Ndërlidhjet

Misteri i fondeve që shteti i Serbisë ndan për Qendrën Serbo-Ruse në Nish


Stërvitje në Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish më 14 shkurt 2020.
Stërvitje në Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish më 14 shkurt 2020.

Gjatë katërmbëdhjetë vjetëve të ekzistencës së Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish, autoritetet në Serbi nuk japin llogari për financimin e saj.

Teksa Qendra, institucionet e Serbisë dhe Ambasada e Rusisë në Beograd nuk përgjigjen ndaj pyetjeve, Radio Evropa e Lirë (REL) gjeti se Qendra Serbo-Ruse figuron në listën e përfituesve të parave nga buxheti i Serbisë.

Kjo qendër është në listën e përfituesve buxhetorë për vitin 2025, të publikuar nga Drejtoria e Thesarit e Ministrisë së Financave të Serbisë.

Nuk ka të dhëna publike se sa para janë transferuar në Qendër, ndërsa ministritë përgjegjëse nuk i japin këto të dhëna.

REL gjithashtu gjeti se Qendra, që nga janari i vitit 2014, ka një llogari aktive në dinarë në Drejtorinë e Thesarit, e cila përdoret për transferimin e mjeteve buxhetore.

Të dhënat publike të Bankës Kombëtare Serbe tregojnë se Qendra Humanitare Serbo-Ruse ka një llogari në Departamentin e Thesarit të Ministrisë së Financave të Serbisë.
Të dhënat publike të Bankës Kombëtare Serbe tregojnë se Qendra Humanitare Serbo-Ruse ka një llogari në Departamentin e Thesarit të Ministrisë së Financave të Serbisë.

E vendosur në Nish, afër aeroportit të dytë më të madh në Serbi, Qendra Serbo-Ruse është përshkruar në Moskë si “më e rëndësishmja në Ballkan” për reagim ndaj situatave emergjente dhe fatkeqësive natyrore.

Megjithatë, shtetet perëndimore kanë shprehur dyshime se bëhet fjalë për një përpjekje për krijimin e një baze inteligjence dhe ushtarake – duke treguar edhe afërsinë e Qendrës me një bazë ushtarake të NATO-s në Kosovë.

Kush ka dorëzuar kërkesën për mbylljen e Qendrës në Nish në Kuvendin e Serbisë?

Mbylljen e saj tani e kanë kërkuar zyrtarisht edhe partitë opozitare në Serbi.

Disa deputetë proevropianë të opozitës në fund të dhjetorit i kanë dorëzuar Parlamentit një kërkesë për shfuqizimin e marrëveshjes ndërqeveritare midis Serbisë dhe Rusisë, mbi bazën e së cilës Qendra u themelua në vitin 2012.

“Ekziston një gamë e tërë dyshimesh kur bëhet fjalë për këtë qendër”, thekson për REL-in kryetari i Lëvizjes Opozitare të Qytetarëve të Lirë, Pavle Gërboviq.

Ai mendon se në rastet e fatkeqësive natyrore në Serbi, publiku ka marrë informacion vetëm “në mënyrë sporadike dhe në shkallë të vogël” mbi angazhimin e pjesëtarëve të Qendrës Serbo-Ruse Humanitare dhe mekanizmin e tyre.

“Nuk dimë nëse arrin qëllimet e parashikuara, as se si financohet. Kemi drejtuar pyetje parlamentare Kuvendit, ministrive dhe institucioneve të tjera përkatëse, dhe nuk kemi marrë përgjigje”, shton ai.

Si arsye për shfuqizimin, Gërboviq nënvizon edhe natyrën gjeopolitike.

“Nuk mund të injorohen dyshimet që vijnë nga përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera. Ekzistojnë indikacione serioze se Qendra mund të keqpërdoret edhe për aktivitete që dalin jashtë kuadrit civil, sidomos kur bëhet fjalë për veprimtari të inteligjencës, dhe se përdoret si një lloj zëvendësimi për disa qendra spiunazhi në rajon”, shpjegon ai.

Nuk dihet nëse propozimi i opozitës në Serbi do të vendoset në rendin e ditës të Parlamentit. Për këtë vendos shumica qeverisëse në Beograd.

Qeveria e Serbisë nuk ka dhënë përgjigje për REL-in se si po reagon ndaj kërkesës për shfuqizimin e Qendrës Serbo-Ruse.

Stërvitje në Qendrën në Nish më 14 shkurt 2020.
Stërvitje në Qendrën në Nish më 14 shkurt 2020.

Si është regjistruar Qendra në Serbi?

Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Serbi, sipas të dhënave të qasshme publikisht, ka numër identifikimi dhe numër tatimor.

Sipas marrëveshjes, ajo duhet të ishte regjistruar si një organizatë ndërqeveritare humanitare jofitimprurëse.

Por, nuk dihet nëse kjo është vërtet kështu.

Nën këtë emër, Qendra nuk figuron në bazën e të dhënave të Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve të Serbisë (APR), ku janë regjistruar të gjitha shoqëritë tregtare në Serbi.

Edhe opozita serbe ka kërkuar informacion mbi Qendrën në APR.

“E pyetëm pushtetin nëse Qendra Humanitare Serbo-Ruse është regjistruar sipas ligjeve të Serbisë, dhe nëse po, ku mund të gjendet dhe sipas cilit ligj. Nuk kemi marrë asnjë shpjegim pse nuk na japin këto informacione, nuk i kemi marrë, dhe kemi hasur në heshtje”, thekson deputeti i opozitës, Pavle Gërboviq.

Kush financon Qendrën?

Sipas marrëveshjes ndërqeveritare, për Qendrën përgjegjës janë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria ruse për Mbrojtjen Civile dhe Situatat e Emergjencës.

Ajo u themelua me para nga buxhetet e Rusisë dhe Serbisë, dhe REL-i më herët ka gjetur se Serbia kishte financuar me 1.8 milion dollarë kompleksin e ndërtesave pranë aeroportit të Nishit, ku Qendra ndodhet që nga viti 2012.

Qendra Humanitare Serbo-Ruse atëbotë pretendonte se pala ruse kishte investuar 41 milionë dollarë.

Por, se kush paguan sot punonjësit, investimet në pajisje dhe shpenzimet e tjera, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje.

Sipas marrëveshjes, puna e Qendrës mund të financohet nga buxhetet shtetërore, grante dhe donacione ose nga të ardhurat që Qendra fiton duke ofruar shërbime.

Përveç llogarisë aktive që shërben për transferimin e parave shtetërore, Qendra ndodhet në listën e përfituesve buxhetorë që publikon Drejtoria e Thesarit e Serbisë.

Sipas asaj liste, paratë për Qendrën duhet të transferohen nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Një pjesë e listës të përfituesve të fondeve publike në Serbi, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 24 dhjetor 2025, tregon se Qendra në Nish është përfituese e fondeve shtetërore.
Një pjesë e listës të përfituesve të fondeve publike në Serbi, të publikuar në Gazetën Zyrtare më 24 dhjetor 2025, tregon se Qendra në Nish është përfituese e fondeve shtetërore.

Megjithatë, në pjesën e buxhetit shtetëror të destinuar për MPB-në serbe, shpenzimet për Qendrën Humanitare Serbo-Ruse nuk shfaqen drejtpërdrejt.

Qeveria e Serbisë, ministritë e Financave dhe të Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë përgjigje për pyetjet mbi financimin shtetëror të Qendrës.

Në bazën e llogarive të Bankës Kombëtare shihet se Qendra Humanitare Serbo-Ruse ka hapur në një ditë 11 llogari valutore dhe pesë llogari në dinarë.

Baza e të dhënave e Bankës Kombtare Serbe tregon llogaritë në valuta të huaja të hapura nga Qendra Serbo-Ruse. Të dhënat janë marr më 14 janar 2026.
Baza e të dhënave e Bankës Kombtare Serbe tregon llogaritë në valuta të huaja të hapura nga Qendra Serbo-Ruse. Të dhënat janë marr më 14 janar 2026.

