Ndërlidhjet

Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë.
Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë.

Çfarë ndodhi në ditën e gjashtë të deklaratave përmbyllëse në Hagë?

• Sot u mbajt seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.

• Mbrojtja e të akuzuarve argumentoi se nuk ka prova për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që ata të shpallen fajtorë.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

12:02 16.2.2026

Mbrojtja e Krasniqit drejt përfundimit të deklaratave

Avokatja Alagendra Venkateswari është rikthyer edhe një herë për të përmbledhur fjalën në emër të mbrojtjes së Krasniqit.

Alagendra Venkateswari.
Alagendra Venkateswari.

11:59 16.2.2026

"Prokuroria u mbështet në prova në prova të dorës së dytë, thashetheme..."

Pjesë nga fjala e avokatit të Krasniqi:

"Prokuroria nuk e ka vërtetuar ekzistencën e një politike qendrore të miratuar të UÇK-së për t’i shënjestruar bashkëpunëtorët dhe nuk e ka demonstruar lidhjen në mes të politikës së pretenduar të Krasniqit. Provat vërtetojnë stigmën sociale që ekzistonte përpara luftës, sjelljen e decentralizuar dhe shpeshherë kaotike gjatë saj, si dhe mbështetjen e gjerë në prova të dorës së dytë, thashetheme apo citime, dhe jo fakte".

11:43 16.2.2026

Për krijimin e UÇK-së

Mbrojtja e Krasniqit tani thotë se pretendimi i Prokurorisë se ai dhe anëtarë tjerë të UÇK-së ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën, përmes kryerjes së krimeve, nuk qëndron kur të analizohen të gjitha provat.

“UÇK nuk u krijua si organizatë që synonte marrjen e pushtetit, ajo u ngrit si një lëvizje mbrojtëse e krijuar si përgjigje ndaj kërcënimit ekzistencial dhe të menjëhershëm më të cilin përballeshin shqiptarët e Kosovës, civilët, të cilët pësonin nga dhuna dhe shtypja e forcave serbe”.

Mbrojtja thotë se “UÇK-ja lindi pas disa vjetëve të diskriminimit, dhunës dhe heqjes së plotë të mbrojtjeve institucionale dhe ligjore për shqiptarët e Kosovës”.

“UÇK kishte synim të përbashkët çlirimin e Kosovës nga forcat serbe dhe mbrojtjen e popullsisë civile. Asnjëri synim nuk kishte qëllim kriminal”.

11:12 16.2.2026

Pika e radhës: Roli i Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së

Sipas avokatit Ellis, Prokuroria në mënyrë të gabuar ka bërë përpjekje që të lidhë praninë e Krasniqit në disa vende krimesh të pretenduara, me kryerjen e krimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve.

“Ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë bazën dhe pa konfirmuar që prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht që ka qenë i pranishëm, nuk mund të pretendohet se ekziston një provë”, ka deklaruar avokati.

“Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që e ka zhvilluar një vizitë në zonën e Llapit në gusht të vitit 1998, por Prokuroria nuk e vërteton që delegacioni të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që Krasniqi të jetë informuar për ndalime personash. Prokuroria pretendon se Krasniqi ka kaluar edhe në Bajgorë gjatë asaj vizite. Kjo nuk mjafton që të dilet në përfundimin se ai ka pasur dijeni për ndalimet e personave atje”.

Sipas avokatit, “Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që Krasniqi ka kontribuuar për krimet që janë kryer në cilësinë e tij si zëdhënës”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG