Ndërlidhjet

Çka pret opozita nga takimi Kurti-Vuçiq?


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Për shkak të masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndaj Kosovës, pozita e kryeministrit Albin Kurti në rundin e ri të dialogut me Serbinë është e pafavorshme, thonë përfaqësues të partive opozitare në Kosovë.

Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në agjendë të bisedimeve, siç ka paralajmëruar ndërmjetësuesi i procesit, Bashkimi Evropian, janë zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe “çështjet aktuale”.

BE-ja ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës - përfshirë pezullim të takimeve të nivelit të lartë dhe të fondeve - për shkak të, siç është thënë, mungesës së angazhimit të Qeverisë për uljen e tensioneve në veri të vendit.

Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe janë rritur në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje, nën përcjelljen e policisë, janë vendosur në objektet komunale.

Grupe të serbëve lokalë kanë reaguar me protesta - në disa raste edhe të dhunshme.

Pas kërkesave të BE-së, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa për shtensionimin e situatës, duke zvogëluar praninë policore në objektet komunale në veri, por, sipas BE-së, zgjedhjet e parakohshme në këtë zonë duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

PDK: Sanimi i dëmit, përparimi më i madh

Abelard Tahiri, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ulet në tryezën e dialogut me Serbinë si palë e dëmtuar, për shkak të masave të BE-së ndaj saj.

Ai fajëson kryeministrin Kurti për, siç thotë, veprimet e Qeverisë së vendit, të cilat kanë sjellë masa ndëshkuese nga BE-ja.

Tahiri nuk pret ndonjë rezultat konkret nga rundi i sotëm i bisedimeve në Bruksel.

“Sanimi i dëmit është përparimi më i madh që ai [Kurti] mund ta bëjë. Por, unë nuk shoh vullnet nga ana e tij që të sanohet ky dëm. Përkundrazi, shoh një angazhim të tij që ta thellojë krizën. Ky thellim i krizës i konvenon më së shumti Serbisë dhe bandave kriminale, të cilat janë instaluar tashmë në veri të vendit dhe e duan një veri të Kosovës pa institucione të Kosovës”, thotë Tahiri.

LDK: Vështirë se do të arrihet një përparim i madh

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se kërkesë e vazhdueshme e Serbisë ndaj Kosovës është zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E arritur në vitin 2013, kjo marrëveshje nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë se mund ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Tema e Asociacionit, sipas Hazirit, pritet të shtrohet edhe në takimin e sotëm në Bruksel, në kuadër të diskutimeve për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Partnerët ndërkombëtarë, ndërmjetësit ndërkombëtarë presin datë konkrete për zgjedhjet [e parakohshme në veri] dhe për draft-statutin e Asociacionit. Është vështirë që të arrihet një përparim i madh, përkundër pritjes që e kemi që, së paku, të lëvizet nga pika zero”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

AAK: Kurti dhe Vuçiq janë larg njëri-tjetrit me qëndrime

Nga takimi i sotëm në Bruksel nuk pret ndonjë rezultat pozitiv as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj.

Sipas tij, pozicionet e Kosovës dhe të Serbisë janë të qarta dhe të ngurta për sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe - temë që, siç thotë Lekaj, pritet të diskutohet sot në Bruksel.

Lekaj thotë se pala serbe këmbëngul në një Asociacion me kompetenca ekzekutive, ndërsa Kurti e kundërshton një të tillë. Në këtë pikë, sipas Lekajt, Kurti ka mbështetjen e partisë së tij.

“Kjo do të thotë se nuk presim ndonjë anë pozitive nga Vuçiqi. Por, edhe për shkak të qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, mendoj se ata të dy janë larg njëri-tjetrit”, thotë Lekaj për Radion Evropa e Lirë.

Si të lëvizet nga “pika zero”?

Tahiri, nga PDK-ja, thotë se Qeveria e Kosovës nuk e ka më mbështetjen e partisë së tij në dialogun me Serbinë. Sipas tij, shtegdalje do të ishte largimi i kësaj qeverie.

“Një kryeministër që përfaqëson vendin, të cilin e ka futur nën sanksione të Bashkimit Evropian, nuk është i besueshëm për të arritur marrëveshje dhe për ta vendosur Kosovën në rrugë të drejtë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, thotë Tahiri.

Haziri thotë se LDK-ja e konfirmon mbështetjen për dialogun, i cili, siç shprehet, synim përfundimtar duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Por, sipas tij, pritjet nga dialogu, tash për tash, nuk janë të mëdha.

“... së paku pres që të lëvizet nga pika zero, një lloj dinamike që mund të ndërtohet, në mënyrë që t’i iket zgjerimit të listës së ndëshkimeve [nga BE-ja]”, thotë Haziri.

Sipas Lekajt nga AAK-ja, duhet gjetur një zgjidhje që do t’i përmirësonte raportet me partnerët ndërkombëtarë, pa mbështetjen e të cilëve Kosova do ta ketë të vështirë dialogun me Serbinë.

Për ta rikthyer këtë mbështetje, thotë Lekaj, Kurti duhet të lëshojë pe, duke nisur nga krijimi i situatave lehtësuese për zgjedhjet në veri.

“Duhet patjetër që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të japin dorëheqje dhe veriu të shkojë në zgjedhje”, thotë Lekaj.

Qeveria e Kosovës ka nxjerrë tashmë një udhëzim administrativ, që, siç është thënë, u hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri.

Megjithatë, njohësit e çështjeve juridike kushtetuese kanë thënë se ky dokument vështirë se mund të çojë në zgjedhje.

Edhe Lekaj shpreh bindjen se ai do të hasë në pengesa kushtetuese dhe se do ta zvarrisë procesin. Kjo, sipas tij, do ta thellojë pastaj edhe hendekun me partnerët ndërkombëtarë.

Takimi i sotëm Kurti-Vuçiq është i pari në më shumë se katër muaj.

Ata janë takuar për herë të fundit më 2 maj - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, nga të cilat kanë dalë kryetarët shqiptarë, pasi procesi është bojkotuar nga popullata lokale serbe.

XS
SM
MD
LG