Ndërlidhjet

Hahn-Zaev: Referendumi, mundësi që nuk përsëritet


Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev edhe të martën ka përsëritur qëndrimin se nuk ka dëshmi mbi ndikime të mundshme të Rusisë në çështjen e referendumit, pavarësisht se këtë në vazhdimësi e kanë përsëritur zyrtarët e lartë ndërkombëtarë, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mattis tha se “nuk duam që ta shohim Rusinë duke bërë aty gjëra që ka tentuar t’i bëjë nëpër shtete të tjera. Nuk ka dyshim se ata kanë transferuar para në Maqedoni dhe do të bëjnë fushatë me ndikim të madh”.

“Faktet flasin se nuk kemi dëshmi apo argumente se Rusia ka ndonjë ndikim këtu në pjesën e referendumit. Është e vërtetë se Rusia nuk është lumtur me zgjerimin e NATO-s këtu në Maqedoni, por ajo nuk është kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian me gjithë Ballkanin Perëndimor".

"Pra, në përgjithësi ajo është kundër zgjerimit të NATO-s dhe këtë e thotë publikisht. Unë edhe një herë do të them se për Maqedoninë nuk ka alternativë përveç NATO-s dhe BE-së. Ne duam të ndërtojnë raporte të mira me të gjitha shtetet, përfshirë edhe Federatën Ruse”, ka deklaruar Zaev, duke bërë thirrje edhe njëherë për dalje në referendumi si shans historik për qytetarët e Maqedonisë që të ecin para drejt së ardhmes, zhvillimit dhe prosperitetit.

Këto komente Zaev i bëri pas takimit në Shkup me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë të BE-së, Johanes Hahn, duke njoftuar nisjen e procesit të verifikimit të kritereve të nevojshme për anëtarësimin në BE.

Komisioneri Hahn përsëriti pritjet e Brukselit për suksesin e referendumit në Maqedoni, si mundësi e vetme për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar me Greqinë dhe zhbllokimin e procesit euro-integrues.

“Nuk më pëlqen referenca IRJM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) dhe shpresoj se në të ardhmen do të ju drejtohem si Maqedonia e Veriut. Qytetarët do të kenë mundësinë që të përcaktojnë të ardhmen e tyre dhe vendimi do të ketë ndikim ndaj fëmijëve të tyre, nipërve dhe gjeneratave të ardhshme. Bëhet fjalë për vendim që duhet ta sjellin qytetarët dhe vendimi i tyre do të jetë mundësi për stabilitetin në rajon. Vetëm ju do të vendosni për këtë dhe nuk keni kohë për të humbur”, ka deklaruar Hahn.

Komisioneri Hahn tha se të hënën në mbrëmje është takuar edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickovski, të cilit si sikur edhe partive tjera i ka përcjellë porosinë për një përkushtim më të madh në çështjen e referendumit me të cilin, siç ka thënë, nuk bëhen lojëra politike.

“Tani nuk është koha për lojëra politike. Këtë ia kam thënë atyre, por edhe të gjitha partive tjera. Me rëndësi është që njerëzit të motivohen që të marrin pjesë në referendum dhe të realizojnë të drejtën demokratike. Ekzistojnë ndjenja personale, por më e rëndësishme është pjesëmarrja dhe vendimi që do të merret. Dua që sa më shumë njerëz të marrin pjesë në referendum, pasi kjo do të ishte një porosi e fuqishme për BE-në”, ka deklaruar Hahn.

Mesazhe të ngjashme kanë përcjell edhe përfaqësues tjerë ndërkombëtarë, si ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas si dhe ministri britanik për Evropë dhe Amerikë, Alan Duncan, të cilët në takimet më drejtuesit e institucioneve kanë inkurajuar daljen e qytetarëve në referendum dhe mbështetjen për procesin euro-integrues të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG