Ndërlidhjet

Një vit nga shpërthimi vdekjeprurës në Bejrut


Makina të shkatërruara nga shpërthimi në portin e Bejrutit më 4 gusht 2020.

Emmanuelle Khnaisser ka qenë në sallë të lindjes gjithë ditën më 4 gusht 2020.

Pesë kate më poshtë, Jessica Bezdjian ka qenë duke hyrë në Spitalin Shën Xhorxh në Bejrut. Ajo ka arritur një orë më herët për ndërrimin e saj 12-orësh në Departamentin e Psikiatrisë.

Papritur, gjithçka ka shpërthyer.

Në secilën dhomë dritaret janë thyer. Dyert janë flakur tutje, tavanet kanë rënë dhe pajisjet janë rrëzuar. Një valë pluhuri ka mbuluar dhomat dhe korridoret. Në errësirë dhe kaos është dëgjuar zhurma e pacientëve, mjekëve dhe infermierëve të përgjakur.

Një prej qendrave mjekësore më prestigjioze dhe më të vjetra në Bejrut, Shën Xhorxh gjendet afër bregut të Mesdheut, rreth 900 metra nga porti i Bejrutit. Më 4 gusht të vitit 2020, qindra tonë të nitrat të amonit, jo të ruajtura si duhet, kanë shpërthyer duke shënuar një nga incidentet më të mëdha jobërthamore në histori.

Shpërthimi i orëve të pasdites ka shkatërruar lagje të tëra, ka lënë të vdekur të paktën 214 persona, duke përfshirë 22 në Spitalin Shën Xhorxh.

Një vit më vonë, secili moment i asaj dite mbetet në mendjet e atyre që e kanë përjetuar atë moment. Shumë persona kanë ende trauma psikologjike.

Disa ende vuajnë për humbjet e më të dashurve të tyre, të tjerë tentojnë të kuptojnë se çfarë do të thotë të mbijetosh.

“Ka qenë momenti më i lumtur në jetën time dhe më i keqi në të njëjtën kohë”, ka thënë Edmond Khnaisser, burri i Emmanuelle, për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Lindje dy javë para kohe

Emmanuelle është shtrirë në spital për të lindur dy javë para kohe. Ajo dhe burri i saj janë ngutur për të shkuar në spital në mëngjesin e 4 gushtit, dhe ajo ka zënë një dhomë në katin e pestë të spitalit.

Së bashku kanë pritur të birin e tyre George, emër që ia kanë lënë para se foshnja të vinte në jetë.

Porti i Bejrutit para dhe pas shpërthimit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Në periferi të Bejrutit, gjatë pasdites, Chouchan Yeghiyan e ka zgjuar nga gjumi vajzën e saj Jessica për t’u bërë gati. Ajo zakonisht ka fjetur pjesën më të madhe të ditës, meqë ka qenë duke punuar në ndërrim të natës në spital. Ajo e ka dashur shumë punën e saj dhe ka qenë duke ruajtur para për të kryer studimet në nivelin master.

Ajo ka ngrënë dhe është pastruar. Kur motra e saj e vogël, Rosaline ka arritur në shtëpi, Jessica ka marrë makinën dhe është nisur.

“Do të doja të mos e kisha zgjuar atë ditë”, ka thënë nëna e saj me lot në sy.

Gjak dhe kaos

Emmanuelle ndërkohë ka nisur procesin e lindjes në orën 5:45 të pasdites së 4 gushtit. Kur burri i saj ka kërkuar të ketë qasje në sallë, ka shpërthyer gjithçka.

Tavanet dhe dritaret kanë rënë mbi Emmanuelle, ndërsa xhami e ka mbuluar në pjesën e poshtme të trupit. Një mjek ka rënë nën krevat dhe një tjetër është goditur nga rrënojat.

Uniformat e tyre bardhë e blu janë mbushur me gjak. Makina që regjistronte rrahjet e zemrës së foshnjës është thyer.

“Kam qenë e shokuar. Nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte”, ka thënë Emmanuelle.

Disa incizime të realizuara me telefon të Edmondit kanë dokumentuar panikun. Në një material ai dëgjohet duke bërtitur, “Ku është gruaja ime? Qëndroni në vend. O Shën Maria”.

Ndonëse ishte i gjakosur edhe vetë, Edmondi ka nisur të heqë copat e xhamit nga trupi i gruas së tij.

Lindja nuk ishte realizuar dhe procesi duhej të niste nga fillimi. Mjekët më pas e kanë bartur nënën në një korridor për emergjenca, ku ka pasur më pak dëm.

Ajo ka qenë tejet e shqetësuar dhe nuk e ka ditur nëse foshnja ka qenë gjallë. Një mjek i ka vënë një monitor në stomak dhe për pak momente ata kanë dëgjuar të rrahurat e zemrës.

“E kam ndjerë se kam arsye për të jetuar. Kam thënë se duhet të bëjë gjithçka që mundem sepse kam përgjegjësi të madhe që George të bëhet pjesë e kësaj jete”, kujton Emmanuelle.

Ajo ka menduar për prindërit e saj, për prindërit e burrit të saj, ka mbledhur gjithë fuqinë dhe ka hequr gjithë energjinë negative për t’u koncentruar.

Teksa ajo ka qenë duke lindur, në afërsi të saj ka dëgjuar njerëz duke bërtitur dhe sirena të ambulancës duke u aktivizuar. Njerëzit kanë vrapuar përreth saj, në kërkim të familjarëve të tyre.

Teksa mbrëmja është afruar, mjekët kanë vazhduar lindjen me drita të telefonave të tyre.

Çifti kthehet në hotelin e shkatërruar ku do mbahej dasma
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:32 0:00

Edmondi ka ikur për një moment për të parë si është nëna e tij, e cila ka thyer brinjët, ndërsa babai ka pësuar plagë në kokë.

Pasi është kthyer, mjekët kanë nxjerrë foshnjën. Në 7:18 të mbrëmjes, vogëlushi me sy ngjyrë kafe ka lindur. Vetëm 71 minuta pas shpërthimit.

“Kur George ka lindur, nuk kam besuar se po qan. Nuk kam besuar se djali im ka lindur”, ka thënë Emmanuell duke qarë.

“Kur ma kanë vënë në krah, jam ndjerë shumë në faj dhe i kam thënë ‘Më fal jeta ime që linde në këtë mënyrë’”.

Në një nga incizimet e Edmondit, një infermiere mund të dëgjohet duke mbajtur foshnjën dhe duke ia dhënë nënës.

“Ai është aq i bukur” dëgjohet duke thënë infermierja.

Mesazhet e fundit të Jessicas

Zakonisht kur Jessica ka arritur në punë, ajo i ka dërguar nënës së saj mesazhe dashurie. Atë ditë i ka dërguar figurën e engjëllit. Dy minuta pas mesazhit është dëgjuar një zhurmë e madhe, edhe gjashtë kilometra larg portit.

Kur prindërit e saj kanë parë lajmin, nëna e Jessicas ka bërtitur se po ndjen diçka në zemër.

“Ndoshta vajza ka vdekur”.

Burri i saj dhe motra më e madhe kanë dalë nga shtëpia dhe kanë shkuar në spital ndërsa nëna e Jessicas ka tentuar ta kontaktojë vazhdimisht në telefon. Ajo më pas u ka kërkuar fqinjëve që ta dërgojnë në spital. Meqë trafiku ka qenë i bllokuar, nëna e vajzës ka dalë nga makina dhe ka ndalur një burrë me motoçikletë, dhe është nisur drejt spitalit.

Babai dhe vajza e Jessicas kanë arritur të parët. Atyre u është thënë se vajza është në repartin e emergjencës. Ata kanë menduar se ajo është duke iu ndihmuar të plagosurve.

Vajzën e kanë njohur nga këpucët. Ajo ka qenë e shtrirë në spital dhe mjekët kanë qenë duke i dhënë frymëmarrje artificiale.

Babai i vajzës e ka parë qafën e saj plot gjak dhe i është ulur afër.

“Ia kam hequr këpucët dhe ia kam puthur këmbët”, kujton ai duke iu dridhur zëri.

“E kam lutur Zotin që të marrë frymëmarrjen time dhe t’ia jap asaj”.

Kur nëna e vajzës ka arritur në spital dhe e ka parë në atë gjendje, menjëherë është alivanosur.

Jessica ka vdekur nga plagët në momentin që ka lindur George.

Spitali ka qenë në krizë serioze. Dëmi ka qenë i madh, andaj spitali është mbyllur për herë të parë, prej kur është themeluar më 1878. Stafi ka evakuuar pacientët, ndërkohë që persona tjerë kanë nisur të kërkojnë ndihmë.

Mjeku Alexandre Nehme, shefi mjekësor i spitalit u ka thënë personave që kanë kërkuar ndihmë se “ne nuk ekzistojmë më”.

Ndërkohë në katin e pestë, Edmond ka mbajtur afër djalin e sapolindur, duke u frikësuar se po i humb në gjithë atë kaos. Mjekët u kanë thënë prindërve se duhet ta largojnë foshnjën nga spitali.

Emmanuelle është larguar me karrige lëvizëse, ndërsa Edmond ka tentuar të kontaktojë secilin person që i ka rënë në mend për t’i ndihmuar që të dalin nga ai ambient.

Ata kanë ecur më pas nëpër rrënoja, derisa një familjar i është afruar deri në një distancë spitalit.

Ata janë larguar rreth 8 kilometra nga qendra e Bejrutit derisa kanë arritur në një spital.

Përgjatë rrugës foshnja ka fituar infeksion dhe pas një jave trajtimi, familja ka shkuar në shtëpi.

Ceremonia e varrimit të Jessicas

Familja e Jessicas ka shkuar në shtëpi para mesnatës së 4 gushtit. Ditën tjetër, spitali i ka telefonuar.

Mjekët u kanë kërkuar familjarëve të marrin trupin e viktimës, sepse nuk ka pasur energji elektrike në morg.

Bejruti ndërton skulpturë për të kujtuar shpërthimin
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Ata kanë pritur katër ditë derisa të afërmit, që jetojnë në vende tjera, kanë arritur për varrim. Ceremonia i ka ngjarë asaj të dasmës, siç është traditë në Liban për ata që vdesin të rinj. Të gjithë vishen me të bardha dhe prifti i Kishës Katolike armene kryen lutjet që duhen bërë nëpër martesa.

“E falënderoj Zotin që kemi arritur ta varrosim gjithë trupin e vajzës”, ka thënë babai i viktimës, duke përmendur se shumë persona në Bejrut është dashur të varrosin vetëm copëza të trupave të viktimave.

Më pas në nëntor, kur Jessica do të duhej të festonte ditëlindjen e 23-të, familja ka shkuar afër varrit dhe e ka shënuar atë ditë.

“Dritë e rrallë në gjithë errësirën”

Në banesën e tyre në Bejrut, Emmanuelle dhe Edmond e shikojnë tani djalin e tyre teksa luan në dhomë.

Ata do ta festojnë ditëlindjen e tij të parë disa ditë pas 4 gushtit, si shenjë respekti për personat që kanë humbur të dashurit e tyre një vit më parë.

Edmond, me shtetësi të Libanit dhe Kanadasë, ka thënë se pavarësisht gjendjes jashtëzakonisht të vështirë në Liban, çifti nuk ka synim largimin.

Ata shpresojnë se djali i tyre do të bëhet me motër ose vëlla në të ardhmen.

Emmanuelle tregon se dikush i ka thënë që foshnjat kuptojnë gjithçka çfarë ndodh afër tyre.

Ajo ka thënë se një ditë do t’i tregojë vogëlushit George për lindjen e tij në shpërthim.

“Do t’i tregoj se lindja e tij ka qenë dritë e rrallë në gjithë errësirën”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG