Ndërlidhjet

May kërkon ndihmën e BE-së për Brexitin


Kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Bashkimi Evropian e ka hedhur poshtë mundësinë e ridiskutimit të Marrëveshjes për daljen e Britanisë së Madhe nga blloku.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May po ndërmerr një tur bisedimesh me udhëheqës evropianë, në përpjekje për të bindur rinegocimin e marrëveshjes, pasi Parlamenti britanik ka dhënë shenja se nuk do ta votojë marrëveshjen aktuale.

Një dalje e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje do të trazonte tregjet financiare dhe tregtinë.

Kryeministrja May takoi të martën në mëngjes kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, i cili tha se bisedimet ishin të dobishme. May pritet të takojë edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel nga e cila do të kërkojë mbështetjen për rinegocimin e marrëveshjes.

Megjithatë, zyrtarë të BE-së, e kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë ndryshime të marrëveshjes, mirëpo kanë shprehur gatishmërinë të ndihmojnë Britaninë në miratimin e saj në Parlament.

*Video: Brexit-i: Ndodh, nuk ndodh...

Brexit-i: Ndodh, nuk ndodh...
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:09:29 0:00

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se 27 vendet tjera të BE-së nuk do të rinegociojnë marrëveshjen me Britaninë, por se udhëheqësit e këtyre vendeve, do të ndihmojnë Britaninë në ratifikimin e saj.

Ndërkaq kreu i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker tha se nuk ka asnjë hapësirë për rinegocim të marrëveshjes.

Të hënën kryeministrja May vendosi papritmas të shtyjë votimin për Brexit, marrëveshje kjo e arritur me Brukselin gjatë muajit nëntor. May tha se po kthehet në Bruksel, për të marrë garanci ligjërisht detyruese, se Britania nuk do të jetë e bllokuar në masa mbrojtëse në kufirin e Irlandës së Veriut, për një kohë të pacaktuar.

Kufiri irlandez ishte çështja me e diskutuar gjatë debatit parlamentar.

"Nuk do të ketë Brexit të qëndrueshëm dhe të suksesshëm pa një kompromis prej të dyja palëve të debatit. Këta ligjvënës që e kundërshtojnë marrëveshjen duhet të tregojnë përgjegjësi duke ofruar një zgjidhje që mund të procedohet, pa iu shmangur ndikimeve që mund të ketë. Pra, nëse dëshironi një referendum të dytë për të përmbysur rezultatet e të parit, bëhuni të sinqertë dhe pranojeni se ky rrezik e ndanë vendin sërish”, tha kryeministrja May gjatë debatit në Parlamentin britanik.

Ligjvënësit reaguan me zemërim ndaj vendimit për shtyrje të votimit të marrëveshjes.

Udhëheqësi i laburistëve në opozitë, Jeremy Corbyn, tha se kryeministrja May “e ka humbur kontrollin e ngjarjeve”.

“Kjo është një marrëveshje e keqe për Britaninë, për ekonominë dhe një marrëveshje e dëmshme për demokracinë tonë. Vendi ynë meriton më mirë” tha Corbyn.

Pa një marrëveshje për dalje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, do të ketë pasoja për ekonominë e pestë më të madhe në botë si dhe do të jetë përcaktues nëse Londra mund të mbajë vendin e saj si një nga dy qendrat kryesore financiare në botë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG