Ndërlidhjet

OKB: Numri i refugjatëve ukrainas kaloi dy milionë


Polonia ka numrin më të madh të refugjatëve ukrainas: mbi 1.2 milion.
Polonia ka numrin më të madh të refugjatëve ukrainas: mbi 1.2 milion.

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, tha se numri i njerëzve të zhvendosur nga lufta në Ukrainë, ka kaluar dy milionë.

Grandi foli të martën në një konferencë për media në Oslo, pasi vizitoi Moldavinë, Poloninë dhe Rumaninë - të tria vende mikrpritëse të refugjatëve ukrainas.

Refugjatët arritën këtë shifër vetëm në ditën e 13-të luftës.

Grandi tha se për krahasim, luftërat ballkanike në Bosnje dhe Kosovë kanë shkaktuar dy-tre milionë të zhvendosur, por “në një periudhë prej tetë vjetësh”.

Derisa pjesë të tjera të botës kanë parë këso situatash, shtoi Grandi, “në Evropë është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Pjesa më e madhe e refugjatëve ukrainas ka hyrë në Poloni.

Roja Kufitare Polake tha të martën se mbi 1.2 milion ukrainas kanë hyrë në këtë vend - mbi 141,500 prej tyre vetëm të hënën.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.

  • Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
XS
SM
MD
LG