Ndërlidhjet

OBSH miraton përdorimin e vaksinës kineze


Një dozë e vaksinës Sinovac.
Një dozë e vaksinës Sinovac.

Organizata Botërore e Shëndetësisë miratoi për përdorim emergjent vaksinën kineze kundër koronavirusit, Sinovac.

Kjo është vaksina e parë e zhvilluar në një vend joperëndimor që merr miratimin e OBSH-së.

Kina tashmë ka vaksinuar disa miliona njerëz me këtë vaksinë, ndërsa ajo është shpërndarë edhe në dhjetëra vende të tjera.

Drita jeshile nga OBSH-ja është një udhëzues për rregullatorët kombëtarë se vaksina është e sigurt dhe efektive.

Disa rregullatorë shëndetësorë, sidomos në vendet më të varfra në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi, e kanë miratuar tashmë vaksinën kineze.

Por, miratimi nga OBSH-ja do të thotë se vaksina mund të përdoret edhe në programin global Covax, i cili synon të sigurojë rreth dy miliardë vaksina për vendet në zhvillim.

Deri më tash, Covax ka shpërndarë rreth 50 milionë doza vaksinash - 24,000 prej tyre (AstraZeneca) edhe në Kosovë.

Një nga avantazhet kryesore të vaksinës Sinovac është se ajo mund të ruhet në një frigorifer standard, në 2 - 8 gradë Celsius, njësoj sikurse vaksina e kompanisë anglo-suedeze AztraZeneca.

Për krahasim, vaksina e prodhuesit amerikan Pfizer dhe atij gjerman BioNTech duhet të ruhet në temperatura ultra të ftohta: -70 gradë Celsius.

Testimet e vaksinës Sinovac në Brazil kanë treguar se efikasiteti i saj është 50.4 për qind - pak mbi pragun 50%, që është i nevojshëm për miratim nga OBSH-ja.

Testimet e tjera në Turqi dhe Indonezi, megjithatë, kanë treguar një shkallë më të lartë të efikasitetit.

XS
SM
MD
LG