Ndërlidhjet

Ngritja e talibanëve të Pakistanit


Shpërthimi në hotelin Serena në Kueta të Pakistanit. Përgjegjësinë për këtë sulm e morën militantët e Tehrik-e Taliban Pakistan. Pakistan, 21 prill, 2021.
Shpërthimi në hotelin Serena në Kueta të Pakistanit. Përgjegjësinë për këtë sulm e morën militantët e Tehrik-e Taliban Pakistan. Pakistan, 21 prill, 2021.

I përçarë përbrenda, i dobësuar për shkak të vdekjes së liderëve dhe i dëbuar nga bastionet e tij, grupi i armatosur Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), gjerësisht u pa si i shkatërruar.

Por, TTP-ja, grup që njihet edhe si Talibanët Pakistanezë, u rishfaqën vitin e kaluar, duke unifikuar fraksionet dhe duke kryer sulme vdekjeprurëse në mbarë rajonet fisnore të vendit.

Për të shënuar ringjalljen e tij, TTP-ja muajin e kaluar kreu një sulm vdekjeprurës me makinë-bombë pranë një hoteli luksoz në qytetin jugperëndimor Kueta, që gjendet larg bastionit të këtij grupi në veriperëndim të vendit.

Por, TTP-ja nuk është më grupi i njëjtë militant që bëri kërdi në Pakistan nga vitit 2007 deri më 2014, kur dhe u zhvillua një ofensivë e madhe ushtarake që dëboi këtë grup përtej kufirit, në Afganistan.

Nën udhëheqësinë e Noor Wali Mehsud, që është një figurë më shumë fetare sesa një luftëtar, e i cili e udhëheq këtë grup që nga viti 2018, TTP-ja ka ruajtur lidhjet e ngushta me Al-Kaidën, që nga Shtetet e Bashkuara njihet si rrjet terrorist.

Gjithashtu, ky grup, në aspektin organizativ është bërë më i decentralizuar dhe ka zvogëluar numrin e sulmeve ndaj civilëve, thonë vëzhguesit.

“TTP-ja kryesisht ka për cak institucionet e sigurisë së Pakistanit dhe zyrtarët institucionalë, rrallë ka për cak civilët”, thotë Abdul Basit, një ekspert i kundërterrorizmit dhe sigurisë në Pakistan. “Në aspektin e retorikës, TTP-ja është larguar nga narrativi botëror dhe lokal xhihadist”, shton ai.

Po ashtu ka sinjale se TTP-ja ka nisur një luftë të re kundër interesave kineze në Pakistan, ku Pekini ka ndikim të konsiderueshëm politik dhe shpenzon miliarda dollarë në projektet infrastrukturore.

Lufta kundër Kinës në hotelin Serena në Kueta, kryeqytetin e provincës Baloçistan, sipas vëzhguesve, tregoi fuqinë e rritur operacionale të grupit militant.

Ky ishte sulmi i parë në Pakistan pas shumë vjetësh, ku u përdor një makinë e mbushur me eksplozivë, ose siç njihet nga ekspertët ushtarakë “makinë vetëvrasëses me mjete shpërthyese të improvizuara”, e njohur edhe me shkurtesën SVBIED.

Po ashtu, ky ishte sulmi i parë i madh në një zonë urbane i TTP-së, që prej se ky grup u ribashkua.

Sulmi në hotelin Serena në Kueta.
Sulmi në hotelin Serena në Kueta.

“Kjo tregon se TTP-ja ka rifituar kapacitetet për të kryer sulme me makina të mbushura me eksplozivë dhe për të goditur caqe që janë të mbrojtura mirë”, thotë Basit.

Por, sulmi me makinën e mbushur me eksplozivë, ku u vranë pesë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, gjithashtu ishte i rëndësishëm sepse ndodhi pikërisht në Baloçistan.

Jo vetëm që Baloçistani është shumë larg zonës që TTP-ja e konsideron si bastion, por gjithashtu ky rajon ka pasuri të mëdha natyrore dhe vitet e fundit ky vend është bërë edhe më i rëndësishëm.

Në Baloçistan është ndërtuar një port i ri në qytetit Gvadar, ku Kina ka investimet kryesore, që arrijnë vlerën e 65 miliardë dollarëve. Projekti – ku përfshihet porti, një aeroport, një autostradë dhe një spital – ka për qëllim që të lidhë provincën kineze Xinjiang me Detin Arabik.

Porti në Gvadar të Pakistanit.
Porti në Gvadar të Pakistanit.

Separatistët etnikë baloçë shpesh kanë sulmuar ndërtimet kineze në Baloçistan. Këta separatistë që nga vitit 2004 po zhvillojnë një kryengritje, ku janë vrarë mijëra njerëz. Banorët etnikë të kësaj province thonë se shteti po shfrytëzon resurset e provincës së tyre.

Vëzhguesit thonë se sulmi i TTP-së në hotelin Serena, ku ishte duke qëndruar ambasadori i Kinës në Pakistan, por që nuk ndodhej në hotel në momentin e sulmit, sugjeron se ky grup militant i është bashkuar luftës së banorëve lokalë kundër interesave kineze.

Pas sulmit, TTP-ja lëshoi një deklaratë ku tha se cak i sulmit ishin “personat lokalë dhe të huajt”. Çuditërisht, ky grup më pas tërhoqi atë deklaratë dhe lëshoi një të re, ku nuk ishte përfshirë fjala “të huajt”.

Ekspertët thonë se kjo mund të jetë pjesë e politikës së re të TTP-së që të mos sfidojë haptazi fuqitë e mëdha, siç kishte bërë në të kaluarën.

Një hulumtues lokal në rajonin fisnor të Vaziristanit Jugor, i cili u lejua që të vizitonte një prej kampeve të trajnimit të TTP-së, në kushte anonimiteti tregoi për Radion Evropa e Lirë se ky grup militant i ka bashkuar forcat edhe me grupet separatiste të Baloçistanit.

Ky burim, që nuk deshi të identifikohej nga frika e hakmarrjes, tha se TTP-ja i ofron trajnime ushtarake luftëtarëve të Baloçistanit. Në këmbim, separatistët e kësaj province e ndihmojnë TTP-në në aspektin logjistik në Baloçistan.

Kjo aleancë ka përkuar edhe me rritjen e sulmeve muajve të fundit kundër forcave të sigurisë së Pakistanit në Baloçistan.

Ekspertët thonë se separatistët e Baloçistanit, që shumica prej tyre janë sekularë, edhe në të kaluarën kanë pasur bashkëpunim taktik dhe transaksionar me grupet ekstremiste islamike.

Këtu përfshihet edhe aleatja kryesore e TTP-së, Al-Kaida, por edhe grupi militant, Shteti Islamik (IS) si dhe Lashkar-e Jhangvi, një grup militant sunit në Baloçistan, që kryen sulme ndaj myslimanëve shiitë të komunitetit Hazara, që kryesisht jetojnë në Kueta.

Baloçistani, që gjendet në kufi me Afganistanin, Iranin dhe me brezin fisnor të Pakistanit, është shtëpi e militantëve sektarë, të separatistëve dhe grupeve të huaja militante, përfshirë edhe Talibanët Afganë.

“IS-i dhe Al-Kaida kanë pasur një strategji që të krijojnë lidhje me lëvizjet lokale për çështje të ndryshme lokale”, thotë Ayesha Siddiqa, një eksperte e sigurisë nga Pakistani.

“Grupet në Baloçistan kanë bashkëpunuar me grupe të tjera që kanë pasur ideologji krejtësisht të ndryshme nga ta”, shton ajo.

Vëllezërit’ ujgurë

Talibanët pakistanezë dhe aleatët e tyre, së fundmi kanë rritur retorikën e tyre kundër Kinës.

Myftiu Abu Zar al-Burmi, një ideolog që ka ndikim të madh në grupet militante sunite, përfshirë TTP-në, në mars publikoi një audio-mesazh, ku dënoi shtypjen që i bën Pekini pakicave myslimane që jetojnë në Kinë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se vlerësohet se të paktën një milion ujgurë etnikë dhe minoritete të tjera myslimane, gjenden në kampe të internimit në provincën veriperëndimore, Xinjiang.

Pekini insiston se këto ndërtesa janë “qendra të edukimit” dhe kanë për qëllim që të luftojnë terrorizmin.

Burmi, një shtetas pakistanez me prejardhje rohingya, e ka akuzuar Kinën se ka “okupuar” këtë rajon dhe ka pretenduar se forcat kineze po përdhunojnë gratë myslimane në rajonin Xinjiang.

“Shtetet myslimane po heshtin. U bëj thirrje muxhahedinëve dhe talibanëve që të bëjnë diçka për këta myslimanë dhe për këto motra”, deklaroi Brumi. Referenca muxhahedinë përdoret nga myslimanët për personat që kryejnë xhihad apo luftë të shenjtë.

Më 2021, TTP-ja mori përgjegjësinë për vrasjen e një turisti kinez në qytetin veriperëndimor Peshavar, duke thënë se kjo vrasje ishte hakmarrje “ndaj vrasjeve të Qeveria kineze po bën ndaj vëllezërve tanë myslimanë në provincën e tyre Xinjiang”.

Ekspertët thonë se TTP-ja ka raporte të ngushta me Lëvizjen Islamike të Turkestanit Lindor (ETIM), një grup militant, që përbëhet kryesisht nga ujgurët.

Përpara ofensivës së madhe të ushtrisë pakistaneze më 2014, TTP-ja kishte trajnuar militantët e ETIM-së në rajonin fisnor të Vazisitanit Jugor, ku ky grup kinez kishte ngritur qendra të trajnimit.

Militantët e ETIM ishin strehuar në verilindje të Afganistanit pas ofensivës së autoriteteve pakistaneze më 2014. Shumë militantë të këtij grupi më pas shkuan në Siri, ku luftuan përkrah grupeve të lidhura me Al-Kaidën. Por, burimet lokale thonë se shumica nga këta militantë janë rikthyer në Afganistan.

Grupi ETIM ka lidhje të ngushta edhe me Talibanët Afganë. Më 2018, forcat amerikane në Afganistan thanë se përmes sulmeve ajrore kanë shkatërruar kampet e trajnimit të talibanëve në provincën Badakshan, kampe të cilat ishin mbështetur nga ETIM.

Atëbotë, komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s në Afganistan, James B. Hecker, tha se “militantët e ETIM kanë mbështetjen e talibanëve që janë në zonën malore të Badakshanit”.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se në Afganistan janë rreth 100 militantë të ETIM. Kombet e Bashkuara më 2020 kanë thënë se “rreth 500” militantë të lidhur me këtë grup, operojnë në Badakshan.

‘Përmirësimi i imazhit të TTP-së’

Disa burime lokale thonë se TTP-ja operon nga qarku Bermal i provincën afgane Paktika, që gjendet në afërsi të rajonit fisnor pakistanez të Vaziristanit Jugor, një ish-bastion i TTP-së. Më parë, grupi kishte seli në provincat lindore afgane Kunar dhe Nuristan.

Edhe pse shumica e vijës kufitare të Pakistanit prej 2,640 kilometrash është e siguruar me rrethoja, militantët e TTP-së kanë arritur që ta kalojnë kufirin malor, duke shkatërruar në disa pjesë këto rrethoja.

Ekspertët që studiojnë TTP-në, thonë se grupi ka rritur ndjeshëm burimet financiare përmes zhvatjes, kontrabandës dhe taksave që ka vendosur për vendasit dhe bizneset në zonat ku është aktiv.

Nën udhëheqësinë e re, TTP-ja po bëhet gjithnjë e më e decentralizuar, ku dhënia e autorizimeve të rëndësishme u është lënë komandantëve lokalë. Secili komandant lokal, udhëheq një njësi me rreth 25 deri në 30 luftëtarë. Kjo formë e organizimit është shumë ndryshe siç ishte në të kaluarën, ku caktoheshin komandant për zona të caktuara.

Ushtira pakistaneze gjatë një aksioni kundër militantëve talibanë në Vaziristanin Verior më 2014.
Ushtira pakistaneze gjatë një aksioni kundër militantëve talibanë në Vaziristanin Verior më 2014.

Një raport i përpiluar nga një ekip monitorues i OKB-së u publikua në qershor të vitit 2020, ku thuhej se deri në 6,500 militantë pakistanezë janë në Afganistan dhe shumica prej tyre janë anëtarë të TTP-së.

Ky grup militant gjithashtu raportohet se ka zvogëluar numrin e sulmeve ndaj civilëve.

“Politika e re është e ngjashme me strategjinë e Talibanëve Afganë”, tha një hulumtues, që foli në kushte anonimiteti. “Kjo do të thotë që të shfrytëzosh dobësitë e qeverisë dhe ankesat e qytetarëve, për të përmirësuar imazhin e TTP-së”.

Ka frikë se Pakistani, në mungesë të arritjes së një marrëveshjeje të paqes në Afganistan, do të zhytet në luftë civile, pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare në muajin shtator.

Një situatë e tillë mund ta forcojë dhe inkurajojë TTP-në, duke i lejuar që të zgjerohet dhe të rrisë sulmet në tokën pakistaneze.

Udhëheqësia e TTP-së dhe e Al-Kaidës i kanë shprehur besnikëri udhëheqësit të Talibanëve Afganë, Mullah Haibatullah Akhundzada. Të dy grupet kanë pikëpamje të ngjashme ideologjike dhe organizative me aleatin e tyre afgan.

Disa ekspertë thonë se TTP-ja paraqet kërcënim edhe për Afganistanin, ku ka kryer edhe disa sulme.

“Pas tërheqjes (së trupave ndërkombëtare nga Afganistani), autoritetet pakistaneze presin që TTP-ja të vazhdojë të mbështesë Talibanët Afganë dhe të përfshihen edhe më tej në Afganistan. Atje do të kenë më shumë hapësirë për të shkatërruar dhe për të luftuar sesa në Pakistan”, tha Siddiqa.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG