Ndërlidhjet

Kuvendi ratifikoi fazën e parë të marrëveshjes për emrin


Protestuesit djegin marrëveshjen e emrit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Protestuesit djegin marrëveshjen e emrit

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar nevojën për ratifikimin e marrëveshjes për emrin e cila më pas kalon në komisionin për çështje evropiane, për t'u rikthyer sërish në procedurë parlamentare për miratim, më shumicë të thjeshtë të votave.

Marrëveshja më pas i dërgohet për dekretim presidentit, Gjorgje Ivanov, por ai tashmë disa herë ka bërë të ditur se nuk do të vë firmën në një “marrëveshje antikushtetuese që dëmton rëndë interesat kombëtare dhe shtetërore”.

Në rast të refuzimit, marrëveshja sërish kthehet për ratifikim në Kuvend dhe prapë i dërgohet për dekretim presidentit, i cili në bazë të Kushtetutës është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore.

Faza e parë e marrëveshjes ka kaluar me 69 vota për dhe 40 kundër.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në arsyetimin e marrëveshjes para deputetëve tha se me të zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Greqia në bazë të marrëveshjes është e obliguar që pasi të njoftohet se Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen, të njoftojë presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian se i jep mbështetje nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Gjithashtu, në bazë të marrëveshjes, Greqia është e obliguar të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së se i jep mbështetjes dërgimit të ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Andaj propozoj që të ratifikohet kjo marrëveshje, që të mund në samitet e radhës të NATO-së dhe BE të arrijmë këto qëllime”, tha Dimitrov, duke rikujtuar gjithashtu mundësinë që do të ketë qytetarët për t’u deklaruar në referendum në vjeshtë.

Por, Dragan Danev nga VMRO-DPMNE-ja tha se marrëveshja paraqet “kapitullim” për vendin, mohon identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me kulturën dhe indin maqedon.

Në shenjë pakënaqësie deputetët e opozitës kanë braktisur punimet e Kuvendit.

“Ne, deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do të marrim pjesë në këtë seancë që po zhvillohet me shkelje të rënda procedurale. Kjo marrëveshje paraqet akt kapitullues. Me këtë ndryshohet identiteti jonë me dëme ta pakthyeshme për të ardhmen tonë. Kjo Qeveri kapitulluese po tenton që edhe neve të na përfshijë në këtë akt kapitullues. Kjo marrëveshje është gjenocid modern ndaj shtetit tonë juridik”, ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Dragan Danev.

Por, debati parlamentar është përcjell edhe me protesta të cilat po zgjasin tani pesë ditë. Protestuesit deri në kalimin e fazës së parë kanë protestuar para Kuvendit, ndërsa më pas kanë vazhduar në drejtim të Qeverisë.

Protestuesit që përbëjnë në shtresë të moshuar të popullatës, por edhe disa ish-politikanë si dhe drejtues të një partie pro-ruse thonë se do të përdorin të gjitha metodat për të parandaluar zbatimin e marrëveshjes.

Për dallim prej të dielës në mbrëmje, protesta po zhvillohet e qetë, por me brohoritje dhe parulla të ndryshme si :“Maqedoni- Maqedoni”, “Dorëheqje”, “Tradhtar”, Emrin nuk e japim”, e të tjera.

“Duan të na bëjnë diçka që nuk jemi, duan të na ndajnë nga maqedonasit në shtetet tjera, duan të na zhbëjnë identitetin, gjuhën, kulturën maqedonase. Por, kjo nuk do të kalojë pasi jemi ne ata që do të parandalojmë marrëveshje të dëmshme për shtetin dhe kombin tonë”, ka deklaruar Sollza Gërçeva, një nga drejtueset e protestës.

Marrëveshja që parasheh emrin “Maqedonia e Veriut” u nënshkrua në Prespë, në pjesën e Greqisë. Me të përcaktohen edhe çështjen që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin, me çka pala maqedonase heq dorë nga çdo lidhshmëri me Maqedoninë Antike apo kulturën e saj, ndërsa pranon se gjuha maqedonase i takon grupit të gjuhëve sllave.

Me marrëveshje, Maqedonia heq dorë nga interesimi për maqedonasit jashtë vendit ndërsa gjithashtu pranon ndryshimin e emrave të të gjitha institucioneve që përmbajnë termin “maqedonase”.

Ratifikimi i marrëveshjes nga pala greke do të bëhet vetëm pasi Maqedonia të ketë ratifikuar dokumentin, të ketë ndryshuar Kushtetutën dhe e njëjta të jetë aprovuar në referendum.

Marrëveshja e arritur për emrin “Maqedonia e Veriut”, që do të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë vendit, është mbështetur fuqimisht nga perëndimi si BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, por përmes një kumtuese arritjes e saj e ka përshëndetur edhe Rusia.

XS
SM
MD
LG