Ndërlidhjet

Opozita maqedonase paralajmëron mbi 200 padi për referendumin


Opozita në Maqedoni konsideron se dalja në referendumin e së dielës ka qenë edhe më e ulët se 36 për qind sikur të mos manipulohej me votimin.

VMRO DPMNE-ja do të ngrejë padi kundër më shumë se 200 anëtarëve të këshillave zgjedhore nga disa qytete të banuara me shqiptarë, si Struga, Kërçova, disa zona të Tetovës dhe të Shkupit. Ajo pretendon në falsifikimin e të paktën 50 mijë votave, edhe pse KSHZ-ja që drejtohet nga kuadër i VMRO-së, procesin zgjedhor e kishte vlerësuar si kryesisht demokratik, ngjashëm sikur edhe misioni vëzhgues i OSBE-së.

Opozita, ndërkohë mbetet edhe në qëndrimin për të mos mbështetur ndryshimet kushtetuese në Kuvend, pa të cilat marrëveshja për emrin me Greqinë nuk mund të zbatohet.

“Deputetët e VMRO DPMNE-së nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Deputetët e VMRO-së janë të zgjedhur nga populli dhe vullneti i popullit duhet të respektohet. Referendumi ka dështuar dhe më këtë edhe marrëveshjen me Greqinë, pasi populli nuk ka pranuar një marrëveshje që shlyen historinë, identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me maqedonasit”, ka deklaruar deputetja e VMRO-së, Dafina Stojanoska.

Por, përkundër kësaj, kryeministri Zoran Zaev, ka njoftuar zhvillimin e takimeve me çdo deputet të Kuvendit për të siguruar mbështetjen dhe se rezultati i këtyre takimeve, sipas kreut të qeverisë, do të bëhet i ditur më së voni deri më 10 tetor. Partitë e koalicionit qeverisës aktualisht kanë 72 deputetë, por për të kaluar ndryshimet nevojiten dy të tretat apo 80 vota.

Nga ana tjetër, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, ka nisur konsultimet brenda partiake mbi gjendjen e krijuar duke i dhënë mbështetjen Marrëveshjes nënshkruar me Greqinë. Kjo parti vlerëson se “për momentin prioritet i vendit është gjetja e zgjidhjes në Kuvend për zbatimin e Marrëveshja së Prespës.

“Është koha historike për një unitet ndëretnik dhe brenda etnik te komunitetet për të kapërcyer këtë sfidë me të cilën po ballafaqohemi. Kjo për të garantuar të ardhmen e vendit dhe të gjeneratave që vijnë, për të garantuar stabilitetin, paqen, për të mbajtur njerëzit këtu, për një mirëqenie më të mirë ekonomike”, ka deklaruar Osmani

BDI-ja gjithashtu vlerëson se për momentin nuk është koha për zgjedhje parlamentare të parakohshme, me të cilat sipas saj do të rrënohet dinamika e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, gjë që si thuhet në konkluzionet e miratuara, mund të sjell deri tek një bllokadë serioze të procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Njohësit e çështjeve politike thonë se në rrethanat në të cilat ndodhet vendi, zgjedhjet janë të pashmangshme, por ato sipas Xhelal Nezirit mund të shkelin afatet për zbatimin e marrëveshjes për emrin, pasi para zgjedhjeve duhet të formohet qeveri teknike me mandat organizimin e zgjedhjeve, si dhe Komision i ri Shtetëror i Zgjedhjeve pasi komisioni i tanishëm kishte mandat vetëm se për organizimin e referendumit.

“Kjo mund të merr kohë, janë procedurat institucionale që kanë të bëjnë me përbërjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe me formimin e qeverisë së llojit të marrëveshjes së Përzhinës, qeveri e cila do të organizonte zgjedhjet. KSHZ-ja tani kishte mandat vetëm se për referendumin dhe tani këto çështjen kërkojnë përfshirjen edhe të opozitës dhe çdo veprim destruktiv nga ana e saj do të bënte që procesi të mos shkojë përpara dhe zgjedhjet të mos shihen si zgjidhje në raport me ndryshimet kushtetuese dhe zbatimin e marrëveshjes për emrin”, thotë Neziri.

Si datë të mundshme për zgjedhjet, kryeministri Zaev ka përmendur 25 nëntorin, por bazuar në aspektet teknike dhe kërkesat e opozitës për qeveri teknike, prokuror të ri shtetëror e çështje tjera, kjo datë edhe mund të mos arrihet duke rrezikuar kështu përkeqësimin e gjendjes politike, por edhe duke shtyrë afatet për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, e cila ishte paraparë që në Maqedoni të zbatohet më së voni deri nga mesi i janarit, por ti hapur më pas rrugën ratifikimit të saj edhe në Parlamentin e Greqisë.

XS
SM
MD
LG