Ndërlidhjet

Osmani: Pak pritje nga Serbia në takimin e Ohrit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se nuk ka shumë shpresa te qasja e Serbisë në takimin e radhës me Kosovën në Ohër, por pret nga komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë takimin e radhës më 18 mars, në kuadër të dialogut.

“... Të bindet edhe Serbia që takimi që do të mbahet në Ohër është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut. Përmes kësaj marrëveshjeje, bashkë me një plan zbatimi, të zgjidhen shumë çështje, që më pas hapin dyert drejt njohjes reciproke”, ka thënë Osmani para mediave në Prishtinë.

Në këtë takim palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Në takimin e fundit më 27 shkurt në Bruksel, ata kanë thënë se pajtohen me përmbajtjen e dokumentit, që quhet edhe "Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve".

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

"Modelet e prezantuara nuk lidhen me asociacione”

E pyetur për 15 modelet që Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ia ka ofruar Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani, ka thënë se ato “nuk kanë të bëjnë me asociacione”.

“Janë modele të drejtash për pakicat. Pra, disa japin më shumë të drejta, në disa modele ka më pak të drejta, sesa që tashmë Kosova u ofron pakicave. Ne i kemi analizuar të gjitha këto modele, dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilit propozim, por unë do të thosha sërish që modeli më i mirë, është modeli aktual që e ka Republika e Kosovës”.

Ajo ka thënë se janë duke diskutuar këto modele “në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje dhe diversitet”.

“Përderisa nuk cenohet funksionaliteti i brendshëm i shtetit tonë, ne nuk kemi nevojë që të mohojmë diçka të tillë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 13 mars se është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar BE-ja.

I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane.

Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike as nga Kosova e as nga Brukseli.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Ndonëse propozimi i BE-së nuk përmend në mënyrë specifike Asociacionin, në të theksohet që palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë nënshkruar në të kaluarën.

Në mesin e tyre është edhe ajo për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

XS
SM
MD
LG