Ndërlidhjet

Dështon votimi për komision hetimor për energjinë


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten, 28 prill, nuk kanë arritur të votojnë formimin e një komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Pas një seance të gjatë të Kuvendit dhe mospajtimeve të shumta mes deputetëve, themelimi i komisionit u vu në votim por mori vetëm tre abstenime dhe asnjë votë kundër apo për.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se konstatoi që nuk ka kuorum të mjaftueshëm për këtë votim dhe vazhdimi i seancës së Kuvendit u shtu për një afat të pacaktuar.

Në seancën e Kuvendit gjatë ditës u diskutuan dy komisione hetimore për energjinë.

Njëri u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Komisioni tjetër është propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Partitë opozitare kanë thënë se komisioni i tyre do të analizonte të gjitha masat e marra prej periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën Kuvendi ka votuar në fund të vitit të kaluar.

Komisioni i propozuar nga LVV do të hetonte më shumë çështje në sektorin e energjisë.

Disa nga to janë: hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në periudhën 2006-2022, investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku janë bërë ato investime.

LVV po ashtu propozon të hetohen edhe punësimet e bëra nga viti 2006 deri në prill të këtij viti, kontratat e lidhura për blerje të energjisë elektrike nga viti 2006 deri më 2022, procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve dhe shumë çështje tjera në fushën e energjisë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka propozuar që në komisionin hetimor për energji të përfshihen edhe këto çështje, pasi në të kundërtën deputetët e kësaj partite nuk do të votojnë.

“Nëse dëshirojmë të jemi transparentë, po e zgjerojmë gamën e hetimit në sektorin e energjisë që do ta bëjë komisioni hetimor në sektorin e energjisë”, tha Kusari Lila.

Me këtë propozim nuk është pajtuar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Ai ka thënë se komisioni hetimor ka mandat gjashtëmujor për të bërë hetime, dhe sipas tij “është e pamundur të hetohen të gjitha çështjet brenda kësaj periudhe”.

XS
SM
MD
LG