Ndërlidhjet

Nis lëshimi i certifikatave sipas Marrëveshjes së Prespës


Foto ilustruese

Në bazë të Marrëveshjes së Prespës, e cila mbylli kontestin për çështjen e emrit me Greqinë, brenda javës ka filluar zbatimi i ndryshimeve në certifikatat e lindjes, kurorëzimit dhe ato të vdekjes që i lëshon Drejtoria për Libra Amë.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut thotë se realizmi i Marrëveshjes së Prespës po rrjedh pa pengesa në të gjitha fazat e parapara.

Drejtori i Drejtorisë për Libra Amë, Bujar Dardhishta, thotë për Radion Evropa e Lirë se në përputhje me dispozitat që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, në të gjitha certifikatat e lindjes, kurorëzimit dhe të vdekjes, në grafën që definon çështjen e shtetësisë, përkatësia e shtetësisë për shqiptarët do të shënohet si “E Maqedonisë /qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Pasi vendi ynë me Marrëveshjen me Greqinë ndryshoi emrin e shtetit, ne si Drejtori për udhëheqjen e Librave Amë, me ç`rast ne qytetarët i shërbejmë me ekstrakte të certifikatave të lindjes, kurorëzimit dhe të vdekjes, kemi për obligim t`u përmbahemi obligimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje edhe ne grafën që ka të bëjë me shtetësinë”.

“Në pajtim me nenin dy të ligjit kushtetues në grafën që ka të bëjë me shtetësinë, në certifikatat që do të jepen në gjuhën maqedonase, do të figurojë‘makedonsko’, ‘maqedonase’ / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse për qytetarët shqiptarë shtetësia do të shënohet si : “E Maqedonisë/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, sqaronDradhishta.

Fadil Zendeli, deputet nga Lëvizja Besa, e cila mbështeti ndryshimet kushtetuese për zbatimin e Marrëveshjes së emrit me Greqinë, pas ujdisë me shumicën parlamentare që çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit të jetë sipas formulimit /maqedonase/ qytetar i Maqedonisë së Veriut, ndërsa për shqiptarët /e Maqedonisë/ qytetar i Maqedonisë së Veriut, pret që me ligj të rregullohet edhe çështja e kartave të identitetit, me çka në to do të shtohet edhe një grafikë, ajo e përkatësisë etnike.

“Pres që Qeveria e Maqedonisë së Veriut në fazën e ardhshme të tregojë kapacitet që të respektojë me përpikëri marrëveshjen që ne e bëmë si Lëvizja Besa me Qeverinë që edhe në dokumentet personale të përcaktohet etniteti, duke pasur parasysh se përgatitemi si shtet që të hyjmë në fazën e regjistrimit të popullsisë. Besoj se kjo çështje paraqet një moment të rëndësishëm që nënkupton zgjidhjen e çështjes së dokumenteve personale për qytetarët para se të filloj realizmi i procesit të regjistrimit”, thotë Zendeli për Radion Evropa Lirë.

Ndërkaq, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se në proces është realizimi i Marrëveshjes së Prespës sipas dinamikës së paraparë.

“Përfundimisht, prerogativë i të dyja palëve është që të ndjekin jetësimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve mes dy vendeve fqinje. Aktivitetet nga marrëveshja përfundimtare realizohen në përputhje me parametrat e paraparë të përcaktuar në këtë dokument”, theksojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, më shumë se 100 institucione shtetërore, publike dhe ato të cilat financohen nga buxheti i shtetit, kanë ndryshuar emrin duke shtuar parashtesën “Veriore”(Severna Makedonija), ose disa të tjera parashtresën “kombëtare”.

Ekspertë thonë se realizmi i Marrëveshjes së Prespës në masë të madhe varet dhe nga strukturat udhëheqëse mes dy vendeve fqinje, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

XS
SM
MD
LG