Ndërlidhjet

Musliu: Me vrasjen e Rizajt dhe Ndrecajt nuk u zhdukën të gjitha sekretet rreth ngjarjeve në Kumanovë


Erolld Musliu.

Drejtori i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e Veriut, Erolld Musliu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thekson se me anëtarësimin e vendit në NATO kërcënimet për sigurinë e vendit paraqesin kërcënime edhe për Aleancën, dhe anasjelltas. Sa u përket zhvillimeve lidhur me ngjarjet e Kumanovës, ku janë të përfshirë shtetas të Kosovës, Musliu thekson se nuk janë zhdukur të gjitha sekretet me vrasjen e Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Musliu, tashmë një vit jeni në krye të Agjencisë për Zbulim, institucion ky që për herë të parë drejtohet nga shqiptarët, pikërisht në këtë kohë kur sfidë mbeten reformat, të cilat i kanë apostrofuar si tejet të domosdoshme në sektorin e sigurisë, qendrat vendimmarrëse si Brukseli dhe Uashingtoni. Çka është ndryshuar, realizuar nga këto obligime në Agjencinë për Zbulim me ardhjen tuaj?

Erolld Musliu: Një nder i veçantë për mua është fakti që për herë të parë në historinë e vendit tonë është emëruar një profesionist shqiptar që të udhëheqë me këtë institucion që është me interes thelbësor për sigurinë e shtetit. Patjetër se kjo duhet të ndërlidhet me zgjedhjen për president të shtetit z. Stevo Pendarovski, një person kozmopolit dhe me kapacitet demokratik të shquar. Kemi punuar shumë dhe kemi bërë shumë, por neve në Agjenci na mbetet ende për të bërë. Njëra nga anët më të forta të Agjencisë për Zbulim, ishte imazhi i ndërtuar në planin ndërkombëtar, gjatë realizimit të operacioneve të suksesshme në fushën e zbulimit.

Fatkeqësisht, kjo njohje, për çka kemi dhënë shumë mund para disa vitesh e humbi vlerën e saj, për shkak të individëve të catuar të cilët, duke e shfrytëzuar statusin e privilegjuar dhe lidhjet me struktura politike në shtet përziheshin në punën profesionale të Agjencisë. E dini, në lëmin e zbulimit, besimi i humbur vështirë kthehet te partnerët.Prandaj, që nga maji i vitit 2019, në Agjencinë për Zbulim punojmë që ta kthejmë besueshmërinë në nivel strategjik, rajonal dhe ndër-institucional.

Arritëm që Agjencia për Zbulim të jetë e pavarur, gjë që është shumë e rëndësishme, si dhe të ketë rol autonom në kryerjen e detyrave, e liruar nga ndikimet politike dhe partiake. Sot Agjencia është më mobile dhe ju përshtatet rrethanave për të vepruar. Me rëndësi është që fituam një kualitet të ri, ne tani jemi më objektivë. Me ndryshimet në organizimin e punës dhe sistematizimin e brendshëm e përmirësuam strukturën organizative dhe procesin e punës, përmirësuam modusin e veprimit në teren, mënyrën e përpunimit të informacioneve të grumbulluara deri te mënyra e informimit të palëve të interesuara.

Radio Evropa e Lirë: Flisni për reforma, ndërkohë që Agjencia për Zbulim funksion në bazë të ligjit që është i vjetër më shumë se dy dekada,... është paradoksale kjo?

Erolld Musliu: Projektligji i ri për Agjencinë e Zbulimit ishte një prej projekteve më të mëdha për çka kemi punuar që nga emërimi im si drejtor, pasi një gjë e tillë paraqiste nevojë thelbësore, sepse ligji aktual i vitit 1995 (në bazë të të cilit funksionon Agjencia për Zbulim) nuk korrespondon me nevojat reale të funksionimit të këtij institucioni.

Me projektligjin e ri do të pritet të definohet vendi dhe roli i Agjencisë për Zbulim si institucion me kompetenca në lëmin e zbulimit jashtë vendit, duke pasur si detyrë grumbullimin e të dhënave dhe informacioneve për kërcënimet asimetrike, ata hibride si dhe kërcënimet kibernetike që vijnë nga jashtë. Mes tjerash, me këtë ligj rregullohet edhe lëmia e statusit social dhe të drejtave të punëtorëve, që ka qenë një kërkesë dhe nevojë disavjeçare e të punësuarve në këtë institucion. Fatkeqësisht, ligji nuk e kaloi procedurën në Komisionin përkatës në Kuvend për shkak të mbi 1,000 amendamenteve absurde, të cilat i parashtroi gjatë procedurës parlamentare opozita.

Se cila është prapaskena e një veprimi të tillë të opozitës maqedonase për të bllokuar miratimin e ligjit në fjalë, me të cilin Agjencia për Zbulim definohet si shërbim profesional sipas standardeve të NATO, këtë gjë do ta tregojë koha.Ne nuk jemi dekurajuar, por vazhdojmë me punën tonë drejt rrumbullakimit të procesit reformues. Jam i bindur se ne së shpejti do të kemi ligj të ri për Agjencinë e Zbulimit sepse këtë e kërkojnë NATO dhe Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, cilat janë pritjet e vendeve anëtare të NATO-s nga Agjencia për Zbulim? Të precizoj, është intensifikuar bashkëpunimi juaj me agjencitë e mëdha të vendeve të Aleancës?

Erolld Musliu: Po, më duhet të theksoj se tani e kemi kthyer besueshmërinë dhe bashkëpunimin me partnerët më të fuqishëm. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO nënkupton një qasje dhe fokus më të gjerë gjeostrategjik për ballafaqimin me sfidat dhe kërcënimet. Maqedonia e Veriut tanimë nuk është e vetmuar, ajo është pjesë e Aleancës më të fuqishme ushtarako-politike me çka kërcënimet për sigurinë tonë kombëtare janë kërcënime edhe për Aleancën, dhe anasjelltas.

Si shtet përfitojmë shumë në aspektin e sigurisë. Përfitojmë , sa i përket qasjes në informacionet që disponon Aleanca, kemi shkëmbim më të shpejtë dhe më të hapur të dhënave dhe bashkëveprim për sa i përket ballafaqimit me sfidat dhe kërcënimet. Do të thotë i shkëmbejmë njohuritë tona, analizat, qëndrimet dhe mendimet për të gjitha çështjet në interes të sigurisë.

Tani, si pjesë e Aleancës, Agjencia për Zbulim e Maqedonisë së Veriut fokusohet edhe në kërkesat dhe prioritetet që vijnë nga Brukseli, kapacitetin tonë e ndërtojmë në atë drejtim, ju përshtatemi procedurave dhe standardeve, dhe të jem i sinqertë, tani kemi më tepër punë edhe në aspektin administrativ.

Në nivel bilateral, aleatët tanë e dinë dhe e njohin kapacitetin operativ të Agjencisë sepse një periudhë të gjatë kemi bashkëpunuar me shërbimet e tyre të sigurisë dhe zbulimit në nivel operativ.Por, duhet theksuar se rëndësi të veçantë ka edhe pozita gjeografike e vendit tonë, pastaj përbërja shumetnike, shumë religjioze dhe kulturologjike e popullatës është një prej kualiteteve me rëndësi në përvojën e Agjencisë në lëmin e zbulimit, që është një cilësi e veçantë për NATO.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohet tani Maqedonia e Veriut në aspektin e sigurisë, në çka fokusohet Agjencia, këtu do të kisha fokusuar dhe bashkëpunimin me shërbimet botërore relevante në luftën kundër terrorizmit.

Erolld Musliu: Siç thashë, Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-së, punon së bashku në të njëjtat prioritete, siç është rivaliteti gjeopolitik (këtu kemi të bëjmë me shtete që zhvillojnë strategji dhe kërcënime hibride, konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare që mund të ndikojnë në sigurinë kombëtare, armët për shkatërrim masiv, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm i të gjitha aspekteve (ai politik, etnik, fetar etj), migracioni ilegal si dukuri, por edhe si element i strategjisë hibride të aktorëve rajonalë, kërcënimet kibernetike, si dhe rreziku aktual nga COVID-19 me të cilin ballafaqohet e tërë bota, një realitet i ri për të cilin ne si shërbime të inteligjencës do të duhet të fokusohemi në të ardhmen.

Do theksuar se Agjencia për Zbulim ka rol preventiv, që do të thotë identifikimin e rreziqeve, por nuk ka kompetenca ekzekutive policore. Sigurisht që me partnerët tanë kemi marrë pjesë në operacione të ndryshme në territorin e Ballkanit si dhe në zona tjera jostabile (jo të qëndruesme) dhe zona të përfshira nga lufta, këtu mendoj në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, Ukrainën etj.

Radio Evropa e Lirë: Ardhja e juaj në krye të Agjencisë për Zbulim, është përcjellë me shumë kundërshtime, si nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, por edhe VMRO-DPMNE në opozitë, parti këto të cilat kanë bashkëqeverisur në kohën kur përfaqësues të Agjencisë për Zbulim ishin apostrofuar për përfshirje në zhvillimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, po edhe në ngjarjet e 27 prillit në parlament. Çfarë është zbardhur deri më tani për këto dy raste?

Erolld Musliu: Po, asokohe kishte reagime. Për sa i përket Bashkimit Demokratik për Integrim, mendoj se reagimet e tyre ishin për shkak të informimit të shtrembëruar sa i përket profilit tim profesional në fushën e zbulimit, por kjo tani është e tejkaluar.

Siç e dini, deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim përkrahën projektligjin për punën e Agjencisë së Zbulimit, po ashtu ministrat e kësaj partie i dhanë përkrahje edhe sistematizimit të Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e Veriut. Në lidhje me reagimet e VMRO-së, ata organizuan disa konferenca për shtyp, dhe mua më vjen keq që ata e zgjodhën këtë formë të komunikimit me Agjencinë, një institucion sensitiv, që merret me çështje thelbësore, sigurinë e qytetarëve dhe të shtetit. Por, në këtë rast mendoj se kemi të bëjmë me dezinformim nga ana e individëve të cilët nuk janë më pjesë përbërëse të Agjencisë. Në lidhje me dy ngjarjet që përmendët, duhet theksuar se Agjencia për Zbulim , përkatësisht pjesëtarë të Agjencisë për Zbulim ishin të implikuar në dy ngjarje, atë të Kumanovës dhe ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend.

Shefi i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e V. flet për ngjarjet e Kumanovës
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Bëhet fjalë për dy ngjarje që në fakt paraqesin dy njolla të zeza në historinë më të re të vendit tonë dhe janë dy shembuj të hidhur për përbërjen dhe udhëheqjen e Agjencisë. Për të dyja ngjarjet, këtu në Agjencinë për Zbulim, formuam komisione përkatëse që kanë për detyrë të bëjnë verifikimin e gjendjes faktike nga aspekti i rolit të Agjencisë, në këto ngjarje. Komisionet kanë konstatuar mosrespektim të procedurave nga ana e drejtorëve të mëparshëm. Paramendoni, ata kanë vepruar vetëm përmes personave të afërt të tyre duke mosinformuar dhe duke i anashkaluar drejtuesit dhe sektorët e caktuar në bazë të hierarkisë në këtë lëmi. Në lidhje me rastin e Kumanovës është konstatuar mungesë e sinqeritetit drejt prokurorisë publike , kjo është e pakuptimtë.

Sa u përket motiveve të Grupit të Kumanovës, tanimë është e qartë se motivi politik ka mbisunduar për angazhimin e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, edhe pse përmendet edhe momenti financiar. Është e paqartë arsyeja e kontakteve të operativës (së Agjencisë për Zbulim) me udhëheqësit e grupit të armatosur dhe mungesa e informacionit për veprimet në Goshincë dhe depërtimit të grupit në zonën urbane të qytetit të Kumanovës. Por më duhet të theksoj se tanimë opinioni e ka kuptuar realitetin e ri në Agjenci, autonominë dhe objektivitetin në punë, kështu që filluam të pranojmë të dhëna të cilat më parë ishin të panjohura për Agjencinë. Mendoj që një pjesë e konsiderueshme e të dhënave të nevojshme për kompletimin e këtij rasti të komplikuar ende gjenden tek disa pjesëtarë të grupit që janë në burg.

Nuk mendoj se u zhdukën të gjitha sekretet me vrasjen e Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt. Kurse në lidhje me “ndërhyrjen e dhunshme në Kuvendin më 27 prill 2017” janë bërë një varg gabimesh në procesin e udhëheqjes dhe përzgjedhjen e operativës së angazhuar. Në këtë rast është e paqartë se pse është involvuar (përfshirë) Agjencia dhe pjesëtarët e saj në këtë ngjarje (ngjarjet e 27 prillit në Parlament) që është kompetencë e organeve të rendit publik, sepse ne jemi Agjenci Zbulimi dhe ne veprojmë jashtë kufijve të shtetit.

Në fushën e veprimit janë dërguar pjesëtarë me përvojë minimale të punës në Agjenci ose të punësuar që posa e kishin kaluar provimin e profesionalitetit. Këta pjesëtarë të Agjencisë janë dërguar në fushën e veprimit , pa qëllim të qartë, pa përgatitje operative për “identifikimin e prezencës së huaj”, për të cilët nuk është ditur identiteti, përshkrimi apo fotografia e tyre. Me rëndësi është që të dijë opinioni, por edhe ju si media se për këto ngjarje komisionet e Agjencisë për Zbulim e kryen punën e tyre dhe ne tashmë kemi dërguar dy analiza voluminoze në Prokurorinë Publike.

Radio Evropa e Lirë: Cili është bashkëpunimi juaj me kolegët e juaj nga shërbimet e inteligjencës (Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë) në Kosovë për këtë ngjarje?

Erolld Musliu: Që nga themelimi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer, që ka rezultuar edhe me kryerjen e operacioneve të përbashkëta. Fatkeqësisht, bashkëpunimi u ndal me rastin e incidentit të ndërhyrjes së grupit të armatosur në Kumanovë. Vitin e kaluar me iniciativën tonë janë realizuar takime në nivel më të lartë të të dyja agjencive, pas të cilëve bashkëpunimi vazhdoi në drejtim pozitiv dhe ne në Agjencinë për Zbulim për këtë bashkëpunim jemi shumë të kënaqur.

Duhet theksuar se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka shprehur gatishmëri që bashkëpunojmë në drejtim të shkëmbimit të informacioneve për zbardhjen e ngjarjes në Kumanovë.

Radio Evropa e Lirë: Këto struktura (të cilat ishin të përfshira në ngjarjen e Lagjes së Trimave në Kumanovë dhe ngjarjet e dhunshme te 27 prillit në Parlament) mbeten edhe më tej në Agjencinë për Zbulim? Ka filluar spastrimi i agjencisë në përputhje me standardet që kërkohen nga NATO-ja?

Erolld Musliu: Nga të gjithë ata që kanë qenë të kyçur në procesin e udhëheqjes, dhënies së instruksioneve dhe veprimit në fushën operative lidhur me rastin e Kumanovës, mund të them që tani disa pjesëtarë nuk janë më pjesë përbërëse e Agjencisë kurse drejtori i atëhershëm aktualisht është Ministër i Brendshëm në Maqedoninë e Veriut. Në lidhje me rastin e ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend, opinioni e di fare mirë që një pjesëtar i Agjencisë sot gjendet në burg, një pjesë tjetër që kanë qenë të angazhuar nuk janë më pjesë përbërjes së agjencisë, kurse drejtori i atëhershëm po ashtu nuk është më pjesë e strukturave të sigurisë dhe të ushtrisë.

Me sistematizimin e ri për të gjitha vendet e punës parashihet niveli më i lartë i certifikimit, në këtë rast “sekret shtetëror”. Duhet theksuar se në këtë proces kemi ndihmë permanente nga zyrat adekuate të sigurisë në NATO, kurse në nivel kombëtar bashkëpunojmë me institucionet kompetente për procesin e verifikimit dhe dhënies së certifikatave të sigurisë. E kam fjalën për Drejtorinë për sigurinë e informacioneve të klasifikuara dhe për Agjencinë për siguri kombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Mandati juaj është pesë vjet. Ku e shihni Agjencinë e Zbulimit për këtë periudhë,… çka do të mbetet në fokus të këtij institucioni?

Erolld Musliu: Përgjigja në këtë pyetje kushtimisht mund të them përmban dy komponenta:

E para përfshin aspektin e brendshëm për të cilin fola pak më parë e që ka të bëjë me rumbullaksimin e kornizës ligjore për Agjencinë, ndërtimin dhe përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike. Puna në grup është formula e suksesit. E dyta, ka të bëjë me vendndodhjen institucionale të Agjencisë për Zbulim dhe perceptimi i palëve të interesuara, partnerëve tanë dhe qytetarët. Palët e interesuara saktësisht do ta dinë çka mund të presin prej Agjencisë dhe do ta kuptojnë rolin e saj thelbësor në sigurinë e shtetit. Partnerët tanë do të mund ta bëjnë përzgjedhjen e duhur në procesin e vendimmarrjes gjatë shkëmbimit të informacioneve dhe zhvillimit të operacioneve të përbashkëta. Qytetarët do të mund ta njohin Agjencinë dhe të kenë besim në punën që e bëjmë për mbrojtjen dhe sigurinë e shtetit.

XS
SM
MD
LG