Ndërlidhjet

Maqedonia, në heshtje para referendumit


Njerëzit mbajnë në duar pankarta ku shkruan “Po për Maqedoninë evropiane”, gjatë një marshi në mbështetje të referendumit të 30 shtatorit . Prilep, 26 shtator, 2018.

Në Maqedoni nga mesnata e së enjtes ka hyrë në fuqi heshtja para votimit të së dielës për referendumin, i cili jo vetëm nga Qeveria në Shkup, por edhe nga personalitete të larta evropiane dhe amerikane është cilësuar si historik.

Rreth 1.8 milion votues janë ftuar që të deklarohen për Marrëveshjen me Greqinë, që parasheh riemërtimin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, me çka do t’i jepej fund kontestit 27-vjeçar me fqinjin jugor.

Greqia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ka kushtëzuar pranimin e Maqedonisë në këto organizata me ndërrimin e emrit të saj, pasi sipas Athinës, Maqedonia ka pretendime territoriale dhe kulturore ndaj rajonit grek me të njëjtin emër.

Me marrëveshjen e arritur, pala maqedonase ka pranuar se Maqedonia e sotme dhe maqedonasit që jetojnë në këtë vend, nuk kanë lidhshmëri me maqedonasit antikë, sikur që nuk ka lidhshmëri as gjuha e saj, për të cilët në marrëveshje thuhet se është pjesë e grupit të gjuhëve sllave.

Pikërisht përmbajtja e tillë e marrëveshjes ka shkaktuar ndasi të thella në Maqedoni. Dy blloqet, pushteti dhe opozita, forcën e tyre politike në fushatën tre javore e kanë përqendruar në daljen apo mosdaljen e qytetarëve në votime, por edhe në atë nëse marrëveshja mbron ose jo interesat kombëtare e shtetërore.

“Kjo marrëveshje është ajo për të cilën kanë luftuar baballarët tanë, gjyshërit e stërgjyshërit tanë. Përfundimisht, ne do të kemi shtet të pranuar nga të gjithë. Askush më nuk do ta kontestojë vendin tonë. Gjuha maqedonase do të ekzistojë sikur edhe kombi, kultura e tradita jonë. Maqedonia si asnjëherë më parë ka miq ndërkombëtarë dhe ajo është dëshmuar me vizitat shumta që kemi pasur gjatë kësaj periudhe për të na inkurajuar se jemi në rrugën e vërtetë, që garanton të ardhmen evropiane dhe perspektivë për qytetarët”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev në tubimin e të mërkurës në mbrëmje në qytetin e Prilepit.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë tubimit të mbajtur në Prilep.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë tubimit të mbajtur në Prilep.

Edhe pse referendumi është konsultativ, partitë qeverisëse të udhëhequra nga kryeministri, Zoran Zaev, synojnë që dalja të jetë mbi 50 për qind, por edhe sikur kjo të mos arrihet, kryeministri ka thënë se çështja do t’i kalojë Kuvendit për hapa të mëtejmë.

Opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja si dhe presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, Marrëveshjen për emrin e kanë quajtur “kapitulluese”.

“Nëse ky referendum kalon, pas disa viteve Greqia sërish do të na kushtëzojë me kërkesa tjera dhe në atëherë do të jemi me emër të ri, sikur edhe identitet tjetër, histori e arsim. Nëse referendumi kalon dhe miratohet Marrëveshja me Greqinë, ne me këtë do të flakim referendumin e vitit 1991. Nëse referendumi i atëhershëm ishte për pavarësi dhe shtet sovran, gjuhë, kulturë, e identitet maqedonas, ky referendum do të jetë për shuarjen e kombit, të gjuhës dhe identitetit”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

(Video: Emocione të fuqishme para mbajtjes së referendumit në Maqedoni)

Emocione të fuqishme para mbajtjes së referendumit në Maqedoni
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Fushatën e kanë përmbyllur edhe partitë shqiptare, të cilat pa përjashtim i kanë dhënë mbështetje Marrëveshjes me Greqinë dhe referendumit më 30 shtator. Por, opozita që përfaqëson Aleanca për Shqiptarët ka thënë se pas referendumit, kur në rend dite të vijnë ndryshimet kushtetuese do të propozojë amendamente për përmirësimin e statusit juridik të shqiptarëve, përfshirjen e tyre në preambulë si popull shtetformues dhe përcaktimin e gjuhës shqipe si zyrtare në Maqedoni.

Përveç partive, referendumi ka ndarë në qëndrime edhe njohësit e çështjeve juridike, por edhe ekspertët e fushave të ndryshme. Disa thotë se karakteri i referendumi, i cili është konsultativ, nuk e vë në dyshim marrëveshjen sikur edhe të mos arrihet pragu prej 50 për qind.

“Në rastin e referendumit konsultativ, sikur edhe të mos arrihet pragu, vendimin përfundimtar e sjell Kuvendi. Referendumi vendimtar është i obligueshëm dhe në këtë rast duhet të ketë prag të daljes në votime”, thotë Aleksandar Novakovski, ish-kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Por, sipas ekspertëve, pavarësisht kësaj, dalja në shifrën e mbi 50 për qind do të kishte peshën e madhe pasi nuk do të paraqiste alibi për kundërshtarët për vazhdimin e “betejës” kundër Marrëveshjes me Greqinë.

Zhvillimet në Maqedoni që nga arritja e marrëveshjes më 17 qershor, po ndiqen me interes të jashtëzakonshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë mbështetje marrëveshjes, por edhe duke inkurajuar qytetarët që të dalin në referendum, si mundësi e vetme “historike” për të ardhmen e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG