Ndërlidhjet

Përqindje e lartë e papunësisë në mesin e të rinjve


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Punësimi i të rinjve mbetet sfidë për Maqedoninë e Veriut, për shkak të mungesës së shkathtësive të caktuara që kërkohen në tregun e punës.

Në bazë të një analize të bërë nga Enti Shtetëror për Revizion, të titulluar “Revizioni i Tregut të Punës për periudhën 2017-2020”, del në pah se pavarësisht se shkalla e papunësisë shënon trend uljeje, megjithatë niveli i papunësisë në Maqedoninë e Veriut mbetet i lartë krahasuar me vendet fqinje si Shqipëria, Serbia dhe Bullgaria.

Shkalla e papunësisë
VITIBEEurozonëMaqedonia e V.ShqipëriaSerbiaBullgariaGreqiaKroacia
20177.6%9.1%22.4%13.8%13.5%6.2%21.5%11.2%
20187.3%8.2%20.7%12.3%12.8%5.2%19.3%8.5%
20196.7%7.6%17.3%12.3%10.5%4.2%17.3%6.5%

Në këtë analizë të Entit për Revizion thuhet se masat e marra nga qeveria për të ulur shkallën e papunësisë, kanë dhënë rezultate, por theksojnë se ende mbetet shumë punë sa i përket realizimit të qëllimit, për faktin se niveli i papunësisë në mesin e të rinjve është i lartë apo shprehur në shifra rreth 30 për qind.

Nga ky institucion konstatuan se masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga institucionet kompetente për trajtimin e rreziqeve të tregut të punës, nuk janë mjaftueshëm efektive dhe se ka nevojë për veprim më të koordinuar ndërmjet institucioneve, në mënyrë që vendimet e tyre më pas të jenë në përputhjet me kërkesat e tregut të punës.

Të rinjtë, kritikë ndaj qeverisë

Nga organizata joqeveritare ‘Forumi Rinor për Arsim’, thonë se ka interesim të shtuar të të rinjve që të përvetësojnë shkathtësi të caktuara përmes programeve të qeverisë, por shtojnë se këto masa nuk po japin rezultatet e pritura.

“Qëndrimi i të rinjve është se masat e qeverisë për punësimin e të rinjve nuk kanë dhënë rezultat, madje në masë të theksuar një pjesë e tyre kanë qenë joekzistente pavarësisht se janë reklamuar si të tilla. Efektet e këtyre masave kanë qenë minore. Papunësia e të rinjve mbetet në nivelin e njëjtë gjatë dekadës së fundit”, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë, Georgi Bozhinovski.

Sa i përket strukturës së personave që janë të papunë në Maqedoninë e Veriut, më së shumti dominojnë personat që e kanë të kryer shkollimin e mesëm me 40 për qind, pasuar nga personat me arsim fillor me 37 për qind, ndërkaq 18 për qind e të papunëve janë me arsim të lartë, thuhet në të dhënat e vitit 2019.

Në raportin e Entit të Revizionit theksohet se shkalla e lartë e papunësisë në mesin e të rinjve (39.2 për qind në vitin 2017, 37 për qind në vitin 2018, 30.5 për qind në 2019), imponon nevojën për ndërmarrje të masave që synojnë përmirësimin e gjendjes së tyre në tregun e punës, kryesisht duke lehtësuar kalimin nga arsimi në punësim.

VITIShkalla e papunësisë te të rinjtë në Maqedoninë e Veriut
201739.2%
201837%
201930.5%

Nxënësit duhet orientuar në shkollat e mesme në bazë të aftësive

Satki Ismaili, mësues në një shkollë fillore, i cili ka qenë i angazhuar në realizmin e një hulumtimi mbështetur nga USAID-i për sa i përket orientimit të nxënësve në shkollat profesionale, thotë se vendit i nevojiten reforma të thella në arsim, ku fëmijët do të orientoheshin në shkolla në përputhje me aftësitë dhe interesimin e tyre dhe jo dëshirat e prindërve.

“Ndryshimet duhet të fillojnë pikërisht nga ajo që ne i themi një koncept i ri i arsimit fillor, atë të mesëm dhe të lartë, në aspektin se si të përgatiten të rinjtë për tregun e punës. Çfarë ndryshimesh duhet bërë në këtë aspekt në arsimin fillor? Me shumë rëndësi është që në përputhje me shkathtësitë e fëmijëve, interesimi që tregojnë edhe orientimi i tyre të bëhet në arsimin e mesëm, pra të jetë i përshtatshëm në përputhje me kërkesat dhe aftësisë e fëmijëve dhe jo dëshirat e prindërve”, thotë Ismaili.

Mungesë e kuadrove profesionale

Afaristët thonë se e kanë më shumë vështirësi me sigurimin e kuadrit profesional pavarësisht se në Entin shtetëror më shumë se 100 mijë persona kanë thënë se në mënyrë aktive kërkojnë punë.

Kryetari i Federatës së punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, Angell Dimitrov, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e specializimeve në sektorë të caktuar, i dekurajon të rinjtë që të fillojnë me zhvillimin e biznesit të tyre.

“E kemi shkatërruar frymën e sipërmarrësve dhe ndërmarrjen e iniciativave në mesin e të rinjve, që janë ndër parakushtet thelbësore për zhvillimin e vendeve që ndërtojnë kapitalizmin”, thotë Angell Dimitrov.

Ai thekson se është e rëndësishme që të rinjtë të aftësohen me shkathtësi, në mënyrë që pasi të përfundojnë studimet të mund të kyçen në punë.

Ndryshe në bazë të analizës që ka realizuar Enti shtetëror për Revizion, nga numri i përgjithshëm i 101.748 qytetarëve që kërkojnë punë në mënyrë aktive në agjencinë për punësim, 20.698 janë të rinj, përkatësisht deri në moshën 29-vjeçare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG