Ndërlidhjet

May dhe BE-ja japin garanci të reja për Brexit-in


Kryeministrja britanike, Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se ka siguruar ndryshime “ligjërisht të obligueshme” në planin e saj për Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Njoftimi u bë të hënën vonë në Strasburg, ku May takoi presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Parlamenti britanik pritet të votojë sot, për herë të dytë, marrëveshjen e Mayt për Brexit-in, të arritur me Bashkimin Evropian, në nëntor të vitit të kaluar.

Ligjvënësit e kanë refuzuar këtë marrëveshje në muajin janar, kryesisht për shkak të një barriere fizike në ishullin e Irlandës. Me këtë barrierë do të garantohej se nuk do të ketë kufi të fortë midis Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, edhe nëse nuk ka marrëveshje për tregtinë dhe sigurinë.

Sipas kësaj politike, edhe nëse nuk do të kishte marrëveshje të zbatueshme për çështje të tilla, Irlanda e Veriut do të mbetej në bashkimin doganor dhe në pjesën më të madhe të tregut të BE-së.

Edhe pse BE e ka paraqitur këtë si politikë të përkohshme që ofron siguri, mbështetësit e Brexit-it janë shprehur kundër saj, duke thënë se ajo do ta mbante Britaninë të lidhur ngushtë me BE-në.

Në bisedimet e Mayt me Junckerin dhe kryenegociatorin e BE-së për Brexit, Michel Barnier, u ra dakord për dy dokumente, të cilat u tha se do të përmirësojnë marrëveshjen për Brexit.

Dokumenti i parë ka të bëjë me një instrument ligjërisht të obligueshëm, i cili, siç tha May, mund të përdoret për të nisur “diskutim formal” kundër BE-së, nëse kjo e fundit përpiqet ta mbajë Britaninë të lidhur për barrierën në Irlandë për kohë të pacaktuar.

Dokumenti i dytë është një "deklaratë e përbashkët" për zëvendësimin e barrierës me aranzhime alternative deri në dhjetor të vitit 2020.

May tha se ligjvënësit britanikë kanë kërkuar ndryshime ligjore për barrierën. “Sot i kemi siguruar ndryshimet ligjore”, tha ajo.

“Tani është koha që të mblidhemi bashkë dhe ta mbështesim këtë marrëveshje të përmirësuar të Brexit-it dhe të përmbushim udhëzimin e dhënë nga populli britanik”, shtoi May.

Kryeministrja britanike, Theresa May, dhe udhëheqësi i laburistëve opozitarë në Parlamentin britanik, Jeremy Corbyn.
Kryeministrja britanike, Theresa May, dhe udhëheqësi i laburistëve opozitarë në Parlamentin britanik, Jeremy Corbyn.

Edhe pas këtyre njoftimeve, udhëheqësi i laburistëve opozitarë në Parlamentin britanik, Jeremy Corbyn, kërkoi që të votohet kundër marrëveshjes, duke thënë se negociatat e kryeministres May kanë dështuar.

Juncker paralajmëroi se nëse marrëveshja për Brexit hidhet poshtë, “nuk do të ketë shans të tretë”.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars.

Vendimi pason një referendum të vitit 2016, në të cilin qytetarët britanikë kanë votuar pro Brexit-it.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG