Ndërlidhjet

Zaev: Qëndrimi i opozitës për referendumin, mashtrues


Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, qëndrimin e partisë më të madhe opozitare, VMRO DPMNE- për të ftuar qytetarët të mos dalin të votojnë në referendumin e 30 shtatorit, e vlerëson si të dëmshëm për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Zaev gjithashtu ka refuzuar thirrjen e liderit të opozitës për duel televiziv deri sa Mickovski nuk heq dorë nga bojkoti i referendumit.

“Qëndrimet e tilla përfundimisht paraqesin mashtrim për të ardhmen e Maqedonisë. Pres nga ai që qartë dhe publikisht të deklarojë se është kundër bojkotit të referendumit. Unë veten e konsideroj si promotor të debatit".

"E ardhmja e Maqedonisë meriton të diskutohet për të gjitha çështjet, por bojkoti nuk paraqet asnjë bazë për debat”, ka deklaruar kryeministri Zaev i cili në një video paraqitje tjetër për opinionin edhe një herë ka ftuar qytetarët që të dalin në referendum dhe të votojnë për të ardhmen evropiane, perspektivën dhe mirëqenien e tyre.

Qëndrimin e VMRO-së që qytetarët të votojnë sipas bindjes së tyre, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka vlerësuar si qëndrim të avancuar nga qëndrimet e mëparshme të kësaj partie.

Ahmeti tha se pret që përmes këshillave të faktorit ndërkombëtar, VMRO-ja të reflektojë edhe më shumë sa i përket referendumit.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE-ja, vendimin që të mos bëjë thirrje për dalje apo mosdalje në referendumin e 30 shtatorit për marrëveshjen me Greqinë, e bëri të ditur të marten para mesnatës pas mbledhjeve maratonë të organeve më të larta partiake.

Mickovski tha se për çështjet madhore kombëtare nuk duhet të vendosin partitë, por populli dhe se çdo vendim që do të sjellë, do të pranohet nga partia e tij.

“VMRO DPMNE-ja ka vendosur që çdo qytetari t’i lihet që të veprojë sipas bindjeve të tija. Çdo individ të sjellë vendimin sipas ndërgjegjes dhe moralit të tij për të cilin vlerëson se është më i miri, para se gjithash për familjen e tij dhe Maqedoninë tonë të dashur. Maqedonia është gjithçka dhe partitë nuk do të vendosin. Për çështjet kombëtare do të vendosë kombi dhe para vendimit që do të marrë, të gjithë ne do të përulemi".

"Maqedonia nuk është vetëm e Mickovski dhe e Zaevit, apo nuk është vetëm se VMRO-së dhe e LSDM-së, por e çdo qytetari”, ka deklaruar kreu i VMRO-DPMNE-së, duke theksuar se marrëveshja për emrin me Greqinë, nga e cila varet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian, është e dëmshme për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

“Marrëveshja me Greqinë për ndryshimin e emrit është dokument, të cilin, unë dhe VMRO -DPMNE nuk e pranojmë pasi është jashtë parimeve tona dhe se çdokush e ka të qartë se me këtë marrëveshje ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë, ndryshohet identiteti institucional, si segment thelbësor i identitetit kombëtar të një populli, të një shteti".

"Me këtë marrëveshje ndryshohen dokumentet e udhëtimit. Me ketë dokument pranohet komisioni për shqyrtimin dhe revidimin e kulturës dhe traditës që në të ardhmen do t’i hap rrugën fqinjit jugor që të bllokojë integrimet euroatlantike kur të dojë dhe si të donë”, ka thënë Mickovski.

Ai ka shtuar se VMRO-ja mbështet fuqishëm si parti integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, ashtu siç e ka mbështetur që nga vendosja e pluralizmit, por edhe gjatë veprimit të saj para komunizmit, por se integrimi, sipas saj, nuk mund të pranohet duke rrënuar identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

XS
SM
MD
LG