Ndërlidhjet

“Për familjen”: Në Beograd mbahet Parada e Krenarisë


Pamje nga marshi i organizuar të shtunën në Beograd.
Pamje nga marshi i organizuar të shtunën në Beograd.

Të shtunën në Beograd është mbajtur Parada e Krenarisë me sloganin “Për familjen”, dhe janë përsëritur kërkesat sikurse të çdo viti tjetër në mbrojtje të komunitetit LGBT+ (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe trangjinorë).

Organizatorët kanë thënë se solidarizohen me studentët dhe qytetarët që protestojnë që disa muaj kundër pushtetit dhe kërkojnë përgjegjësi për aksidentin në Novi Sad.

Si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor të vitit të kaluar, kanë vdekur 16 persona. Në marshin e së shtunës janë mbajtur 16 minuta heshtje në nderim të viktimave.

“Heshtja jonë duhet të jetë më e zëshme sesa ndonjë fjalim”, kanë thënë ata.

Organizatorët kanë thënë se kërkesat e komunitetit LGBT+ mbesin të njëjta sepse asnjëra nuk janë plotësuar.

Ata kërkojnë miratimin e Ligjit për partneritet mes personave të gjinisë së njëjtë dhe Ligjin për identitet gjinor.

Ligji i parë është përpiluar vite më parë, mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se derisa ai të jetë në zyrë “ligji nuk do të miratohet”.

Forca të shtuara policore janë parë nëpër rrugët e Beogradit dhe disa rrugë janë mbyllur për qarkullim.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG