19 nga ana e adoleshentëve. Më pak se gjashtë mijë adoleshentë të moshës nga 12 deri 18 vjeç janë vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër COVID-19. Imunizimi i adoleshentëve bëhet vetëm me vaksinat Pfizer.

Por, Nigjare Toska, thotë për Radion Evropa e Lirë se si nënë nuk ka pasur asnjë dilemë që ta vaksinojë vajzën e saj 15-vjeçare, pasi thekson se ka besim të plotë në vaksina dhe në asnjë mënyrë nuk ka rënë pre e lajmeve të rrejshme rreth vaksinave.

“Nuk kisha dilema. Mendoj se edhe nëse infektohet, më lehtë do ta kalojë virusin dhe nuk do të ketë pasoja. Si prind e kam ndier obligim ta vaksinoj vajzën time. Pasi në mungesës të vaksinës nëse i ndodh diçka vajzës do të fajësoja veten një herë dhe do ta fajësonim njëri-tjetrin me bashkëshortin. Po edhe vajza ime, Fjolla, dëshironte të vaksinohej. E shoh se ajo tani me dy doza të vaksinës ndihet më e lirë pasi ka shumë kontakte në shkollë”, tregon ajo.

Kundrejt numrit të ulët të vaksinimit të adoleshentëve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut së fundmi ka bërë të ditur se do të furnizohet edhe me 10 mijë vaksina të tjera kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5 deri në 12 vjeç.

Këto vaksina, të cilat pritet të arrijnë në vend gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm janë nga prodhuesi Pfizer, ku një e treta e dozës së të rriturve do të përdoret për fëmijët e vegjël (5 deri në 12 vjeç).

Por, Aleksandra Stevkovska, si nënë thotë se ende nuk ka vendosur nëse do ta vaksinojë djalin e saj 9-vjeçar. Stevskovska thotë se autoritetet duhet të japin më shumë informacione rreth vaksinimit të fëmijëve kundër koronavirusit të ri.

“Nuk jam dhe aq e sigurt, pasi nuk kam mjaftueshëm informacione. Njëherë do të konsultohem dhe do të mendohem mirë para se të vendos nëse do ta vaksinoj djalin kundër koronavirusit të ri”, thotë Stevkoska.

Mjekët pediatër theksojnë se është shumë i rëndësishëm imunizimi edhe i fëmijëve, pasi nga fillimi i vitit shkollor është vërejtur rritje e dukshme e rasteve pozitive me COVID-10 te fëmijët.

“Mendoj se nuk do të bëjmë asgjë nëse i mbrojmë vetëm të rriturit dhe, nga ana tjetër, i lëmë fëmijët të pambrojtur. Unë kam shumë raste në këtë moment kur fëmijët e shkollës e bartin virusin në shtëpi dhe infektojnë nënën, babanë dhe gjyshërit. Megjithëse, të gjithë ata janë të vaksinuar. Ne rrezikojmë dhe kthehemi në një rreth”, thotë Mira Atanasova, mjeke pediatër.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut thonë se për t’u vaksinuar fëmijët mjafton të vijnë në qendrat për vaksinim me ndonjërin nga prindërit, pa caktuar paraprakisht termin për vaksinim.

Nga kjo ministri në vazhdimësi bëjnë thirrje që prindërit të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi deri më tani vaksinat kundër COVID-19 në asnjë rast nuk kanë shënuar efekte negative.

Ndryshe, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) muajin e kaluar miratoi përdorimin e një doze më të ulët të vaksinës Pfizer për fëmijët e moshës prej 5 deri në 11 vjeç. Të njëjtën gjë më herët e aprovoi edhe Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Ndërkohë, shumica e vendeve të Evropës Perëndimore kanë filluar vaksinimin ose kanë njoftuar se do të miratojnë vaksinat Pfizer për fëmijët mbi moshën pesëvjeçare.

Deri më tani vetëm 48 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut është vaksinuar me dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, derisa 22 për qind e qytetarëve të vaksinuar mbi 60 vjeç kanë marrë edhe një dozë të tretë të vaksinës. Në bazë të të dhënave të dikasterit të shëndetësisë, numri më i madh i të infektuarve, rreth 68 për qind, janë persona të pavaksinuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG