Ndërlidhjet

Opozita, më e zhurmshme jashtë sesa brenda Kuvendit


Kuvendi i Kosovës. 5 shtator, 2018.

Më shumë se një vit nga konstituimi i legjislaturës së gjashtë, e veçanërisht që nga fillimi i këtij viti, Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur të funksionojë si duhet dhe vazhdimisht është përballur me problematika të ndryshme, kryesisht të natyrës politike.

Muajve të fundit, partitë opozitare kanë iniciuar nisma dhe kanë propozuar në shumë raste seanca të jashtëzakonshme. Por, sipas njohësve të zhvillimeve politike si dhe monitoruesve të punës se Kuvendit, këto seanca të jashtëzakonshme nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Partitë opozitare, kryesisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po paraqiten me nisma e kërkesa për seanca të jashtëzakonshme, por sapo nuk po arrijnë të sigurojnë përkrahjen për temat që i ngrisin, e lëshojnë sallën e Kuvendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës si subjekti më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, thotë se si parti janë duke ushtruar mandatin kushtetues me përgjegjësi para qytetareve të vendit. Deputeti Armend Zemaj tha se LDK-ja kërkon debate, mocione e interpelanca për të dhenë alternativa dhe për të tërhequr vërejtje mbi papërgjegjësinë institucionale.

"Ka rezultate, nuk janë të prekshme sepse kemi të bëjmë me një Qeveri e cila nuk e dëgjon Kuvendin. Ajo ka ndërtuar relacion kushtetues mbi Kuvendin në vend se t'i përgjigjet, ajo e mbikëqyrë në njëfarë forme me këtë mazhorancë. Por, vërejtjet sugjerimet, alternativat që ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës në disa aspekte janë marrë nga Qeveria, por me disa nuanca të përvetësimit të meritave, që është në logjikën e tyre se si funksionojnë", thotë Zemaj.

Ai thotë se LDK-ja do të vazhdojë të tërheqë vërejtjen për papërgjegjësi institucionale, të cilën, siç thotë ai, e ka ndërtuar Qeveria e Kosovës si në relacion me Kuvendin, ashtu edhe me publikun.

Kurse, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se opozita pavarësisht numrave që i ka në Kuvend, është opozita e dobët.

Ai thotë se opozita është e dobët pikërisht për shkak të iniciativave që nuk mund t'i çojë përpara dhe të cilat më tepër, siç thotë ai, i ndërmerr për të treguar fuqinë politike të partive opozitare sesa për të arritur diçka.

"Ne kemi pa këtë pafuqi të opozitës dhe mund të them joseriozitet të opozitës edhe në rastin kur duhej të miratohej në fakt rezoluta që kishte të bënte me vazhdimin e dialogut me Serbinë, aty munguan një pjesë e deputetëve të opozitës dhe qasja ishte totalisht joserioze. E njëjta qasje, them unë, po vazhdon që të ndodhë edhe me këto iniciativat tjera, ku më tepër opozita po fokusohet që të organizojë të tilla debate të tilla, diskutime ose rezoluta, me idenë që të na tregojë se është aty dhe është serioze, por në fakt rezultatet nuk po dalin të jenë të tilla", tha Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se po të ishte serioze opozita dhe po ta kishte me të vërtetë opozitë në Kuvend, atëherë do të ishte e pritshme që rezoluta e propozuar për dialogun me Serbinë dhe iniciativat e tjera, të miratoheshin dhe jo të dështonin.

"Mu për këtë shkak opozita tash po sillet në njëfarë rrethi vicioz, nga i cili nuk po mund të dalë dhe po përpiqet që përmes iniciativave të tilla, të na tregojë se po bënë punën e vet", u shpreh Mushkolaj.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese dhe monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi aktualisht ka çështje të diskutimit, që janë paraparë për shqyrtim që nga muaji qershor, por që nuk po arrijnë të marrin epilog për shkak të mungesës së kuorumit.

Ajo thotë se Kryesia e Kuvendit në anën tjetër po vazhdon me praktikën e caktimit të seancave të reja ende pa përfunduar ato të vjetrat, gjë që sipas saj, është duke shkaktuar kaos në mbarëvajtjen e punëve.

"Përderisa thërrasin seanca të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi një çështje të caktuar ose për të votuar rezolutat dhe mocione të tjera, do të duhej të siguroheshin që të paktën deputetët e tyre t’i kenë në sallë gjatë asaj kohe. Nëse për opozitën zgjidhje e vetme për të dalë nga kjo bllokadë janë zgjedhjet, ne ende nuk kemi parë asnjë përpjekje serioze për një gjë të tillë nga ana e tyre", tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut, opozita ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë aktive, qoftë në punën në komisione parlamentare, me nisma ligjore, me kontribut në amendamentimin e ligjeve, mirëpo që ato nuk po i përkrahin edhe në seanca plenare.

"Edhe për çështjet e tjera, për të cilat kanë thirrur seanca, normalisht debati ka ndodhur, mirëpo nuk arritur një rezultat konkret. Edhe tjetra është që çfarëdo nisme që po vjen si nga pozita apo opozita, nuk po ka proces të mëtutjeshme, është një konsum i politikës ditore", tha Haxhiu.

Bllokada e vendimmarrjes në Kuvend ka nisur që nga fillimi i mandatit të kësaj legjislature. Por, kohët e fundit, ndasitë duket se kanë paralizuar tej mase organin më të lartë ligjvënës në Kosovë.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare thotë se institucionet e Kosovës janë duke u zhytur në një krizë të thellë institucionale, nga e cila vështirë se mund të dalin për një kohë të gjatë.

XS
SM
MD
LG