Të gjitha janë hapur më 15 shkurt 2023 në bankën private Aik dhe janë ende aktive.

Shumat e parave në këto llogari dhe qëllimi i tyre nuk janë të njohura dhe as Qendra është përgjigjur për REL-in për këtë çështje.

Të Dhënat e Bankës Kombëtare të Serbisë tregojnë llogaritë e Qendrës në Nish që ka hapur në bankën Aik. Të dhënat janë marrë më 14 janar 2026.
Të Dhënat e Bankës Kombëtare të Serbisë tregojnë llogaritë e Qendrës në Nish që ka hapur në bankën Aik. Të dhënat janë marrë më 14 janar 2026.

A do të mbyllet Qendra?

Është jorealiste të pritet që pushteti në Serbi të përgjigjet pozitivisht ndaj kërkesës së opozitës për shfuqizimin e Qendrës Humanitare Serbo-Ruse, vlerëson Predrag Petroviq nga Qendra Joqeveritare e Beogradit për Politikë të Sigurisë.

“Mbyllja do të ishte si një gisht në sy për Rusinë, gjë që natyrisht nuk i përshtatet pushtetit të [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit”, thotë ai.

Zyrtarët në Beograd dhe Moskë vazhdojnë të bashkëpunojnë, pavarësisht thirrjeve të Perëndimit që Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Autoritetet ruse mbështesin gjerësisht regjimin në Serbi. Kjo shihet ndoshta më qartë përmes mbështetjes së shërbimeve ruse të sigurisë, të cilën e dhanë publikisht gjatë protestave antiqeveritare në vitin 2025”, shprehet Petroviq.

As partitë opozitare nuk presin që pushteti, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, të miratojë një ligj që të mundësojë mbylljen e Qendrës.

“Ky është i njëjti grupim që për tre muaj nuk ka guxuar të thotë se cili shërbim i huaj inteligjent organizoi kampet paramilitare në territorin e Serbisë dhe nga cili vend vjen – e që vjen nga Rusia”, thekson Pavle Gërboviq.

“Por, ne mendojmë se Serbia nuk duhet të jetë poligon i askujt për këto punë të pista, as e Rusisë”, shton ai.

Në fund të shtatorit të vitit 2025, në perëndim të Serbisë, afër Loznicës, u zbulua një kamp paramilitar ku shtetas të huaj po trajnoheshin për të shkaktuar trazira në Moldavi.

Atëbotë, Policia arrestoi dy shtetas serbë, ndërsa autoritetet në Beograd nuk e përmendën Rusinë si organizatore, pavarësisht pretendimeve të Moldavisë.

“Në kontekstin e këtyre rrethanave dhe faktit që ekziston një bashkëpunim midis shërbimeve ruse dhe serbe të sigurisë, nuk duhet të përjashtohet interpretimi se Qendra Humanitare Serbo-Ruse është në fakt një bazë logjistike për kryerjen e operacioneve hibride në Ballkan”, vlerëson Predrag Petroviq.

Përgjatë viteve, akuza të tilla janë hedhur poshtë nga Qendra si dhe nga autoritetet në Serbi.

Petroviq vlerëson gjithashtu se “qëllimi i vërtetë” i Qendrës nuk ka qenë ndihma për qytetarët në situata emergjente, por të shërbejë si “mjet propagandistik” i Moskës për përhapjen e narrativëve proruse në Serbi dhe rajon.

Vëmendje të veçantë ka shkaktuar kërkesa e Rusisë që Serbia t’i japë stafit të Qendrës status diplomatik.

Bëhet fjalë për një status special që sjell privilegje të caktuara, si lëvizja e lirë jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon, si dhe imunitet në rast të kryerjes së një vepre penale në territorin e Serbisë.

Aktualisht, autoritetet nuk i kanë dhënë këtë status stafit të Qendrës, dhe institucionet e Serbisë nuk kanë dhënë përgjigje për REL-in lidhur me atë kërkesë.

Çfarë (nuk) bën Qendra Serbo-Ruse Humanitare?

Për aktivitetet e Qendrës në situata emergjente nuk ka shumë informacion zyrtar.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar komunikatat dhe postimet e tyre në rrjetet sociale gjatë viteve 2024 dhe 2025.

Fokusi i Qendrës në atë periudhë kanë qenë trajnimet për zjarrfikësit dhe shpëtimtarët nga Serbia, nxënësit dhe studentët, vullnetarët dhe alpinistët.

Pjesëtarët e Qendrës kanë marrë pjesë edhe në stërvitje në Rusi dhe Bjellorusi gjatë dy vjetëve të fundit – njëra prej tyre ishte stërvitja e madhe “Arktiku i Sigurt”, e mbajtur në zonën arktike të Rusisë në fund të janarit të vitit 2025.

Stërvitja, me testimin dhe demonstrimin e pajisjeve të reja, u zhvillua në një kohë të rritjes së rrezikut të konfrontimit ushtarak midis Rusisë dhe Perëndimit në këtë rajon që ka rëndësi strategjike.

Qendrën Humanitare Serbo-Ruse e kanë vizituar delegacione të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Ministrisë Ruse për Situata Emergjente, të udhëhequra nga zyrtarë të lartë rusë.

Gjatë vitit 2025, ata hapën një poligon të ri për zjarrfikësit dhe shpëtimtarët. Sa ka kushtuar dhe kush e ka paguar për këtë poligon nuk dihet.

Nga reagimet e Qendrës në situata emergjente dallohen zjarret e mëdha që goditën jugun dhe qendrën e Serbisë gjatë verës së vitit të kaluar.

Në Serbi shpërthyen qindra zjarri, nuk pati viktima, por u shkaktuam dëme të mëdha materiale, u dogjën disa qindra ndërtesa dhe mijëra hektarë tokë bujqësore.

Qendra Humanitare Serbo-Ruse, sipas ueb-faqes së saj, ka marrë pjesë me disa automjete në shuarjen e zjarreve në territorin e Nishit, Leskovcit, Pirotit, Vranjës, Prokuples dhe Kurshumlisë, në kërkesë të MPB-së të Serbisë.

“Publiku në Serbi nuk ka një ide konkrete se çfarë ka bërë Qendra gjatë viteve të fundit, sepse nëse do të ishte ndryshe, qytetarët do të ishin shumë të zhgënjyer. Faktet tregojnë se angazhimi i Qendrës ka qenë shumë i dobët ose ka munguar plotësisht, gjë që është veçanërisht e dukshme në situata emergjente gjatë viteve të fundit”, vlerëson Predrag Petroviq.

Në ditët e para të vitit 2026, për shkak të reshjeve të borës, në 11 komuna në Serbi u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike.

Gjeneratorët duke u dërguar në zonat pa rrymë në Serbi më 10 janar 2026.
Gjeneratorët duke u dërguar në zonat pa rrymë në Serbi më 10 janar 2026.

Qytetarët në pjesë të komunave të prekura përballen gjithashtu me vështirësi në ngrohje, furnizim me ujë, sinjal të telefonisë mobile dhe rrugë të bllokuara.

Qendra, sipas të dhënave nga faqja e saj, ka dhënë përkohësisht gjashtë gjeneratorë komunës Majdanpek në lindje të Serbisë.

Opozita, përveç mbylljes së Qendrës, i kërkon pushtetit në Serbi që paratë të investohen në forcimin e kapaciteteve vendore të mbrojtjes civile dhe edukimin e qytetarëve.

“Që të jemi më të përgatitur për të reaguar ndaj fatkeqësive të ndryshme natyrore, pasi në ditët e fundit kemi treguar qartë se nuk jemi të përgatitur”, thekson Pavle Gërboviq.

Kush trajnohet në Qendër?

Sipas raportit të Qendrës për vitin 2025, në Qendrën Humanitare Serbo-Ruse kanë kaluar më shumë se 1.200 pjesëmarrës.

Instruktorët, nga të cilët shumë vinin nga akademia e Ministrisë ruse për Mbrojtje Civile, i kanë trajnuar ata për parandalim, reagim dhe menaxhim në situata emergjente.

Mes pjesëmarrësve, më të shumtë kanë qenë anëtarë të Sektorit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Gjithashtu, në Qendër janë trajnuar njësitë e zjarrfikësve të Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila që nga janari 2025 është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse.

Trajnime kanë ndjekur edhe pjesëtarë të Administratës Republikane për Mbrojtje Civile të entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Anëtarët e Qendrës në qershor të vitit 2025 zhvilluan një stërvitje edhe me zjarrfikësit në Tivat të Malit të Zi.

Akuza nga Uashingtoni

Kritikat kryesore të Perëndimit gjatë viteve të ekzistencës së Qendrës kanë qenë se ajo mund të jetë një degë për aktivitete spiunazhi të Kremlinit dhe përgjigje e Rusisë ndaj zgjerimit të BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Në qershor të vitit 2017, atëherë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, deklaroi se SHBA-ja ishte e shqetësuar për ndërtimin e Qendrës ruse në Serbi dhe statusin e mundshëm special të stafit.

“Ne nuk besojmë se Rusia ka qëllime të mira për të ndihmuar Ballkanin të shkojë drejt BE-së”, deklaroi ai.

Ai shtoi se Qendra në Nish, pranë kufirit me Kosovën, ku SHBA-ja ka rreth 600 ushtarë dhe 4.000 anëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s, nuk përbën një zhvillim pozitiv.

“Është e rëndësishme – dhe këtë bindje e ndajmë me Qeverinë e Serbisë – që Serbia të ketë kontroll të plotë mbi territorin e saj dhe gjithçka që ndodhet aty. Nëse lejon Rusinë të krijojë një qendër për spiunazh, ajo do të humbasë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj”, theksoi Yee.

Atëbotë reagoi Ana Bërnaviq, që ishte kryeministre e Serbisë, duke vlerësuar se kjo çështje ishte “tepër e politizuar”.

Reagimi i BE-së ndaj Qendrës

Bashkimi Evropian ka pyetur disa herë se çfarë bën Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish.

“Serbia duhet të informojë BE-në për aktivitetet e Qendrës në Nish dhe integrimin e saj në sistemin e menaxhimit të situatave emergjente”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian për progresin e Serbisë në vitin 2023.

Brukseli ka theksuar se autoritetet e Beogradit duhet të sigurojnë që Qendra të mos “dyfishojë rolin e Qendrës Koordinuese të Komisionit Evropian për Emergjencat”.

Qendra si ajo e Nishit, bazuar në marrëveshjen ndërqeveritare me Rusinë, nuk ekzistojnë në shtetet anëtare të BE-së.

Serbia, si kandidate për BE-në, është pjesë e mekanizmit evropian për mbrojtjen civile.

Ndihma është përdorur disa herë, për shembull gjatë pandemisë së COVID-19 ose për përmbytjet shkatërruese të majit 2014.

Për sektorin e mbrojtjes civile në Serbi, që nga viti 2014, nga Brukseli kanë ardhur mbi 250 milionë euro ndihmë, sipas të dhënave të delegacionit të BE-së në Serbi.

Si funksionon Qendra pas sanksioneve perëndimore?

Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt 2022, Perëndimi ka kërkuar nga autoritetet e Beogradit që të vendosin sanksione ndaj Rusisë, gjë që Serbia e ka refuzuar.

Përveç paralajmërimeve se nuk është përputhur me masat kufizuese ndaj Rusisë, Brukseli ka vënë në dukje se Serbia ka intensifikuar kontaktet bilaterale në nivel të lartë me Moskën, gjë që “ngre pyetje për orientimin strategjik të Serbisë”.

Predrag Petroviq nga Qendra Joqeveritare e Beogradit për Politikë të Sigurisë thekson se sanksionet perëndimore ndaj Kremlinit gjatë katër vjetëve të fundit kanë ndikuar në reduktimin e aktiviteteve të Qendrës Serbo-Ruse në Nish.

“Një rrethanë e rëndësishme është se Serbia është e rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s, dhe nga aty vetë logjistika është shumë e vështirë”, shton ai.

Akuza ndaj Qendrës për përfshirje në sulmin në Banjskë

Akuza ndaj Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish u ngrit edhe nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023.

Ai atëbotë në një intervistë për Radio Evropa e Lirë tha se ekzistojnë informacione inteligjence për përfshirjen e elementëve “të lidhur drejtpërdrejt me Rusinë” në sulm.

Për Qendrën Humanitare Serbo-Ruse ai theksoi se është “qendër inteligjence përmes së cilës spiunojnë gjithë rajonin”, ku zhvillohen “stërvitje të ndryshme, qoftë për shërbimet inteligjente, qoftë për operacione në terren”.

“Besojmë se edhe kjo qendër është përfshirë në sulm”, tha Sveçla.

Autoritetet në Serbi dhe vetë Qendra Humanitare Serbo-Ruse nuk kanë reaguar ndaj këtyre pretendimeve.

Serbia ka mohuar disa herë çdo përfshirje në incidentet në Banjskë, ku gjatë sulmit të një grupi të serbëve të armatosur ndaj Policisë së Kosovës u vra një polic. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Për këtë sulm përgjegjësinë e mori Millan Radoiçiq, biznesmen dhe atëbotë nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në Serbi, ku Radoiçiq ndodhet, po zhvillohet një hetim për këtë rast, dhe autoritetet serbe refuzojnë ta dorëzojnë atë në Prishtinë, e cila ka lëshuar fletarrestim për ta gjykuar në Kosovë.

Ku tjetër ka Moska qendra si ajo e Nishit?

Predrag Petroviq kujton se qendrat për situata emergjente, si ajo e Nishit, ekzistojnë edhe në shtete të tjera me të cilat Moska ka marrëdhënie të mira politike.

“Për shembull, një qendër ekziston edhe në Kubë. Por, ndryshe nga Serbia, në shtetet e tjera ato janë më mirë të përcaktuara dhe të integruara në kuadrin kombëtar dhe institucional që lidhet me situatat emergjente”, shton ai.

Mes shteteve ku Moska ka pasur qendra gjatë dhjetë viteve të fundit është edhe Armenia.

Qendra Ruso-Armeniane për reagim humanitar ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qendrën e Nishit, duke përfshirë vizita reciproke dhe trajnime të stafit.

Kështu, pjesëtarët e Qendrës Serbo-Ruse gjatë vitit 2025 kanë qenë vëzhgues në një stërvitje në Jerevan, ku kanë marrë pjesë edhe zjarrfikës-shpëtimtarë nga Rusia, Bjellorusia, Algjeria, Bahrejni, Kazakistani, Kirgizia, Qiproja, Egjipti, Jordania, Libani, Malajzia dhe Arabia Saudite.

Qendrat, siç thekson Petroviq, nuk janë instrumenti i vetëm i bashkëpunimit të Moskës me shtetet e tjera për situata emergjente.

Qëllimi i tyre është, përveç gjërave të tjera, të përhapin një “imazh të mirë” për Rusinë.

“Situatat emergjente janë një mjet shumë i përshtatshëm. Nëse pajisjet dhe stafi që keni dërguar ndihmojnë në shpëtimin e njerëzve dhe pronave dhe në sanimin e dëmeve, ju mund të përmirësoni ndjeshëm perceptimin për shtetin nga i cili ka ardhur kjo ndihmë”, thekson ai.

“Kjo është shumë e përshtatshme për Moskën, që qytetarët e shteteve të tjera ta shohin jo vetëm përmes prizmit të fuqisë së fortë, teknologjisë ushtarake dhe armatimit, mbi të cilën propaganda e Moskës ka insistuar veçanërisht gjatë viteve të fundit”, përfundon Petroviq.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG