Ndërlidhjet

Ndryshimet kushtetuese, sfida kryesore e Shkupit më 2024


Një burrë duke ngarë biçikletën ndërsa kalon pranë zbukurimeve të vendosura për Vitin e Ri në Shkup.
Një burrë duke ngarë biçikletën ndërsa kalon pranë zbukurimeve të vendosura për Vitin e Ri në Shkup.

Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale që do të mbahen në muajt prill dhe maj, si dhe ndryshimet kushtetuese, janë dy sfidat kryesore që e presin Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024.

Ndryshimet kushtetuese pritet të dominojnë fushatën e partive në pushtet të udhëhequra nga Lidhja Social-Demokrate (LSDM) dhe atyre në opozitë nën drejtimin e VMRO DPMNE-së, dhe që tani nisur me akuzat ndaj njëra-tjetrës për “tradhti” dhe “politikë anti-perëndimore dhe pro-ruse”.

Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, ashtu siç parashihet me “propozimin francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Sofjen, ishin prioritet kryesor edhe gjatë vitit 2023.

Mariçiq: Ngecja drejt integrimit në BE, me fajin e opozitës

Por, ndryshimet kushtetuese nuk u bënë për shkak të mungesës së konsensusit të nevojshëm në Kuvend dhe për pasojë Maqedonia e Veriut nuk arriti që në samitin e BE-së në dhjetor të marrë miratimin e Unionit për nisjen e bisedimeve për kapitujt.

“Ne nuk arritëm t’i nisim bisedimet për shkak të opozitës, e cila vendosi ta bllokojë shtetin e vet. Ne nuk heqin dorë nga synimet tona dhe ne nuk kemi dështuar. Ne po luftojmë që të mos kemi njëmbëdhjetë vjet të humbura, por vetëm një, pasi kohën e humbur askush nuk do të mund të na e kompensojë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Mickovski: Ndryshimet kushtetuese, nën kushte e rrethana tjera

VMRO DPMNE-ja opozitare në të gjitha paraqitjet në opinion gjatë vitit 2023, ka thënë se fajtor për dështimin evropian është Qeveria, e cila, sipas saj, ka pranuar “marrëveshje të dëmshme me Bullgarinë që cenon identitetin maqedonas”.

Hristijan Mickovski, kryetari i VMRO DPMNE-së dhe kandidat për kryeministër i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme, ka thënë se partia e tij “pas fitores në zgjedhje” do të arrijë të sigurojë marrëveshje me të favorshme dhe pa kushte të reja nga Bullgaria, që do t’i hapin rrugën procesit integrues.

Sipas Simodina Kacarskas, nga Instituti për Politika Evropiane, viti 2024 do të jetë i vështirë për Maqedoninë e Veriut në sferën e integrimit evropian.

“Viti 2024 do të jetë jo stabil, do të jetë një vit i vështirë për ne për shkak të zgjedhjeve, pasi e dinë se në vitet zgjedhore nuk kemi performanca shumë të mira. Në muajin mars, në BE do të merren vendime të reja, para se të formohen organet e reja, por duke marrë parasysh se edhe këtu te ne nuk kemi qeveri politike, nuk pritet asgjë sa i përket integrimit tonë në BE. Pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në BE, ne duhet të vazhdojmë me politikën e ndërtimit të raporteve me të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, vlerëson Kacarska.

Korrupsioni dhe gjyqësori pengojnë zhvillimin e vendit

Përveç ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut po përballet edhe me sfida tjera, siç janë korrupsioni dhe gjyqësori i pareformuar që mund të jetë pengesë serioze në rrugën drejt BE-së.

Komisioni Evropian (KE) në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut kishte plot vërejtje serioze lidhur me mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, por edhe kritika për ndryshimet në Kodin Penal që çuan në vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore ku ishin të përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

Më të zëshëm me kritikat për korrupsionin e lartë dhe ndërhyrjen e politikës në punën e gjyqësorit ishin diplomatët amerikanë.

Gjatë vitit 2023, Departamenti amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin maqedonas, Koço Angjushev, ndërsa para tij edhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë të profilit të lartë, si kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe biznesmenin kundërthënës, Orce Kamçev.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka paralajmëruar zgjerimin e listës edhe me zyrtarë të tjerë që dyshohen për shpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Selmani: BE-ja të përfshihet në luftimin e korrupsionit

Profesori i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, Bashkim Selmani, thotë se krimi dhe korrupsioni janë një “plagë e vjetër” për Maqedoninë e Veriut.

Ai rikujton se institucionet në vazhdimësi kanë thënë se prioritet e kanë luftimin e këtyre dukurive, e kështu kanë premtuar se do të jetë edhe në vitin 2024, por pa një presion më të madh, në veçanti nga BE-ja, vështirë se do të mund të priten rezultate, sipas tij.

“Ne flasim për krim dhe korrupsion, por nga ana tjetër shohim shumë pak lëndë gjyqësore që janë iniciuar për luftimin e këtyre dukurive ose nuk janë proceduar, pra janë lënë qëllimisht që të vjetërsohen. Që gjërat të lëvizin duhet të ketë një trup të veçantë institucional apo juridik, një angazhim nga BE-ja ngjashëm siç bëri në Bullgari dhe Rumani. Pra, do të ishte mirë që BE-ja të insistonte më shumë në luftimin e tyre pasi pa veprime të fuqishme besoj se akoma do ta kemi të njëjtin problem”, vlerëson Selmani.

Sikur në vitin 2022, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut edhe në vitin 2023 ishte joefikas në punën e tij për shkak bllokimeve të ndryshme nga ana e opozitës, andaj kjo bëri që shumica parlamentare shumë ligje t’i miratojë me procedurë të shkurtuar, sikurse Ligjin për lojërat e fatit dhe atë për ndryshimet në Kodin Penal, për faljen e zyrtarëve të korruptuar.

Miratimi i ligjeve me përdorimin e “yllit evropian” (procedurë përshpejtuar), shkaktoi reagime të shumta të përfaqësuesve ndërkombëtarë pasi kjo formë e miratimit të akteve ligjore mund të përdoret vetëm kur kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG