Ndërlidhjet

May në krizën më të madhe të qeverisjes


Kryeministrja britanike, Theresa May
Kryeministrja britanike, Theresa May

Kryeministrja britanike, Theresa May, po përballet me krizën më të madhe në qeverisje, pasi një projekt-marrëveshje me Bashkimin Evropian provokoi dorëheqje të ministrave të lartë dhe rebelim në partinë e saj.

Më shumë se dy vjet që kur Mbretëria e Bashkuar votoi për të lënë BE-në në një referendum, është ende e paqartë se si, në cilat kushte apo edhe nëse do të largohet nga BE-ja, siç është e planifikuar, më 29 mars, 2019.

May, qëkur është bërë kryeministre pas referendumit të vitit 2016, ka bërë përpjekje për të negociuar një marrëveshje me BE-në që siguron se Britania do të largohet në mënyrën më të butë të mundshme.

Por, ministri për Brexit – apo daljen e Britanisë nga BE-ja – Dominic Raab, dha dorëheqje për shkak të projekt-marrëveshjes, duke nxitur rebelim të mëtejshëm. Ligjbërësit në partinë e Mayt e sfiduan haptazi udhëheqjen e saj dhe thanë se marrëveshja për Brexit nuk do të kalojë në Parlament.

Ligjvënësit britanikë do të votojnë në fillim të dhjetorit projekt-marrëveshjen me BE-në, pasi që udhëheqësit evropianë ta nënshkruajnë atë në një samit të posaçëm më 25 nëntor.

Brexit pritet ta fusë ekonominë e pestë më të madhe në botë në ujëra të panjohur. Shumë kanë frikë se do ta ndajë edhe Perëndimin, i cili, siç vlerëson agjencia e lajmeve Reuters, po përballet me një presidencë të pazakonshme të Shteteve të Bashkuara dhe me fuqinë në rritje të Rusisë dhe Kinës.

Në kohën e trazirave më të mëdha politike që nga kriza e Kanalit të Suezit më 1956, kur Britania është detyruar nga Shtetet e Bashkuara të tërheqë trupat e veta nga Egjipti, rezultati përfundimtar mbetet i pasigurt.

Skenarët përfshijnë: Marrëveshja e Mayt miratohet; May humb punën; Britania lë BE-në pa marrëveshjes; ose, edhe një referendum tjetër.

BE-ja dhe Britania kanë nevojë për një marrëveshje për të ruajtur qarkullimin e tregtisë midis bllokut më të madh tregtar në botë dhe Mbretërisë së Bashkuar, që është qendër e madhe financiare ndërkombëtare.

Mbështetësit e Brexit-it thonë se divorci mund të sjellë një paqëndrueshmëri afatshkurtër, por, në afat më të gjatë, do t’i mundësojë Britanisë të lulëzojë.

Megjithatë, duke bërë përpjekje që t’i ruajë lidhjet më të afërta të mundshme me BE-në, May i ka zemëruar shumë bashkëpartiakë të saj që duan divorc të pastër.

May mund të përballet me votë besimi nëse së paku 48 ligjvënës konservatorë – 15% të partisë parlamentare – e kërkojnë atë me letra zyrtare.

Një shumicë prej 315 deputetësh do të duhet të votojë pastaj kundër Mayt për ta larguar atë – një perspektivë kjo e largët në sytë e shumë komentuesve.

Por, nëse deputetët e kundërshtojnë marrëveshjen e Mayt, një gjë e tillë mund të çojë edhe në zgjedhje të përgjithshme – që zakonisht mbahen çdo pesë vjet, por që mund të thirren në rrethana të jashtëzakonshme.

Një tjetër rezultat i refuzimit të marrëveshjes, nëse nuk ka negociata të reja me BE-në, është largimi i Britanisë nga blloku pa marrëveshje.

Në këtë rast, lidhjet ligjore, të sigurisë dhe ekonomike me BE-në do të shkëputeshin më 29 mars, 2019 – potencialisht duke ndërprerë fluturime, duke lënë emigrantë pa të drejta dhe duke bllokuar mallra në kufij.

Në Britani ka po ashtu gjithnjë e më shumë thirrje për një referendum të dytë, me mundësinë e mbetjes në Bashkimin Evropian. Por, sipas vëzhguesve, edhe aritmetika parlamentare, edhe koha e kufizuar janë pengesa.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG