Ndërlidhjet

Një nga ditët më të errëta të Ukrainës nuk po mbaron ende


Njerëzit vendosin lule në memorialin kushtuar njerëzve që vdiqën në përleshjet e vitit 2014 me forcat e sigurisë në Kiev. Shkurt, 2020.
Njerëzit vendosin lule në memorialin kushtuar njerëzve që vdiqën në përleshjet e vitit 2014 me forcat e sigurisë në Kiev. Shkurt, 2020.

Shkruan: Dan Peleschuk

Gati shtatë vjet pasi protestat e Maidanit në kryeqytetin e Ukrainës arritën një kulm të përgjakshëm, vendi ku protestuesit u përplasën me forcat e sigurisë mbetet skenë krimi.

Hetuesit besojnë se atje mund të ketë të dhëna të rëndësishme, për të vërtetuar se kush i vrau dhjetëra demonstrues anti-qeveritarë atje, më 20 shkurt të vitit 2014.

Lëvizja vdekjeprurëse që zgjati disa muaj, çoi në rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili thuhet se është përgjegjës për hapjen e zjarrit nga ana e forcave të tij të sigurisë.

Përpjekjet për të nderuar viktimat dhe lëvizjen e tyre me një kompleks përkujtimor kanë ngecur - çfarë nxjerr në pah vështirësitë për përafrimin e kombit.

“Ne kemi nevojë për përgjigje se çfarë ndodhi, kush dha urdhra, kush hapi zjarr mbi njerëzit dhe pse ndodhi kjo”, thotë Serhiy Horbatyuk, ish-prokuror, i cili ka mbikëqyrur hetimet e shtetit për krime kundër demonstruesve në Maidan.

Rasti nuk është mbyllur

Autoritetet ukrainase kanë paditur mbi 200 njerëz për krime kundër demonstruesve, njoftoi prokurorja e përgjithshme, Iryna Venediktova, në fund të vitit të kaluar, ndërsa Yanukovych është dënuar në mungesë për tradhti, për shkak të rolit të tij në përpjekjet për të shtypur protestat.

Por, të dyja qeveritë e post-Maidanit në Ukrainë akuzohen për zvarritje në dhënien e drejtësisë, ndërsa Kremlini dhe mbështetësit e tij në Ukrainë vazhdojnë të punojnë për të diskredituar trashëgiminë e Maidanit.

Protestat, që zgjatën tre muaj, shpërthyen pasi Qeveria e Yanukovychit braktisi planet për nënshkrimin e një pakti politik dhe ekonomik me Bashkimin Evropian, në nëntor të vitit 2013. Protestat bashkuan kampe të ndryshme politike dhe qytetarë në të gjithë Ukrainën.

Më shumë se 100 demonstrues u vranë gjatë lëvizjes - 49 prej tyre vetëm më 20 shkurt.

Mbi 20 oficerë të implikuar në vrasje i shpëtuan ndjekjes penale, duke ikur në Krimenë e aneksuar nga Rusia, në zonat e kontrolluara nga separatistët e Ukrainës lindore, ose në Rusi. Ata përfituan nga refuzimi i Moskës për ekstradim. Pesë që mbetën në Kiev, u nxorën para gjyqit në vitin 2015.

Ndërsa pesë të tjerë: Serhiy Tamtura, Oleksandr Marynchenko, Pavlo Abroskin, Serhiy Zinchenko dhe Oleh Yanishevskiy u liruan në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve me separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Derisa dy u kthyen më vonë, Abroskin, Zinchenko dhe Yanishevskiy mbeten jashtë qasjes së prokurorëve ukrainas.

Yevhenia Zakrevska, avokate e një grupi paditësish në këtë rast, fajëson udhëheqjen e Ukrainës - veçanërisht presidentin Volodymyr Zelenskiy - për lejimin e oficerëve që të ikin nga përgjegjësia.

“Kjo ishte një fyerje e tmerrshme për drejtësinë”, thotë Zakrevska.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe gruaja e tij, Olena, bëjnë nderimet e tyre në memorialin kushtuar njerëzve që vdiqën në përleshjet me forcat e sigurisë në Kiev, në vitin 2014.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe gruaja e tij, Olena, bëjnë nderimet e tyre në memorialin kushtuar njerëzve që vdiqën në përleshjet me forcat e sigurisë në Kiev, në vitin 2014.

Ajo çfarë e komplikon tutje situatën është legjislacioni aktual, i cili është i turbullt kur bëhet fjalë për ndjekjen penale të njerëzve në mungesë. Kështu që, fati i Tamturas dhe Marynchenkos mund të përcaktohet nga një gjykatë këtë vit, por procedurat kundër tre të tjerëve mbeten të ngrira.

“As presidenti, i cili ka një shumicë në Parlament, as vetë deputetët pro-presidencialë nuk kanë hartuar një projekt-ligj, që do ta zgjidhte këtë problem”, thotë Zakrevska.

Ajo beson se është e rëndësishme që të ndiqet rasti, pjesërisht për të ndihmuar që ngjarje të ngjashme, të mos ndodhin më kurrë.

Kjo është edhe arsyeja përse ajo dhe klientët e saj lobuan te Horbatyuk, për të kërkuar një urdhër gjykate, që do t’i ndalonte ndërtimet e memorialit në rrugën Instytutska, në sheshin Maidan.

Avokatja thotë se zona duhet të mbetet e paprekur, të paktën derisa të jepet vendimi i parë që përfshin oficerët e implikuar në vrasje.

Zakrevska po ashtu pretendon se ka të dhëna të reja dhe prova fotografike, si dhe dëshmi të dëshmitarëve, që ende duhet të ndërlidhen me skenën.

Kjo, tani për tani, vjen në kurriz të përfundimit të ndërtimit të memorialit që “do të sillte të vërtetën” rreth lëvizjes Maidan, thotë Ihor Poshyvailo, drejtor i kompleksit.

Poshyvailo thotë se “situatat me të vërtetë komike” - të cilat Horbatyuk i përshkroi si aktivitete të nevojshme për forenzikën - kanë kontribuar në vonesa.

Në nëntor të vitit të kaluar, policia kontrolloi shtëpinë dhe zyrën e Poshyvailos, në kuadër të hetimeve mbi pretendimet se paratë për ndërtimin e memorialit janë vjedhur.

Me kërkesë të një partie opozitare pro-ruse, hetuesit e shtetit po ashtu nisën të shikojnë pretendimet se udhëheqësit e Maidanit kanë organizuar puç - gjuhë kjo e përdorur nga Kremlini.

Poshyvailo thotë se fondet janë tashmë në xhepat e kontraktorëve, puna e të cilëve u ndërpre.

Ndërkohë, edhe ata që janë të bashkuar në kërkimin e drejtësisë për krimet në Maidan, e gjejnë veten të ndarë për këtë çështje.

Vitaliy Tytych, një avokat që përfaqëson familjet e disa protestuesve të rënë, beson se puna shtesë hetimore në rrugën Instytutska është e panevojshme, për shkak të provave të panumërta që hetuesit kanë mbledhur përpara se ta dërgonin rastin në gjykatë.

Ai nuk beson se duhen pezulluar planet për ndërtimin e memorialit.

Shumë më e dobishme, sipas tij, do të ishte krijimi - pa e mitologjizuar - i kontekstit të lëvizjes së Maidanit dhe pasojave që ka vrasja e protestuesve për brezat e ardhshëm.

“Të kuptuarit saktësisht se çfarë ka qenë Maidani - nga fillimi në fund - është një dalje nga situata në të cilën [presidenti rus Vladimir] Putin na ka bashkuar”, thotë Tytych.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG