Ndërlidhjet

Theresa May përballet me votë mosbesimi në prag të votimit për Brexit-in


Kryeministrja britanike gjatë fjalimit para gazetarëve

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, do të përballet me votë mosbesimi të mërkurën, për shkak të marrëveshjes për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, që pritet të votohet në Parlamentin britanik.

Gjatë një adresimi para gazetarëve, May tha se "do të kontesoj votën me gjithë fuqinë që kam".

May shtoi se një kryeministër i ri do të duhej të anulonte ose të zgjeronte Artikullin 50, mekanizëm që e largon Britaninë nga Bashkimi Evropian më 29 mars, që mund të shkaktojë vonesë apo edhe anulim të Brexit-it.

Votimi në Parlamentin britanik pritet të ndodhë të mërkurën pasdite në mes të orës 18:00 dhe 20:00 me orë lokale të Britanisë.

Kryeministrja May tha se ndryshimi i liderit të Partisë Konservatore do të çonte "vendin në rrezik dhe do të krijonte paqartësi në kohën kur më së paku na duhet".

"Zgjedhjet për lidershipin e ri nuk do të ndryshonin bazën fundamentale të negociatave apo ritmin e Parlamentit".

"Javët që mund të kalojmë duke shkatërruar veten mund të krijojnë më shumë ndarje në kohën kur ne duhet të qëndrojmë së bashku për t'i shërbyer vendit. Asnjëra nga këto nuk do të ishte në interesin kombëtar", tha May gjatë fjalimit.

May shtoi se është duke bërë progres në bisedimet me liderët e Bashkimit Evropian dhe u zotua për të "çuar përpara votën e referendumit dhe të shfrytëzojë mundësitë e reja që vijnë ".

Konservatorët duhet të ndërtojnë një "shtet që funksionon për të gjithë" dhe të çojnë përpara "votën e Brexit-it për të cilën ka votuar populli", tha ajo.

"Unë jam përkushtuar tërësisht ndaj kësaj detyre që kur mora postin e kryeministres dhe qëndroj e gatshme të përfundoj punën", tha May.

Sfida e pozitës së kryeministres May vjen pas dorëzimit të 48 letrave për kontestim që janë dorëzuar nga ligjvënësit.

Ish ministri Owen Paterson, tha se May është "mjerisht e përkushtuar të qëndrojë prapa marrëveshjes që nuk do të kalojë në Parlament dhe më keq, nëse nuk kalon, ajo do të humbiste përkrahjen e Partisë së Bashkimit Demokratik, që mund të çojë në zgjedhje të përgjithshme".

Theresa May, që ka shërbyer si kryeministre e Britanisë që nga periudha kur populli britanik votoi për dalje nga Bashkimi Evropianmë 2016, është përballur me kritika nga partia e saj për planin e Brexit-it të cilin e ka negociuar.

Rezultati i votimit të mbyllur mund që të kumtohet rreth orës 21:00, në kohë lokale, mund të përmbyset vetëm nëse May arrin të fitojë shumicën në favor të saj.

Nëse ndodhë kjo, May nuk mund të përballet me votë mosbesimi për të paktën edhe një vjet tjetër.

Nëse May nuk fiton shumicën, atëherë do të përballet me garën për lidershipin e partisë, në të cilën ka dobësim të përkrahjes.

Opsioni i fundit është edhe përkundër fitores së mundshme të Theresa May, ajo mund të vendos të tërhiqet nga drejtimi i partisë.

Përgatiti: Flandra Marmullaku
XS
SM
MD
LG