“Prokuroria nuk gjeti lidhje mes rregulloreve të UÇK-së dhe krimeve në aktakuzë”
Avokati Ellis thotë se:
“Shumica e dëshmitarëve folën për një rregullore të përgjithshme ku caktoheshin detyrat e policisë ushtarake dhe më pas Prokuroria e përktheu siç deshi. Shumica e provave nuk kanë vërtetuar për ndonjë praktikë të pamëshirshme në terren. Prokuroria nuk e vërteton argumentin e saj, sepse në fakt ajo nuk e ka trajtuar thelbin e argumentit”.
Ai, gjithashtu, i ka bërë thirrje trupit gjyqësor që t’i marrë me shumë rezerva dëshmitë e disa dëshmitarëve që i ka ftuar Prokuroria, pasi, sipas avokatit “99 për qind e dëshmitarëve nuk e kanë parë asnjë rregullore”.
Çështja e komunikatave të UÇK-së
Avokati Ellis tani po i trajton pretendimet e Prokurorisë se komunikatat e UÇK-së kanë kontribuuar në ndalimet e personave në zonën e Llapit.
“Dëshmia e vetme e rëndësishme, sipas saj, është vetëm ajo që ka thënë komandanti i zonës, Rrustem Mustafa... përgjigja e tij përfundimtare ka qenë shumë e qartë, ai ka thënë se arsyeja kryesore që janë trajtuar personat që kanë penguar punën e UÇK-së ka qenë arsyeja ushtarake. Atij nuk i kujtohet asnjë komunikatë konkrete që t’i ketë dhënë atij autorizim që t’i trajtonte këta persona. Më pas, ai tha se nuk i nevojitej leje prej askujt që të ndalonte persona në zonën e tij. Ishte mbret i mbretërisë së tij. Ky ishte thelbi i dëshmisë së tij dhe, sipas nesh, kjo krijon dyshim të arsyeshëm sa i përket lidhjes së pretenduar shkakësore me zonën e Llapit".
Sipas avokatit, Prokuroria është përpjekur që ta mbulojë këtë “problem të dukshëm” duke thënë në dosjen e saj se “dëshmia e Rrustem Mustafës është qarkore dhe kontradiktore”.
"Nëse dëshmitari i Prokurorisë është kontradiktor, atëherë Prokuroria nuk ka arritur t'i vërtetojë argumentet e veta".
Nis shpalosja e argumenteve
Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis e ka nisur fjalën e vet duke thënë se Prokuroria nuk e ka vërtetuar nëse ka një lidhje shkakësore që i atribuohen Krasniqit dhe akuzave në aktakuzë.
Ai e ka kritikuar Prokurorinë që ka shpalosur argumente të reja gjatë deklaratave përmbyllëse, kur procesi veç po shkon drejt fundit.
“Duke mos u treguar deklaratat dëshmitarëve që lidhen me këto dëshmi, Prokuroria nuk ka të drejtë të dalë me përfundimin se deklaratat janë shpërndarë në mënyrë të gjerë, janë lexuar, se janë marrë masa në bazë të tyre apo që kanë kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në kryerjen e krimeve”.
Nis seanca
Të pranishëm në sallë janë të akuzuarit.