Ndërlidhjet

Maqedonia dhe Serbia zbusin tonet - Vuçiq dhe Zaev bisedë telefonike


Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev

Maqedonia dhe Serbia të gjitha mospajtimet eventuale në raportet dypalëshe do t’i zgjidhin përmes dialogut. Ky është epilogu kryesori bisedës telefonike që zhvilluan të mërkurën në mesditë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në një komunikatë të përbashkët, dy drejtuesit e lartë shtetëror thanë se angazhohen për forcimin e raporteve mes dy vendeve.

Pa marrë parasysh qëndrimet e ndryshme politike në raport me çështje të rëndësishme politike dhe rajonale, Maqedonia dhe Serbia bashkërisht do të luftojmë për ballafaqimin, por edhe për avancimin e relacioneve miqësore të popullit maqedonas dhe atij serb, si dhe të qytetarëve të Maqedonisë dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Maqedonia dhe Serbia do të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve. Maqedonia dhe Serbia, në përputhje me të drejtën publike ndërkombëtare dhe në bazë të vullnetit të mirë do t’i mbrojnë interesat dhe të drejtat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të territoreve të tyre”, vijon komunikata.

Dy vendet gjithashtu do të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimit evropian dhe forcimin e raporteve të fqinjësisë së mirë, me çka do t’i kontribuojnë stabilitetit të rajonit”, thuhet në komunikatën e përbashkët prej katër pikave.

Presidenti serb të martën në mbrëmje në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit në Shkup të stafit diplomatik gjatë muajit shtator, por ka thënë se raportet me Maqedoninë më nuk do të jenë të nivelit më të lartë. Serbia akuzon Maqedoninë për përgjimin e diplomatëve të saj dhe se në mesin e të përgjuarve ka qenë edhe shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq.

Por, zëvendëskryeministri për çështje të integrimit evropian në Qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani tha se ende është herët të flitet për shkaqet e përkeqësimit të raporteve ndërsa përsëriti përcaktimin e Qeverisë së Maqedonisë për raporte të mira më të gjitha shtetet fqinje.

Raporti më fqinjët është një ndër sfidat dhe pengesat më të rëndësishme që ne i kemi në rrugën e integrimit. Ne nuk guxojmë të lejojnë as si Qeveri e as si shoqëri në përgjithësi, që në këtë moment historik të hapim tema të reja me fqinjët pasi ne po tentojmë që t’i mbyllim të gjitha temat me fqinjët. Kjo çështje është shumë sensitive andaj nuk guxojmë të lejojmë që të bëhet temë e politikës ditore”.

Vlerësoj se duhet të mbledhin të gjitha informacionet pasi ende situate është e mjegullt për arsyet e një vendimi të tillë”, thotë Osmani. Ai e ka përjashtuar mundësinë që çështja e Kosovës apo votimi pro i Maqedonisë për anëtarësimin e saj në UNESCO, të jetë shkas për tensionet me Beogradin.

Nuk mundet të jetë Kosova arsyeje për prishjen e raporteve. Qëndrimi i Maqedonisë në raport me Kosovën është i qartë në këtë drejtim dhe për ne është me rëndësi që t’i mbyllim të gjitha temat e hapura që i kemi me fqinjët tanë”, thotë Osmani.

Se Kosova nuk mund të jetë shkas për prishjen e raporteve me Serbisë e thotë edhe Risto Nikovski, ish-ambasador i Maqedonisë në Moskë. Ai thotë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO mund të jetë vetëm se alibi për Serbinë për të “luftuar” për forcimin e pozicionit të saj në rajon.

Përmendja e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në UNESCO janë vetëm se arsyeje apo shkëndija të vogla që mund të ketë çuar Serbinë në marrjen e një vendimi të tillë, por kjo mendoj se nuk është thelbi i problemit. Pra, pas gjithë kësaj qëndrojnë qëllime tjera të Serbisë për forcimin e rolit të saj në rajon, në kuadër të finalizimit të procesit post-jugosllav. Konsideroj se na pret një proces jo pak i vështirë në raport me Serbinë. Ajo u kërcënuar se do të ndryshojë vendimin për njohjen e emrit kushtetues të Maqedonisë”, tha Nikovski.

Mendoj se një vendim i tillë nuk paraqet fundin e botës, por si i tillë do të shkaktoj problem apo komplikime në politikën e jashtme të vendit”, shtoi tutje ai.

Lidhur me tensionet në relacionin Shkup-Beograd është prononcuar edhe Bashkimit Evropian duke shpresuar në zgjidhje paqësore të çështjeve kontestuese.

Komisioni Evropian i bën thirrje autoriteteve të Shkupit dhe Beogradit që të tregojnë përmbajtje dhe në rrugë paqësore t’i zgjidhin çështjet lidhur me tërheqjen e personelit të Ambasadës së Serbisë nga Shkupi”, transmetojnë mediat një deklaratë të zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

XS
SM
MD
LG