Ndërlidhjet

Me miq si këta…


Ilustrim.

Ky është mesazhi nga Brukseli për vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian: Neve në fakt nuk na duheni tani. E në të ardhmen? Epo, ndoshta. Mirëpo mos na kërkoni. Ne do t’iu kontaktojmë juve. Sa u përket shteteve në lindje të bllokut evropian, sikurse, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina? Ju lutem harrojeni këtë gjë edhe për shumë kohë.

Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është në rrezik për ekzistencë dhe ndonëse askush nuk e thotë zëshëm, disa do të dëshironin ta shihnin atë të vdekur.

E gjithë kjo mund të tingëllojë dramatike mirëpo megjithatë ende ka mbështetës të zgjerimit të BE-së, qoftë në kryeqytetet evropiane, ashtu edhe në disa prej vendeve anëtare.

Në Komisionin Evropian, që shqyrton çështje të zgjerimit në baza ditore, ka shumë persona që konsiderojnë këtë politikë si armën më të fortë të BE-së, për të transformuar fqinjtë më të afërt të bllokut evropian në shtete demokratike, madje edhe për t’i kthyer në anëtarë të vlefshëm të këtij trupi.

Pavarësisht kësaj, procesi i zgjerimit është duke vazhduar. Mali i Zi dhe Serbia janë zyrtarisht kandidate për anëtarësim, dhe tashmë kanë nisur procesin e bisedimeve. Mali i Zi, që gjendet më së afërti në listë për t’u kthyer në anëtar të BE-së, duhet që kësaj vere të harminizojë 33 kapituj që përfshijnë politika dhe rregullore të ndryshme, ndonëse deri më tani ka përfunduar pjesërisht vetëm tre të tillë.

Më herët gjatë këtij muaji, 13 shtete anëtare të BE-së, kanë publikuar një letër që shprehte entuziazmin e këtyre shteteve dhe gatishmërinë për t’iu hapur dyert vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Një gjë e tillë tingëllon mirë, por ka dy probleme në thellësi: së pari, pse në këtë letër janë përfishrë më pak se 28 vende anëtare? Dhe e dyta, shikoni këto 13 shtete. Vetëm dy prej tyre konsiderohen shtete të vjetra anëtare, në aspektin që janë anëtarësuar në BE në shekullin e kaluar: Austria dhe Italia.

Dhe një disponim i tillë për zgjerim nuk është duke u parë momentalisht në Bruksel.

Roma qeveriset nga dy parti populiste që krijojnë të gjitha problemet e mundshme në BE, derisa Vjena është pa qeveri, prej kur një video e shpërndarë në muajin maj, tregonte se si ish zëvendës-kancelari dhe figura e të djathtës ekstreme, Heinz-Christian Strach, i ka ofruar kontratë një përfituesi rus, në këmbim të donacioneve politike.

Pjesa tjetër e vendeve në listë, janë ose shumë të reja për të pasur ndikim siç janë, Kroacia, Malta, Sllovenia dhe vendet e Baltikut, ose po përballen me probleme ligjore siç janë shtetet e Vishegradit.

Zyrtarët në Bruksel zakonisht deklarojnë se kjo situatë është krijuar si pasojë e sjelljes së vendeve të anëtarësuara së fundmi në pjesën lindore, çka ka zvogëluar dëshirën për zgjerim në pjesë perëndimore.

Prandaj vendet e Ballkanit Perëndimor, apo edhe fqinjtë lindorë, nuk konsiderohet se i kanë punët mirë, nëse mbështetësit e tyre kryesore gjenden në mesin e këtyre 13 vendeve.

Sa i përket letrës, ajo konsiderohet të jetë publikuar, pasi ka qenë e qartë që disa vende kyçe të BE-së, sikurse, Franca, Gjermania dhe Holanda kanë treguar se nuk kanë gatishmëri për të nisur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

E njëjta situatë ka ndodhur vitin e kaluar. Për BE-në nuk ka aspak rëndësi pse këty dy shtete të Ballkanit kanë kryer reforma të mëdha, dhe se Shkupi ka nënshkruar marrëveshje historike me Greqinë për t’i dhënë fund kontestit për emrin.

Shumë thjeshtë, zyrtarët evropianë kanë shtyrë datën e marrjes së vendimit në fund të tetorit, pa dhënë ndonjë garanci nëse përgjigjja do të jetë pozitive.

Por nuk përfundon me kaq. Parisi dhe Berlini kanë shtyrë Komisionin Evropian që të publikojë paketën e zgjerimit, pas mbajtjes së zgjedhjeve për Parlametin Evropian në muajin maj, në mënyrë që të mos nxisin elemente populliste gjatë votimit.

Këto dy vende po ashtu kanë parandaluar nxjerrjen e një deklarate që do të shënonte 10-vjetorin e Partneritetit Lindor të BE-së, për të rikujtuar synimet e Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës për anëtarësim.

Arguementi i këtyre vendimeve ka qenë se tani nuk është koha e zgjerimit të BE-së. Sipas tyre është koha e thellimit të lidhjeve në bllokun evropian, bashkimi në të përballurit me pasojat e largimit të Britanisë nga BE-ja, si dhe me situatën e krijuar pas valës së migrimit më 2015.

Prandaj pika më shqetësuese e këtyre vendimeve për shumë persona është se edhe vetë liderët liberalë, si presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe deri diku edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbështesin zëshëm këtë politikë.

Me miq të tillë, ku mund të drejtohen shtetet si Maqedonia e Veriut dhe Ukraina, në mënyrë që të gjejnë bashkëpunëtorë më të mirë?

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG