Ndërlidhjet

Arsimi në Maqedoninë e Veriut pritet t'u nënshtrohet reformave


Foto nga arkivi - Shkollë në Maqedoninë e Veriut
Foto nga arkivi - Shkollë në Maqedoninë e Veriut

Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut duhet t'u nënshtrohet reformave të thella, veçanërisht duhet të ndryshohet përmbajtja e njësive mësimore, theksojnë ekspertët e arsimit.

Gjatë kësaj jave, ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ka shpalosur përmbajtjen e draft-ligjit për arsimin fillor, duke theksuar se në të janë inkorporuar të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e EUCD-së dhe UNICEF-it me ç'rast i njëjti do të plotësohet me sugjerimet që do të dalin nga debatet publike brenda 20 ditëve nga ana e ekspertëve në lëmin e arsimit.

Naser Miftari i inkuadruar në projektin "Shkolla dhe të mësuarit në shekullin 21" për Radion Evropa e Lirë thotë se reformat duhet të prekin më shumë segmente.

“Reformat duhet të hyjnë thellë në përmbajtjen e lëndëve mësimore në përmbajtjen e plan-programeve mësimore, të cilat janë më se të vjetërsuar. Ndonëse jo të gjitha lëndët mësimore, por një pjesë e madhe e lëndëve mësimore në arsimin fillorë me theks shkencat humanitare shoqërore duhet të pësojnë ndryshime, sepse më vete bartin teori dhe koncepte të vjetërsuara që nuk korrespondojnë me zhvillimet bashkëkohore, pra nuk i përgjigjen ekonomisë së tregut të punës”, thotë Miftari.

Ndryshe, draftligji për arsim fillor, fokus ka profesionalizimi i mësimdhënësve dhe eliminimin e politikës në mësimdhënie.

“Angazhohemi për depolarizimin dhe departizimin e arsimit fillor. Të gjithë mësimdhënësit, të cilët nuk janë adekuatë, të cilët nuk përmbushin standardet ligjore, nuk e kanë vendin në arsimin fillor dhe të mesëm. Ndërsa, të gjithë ata të cilët i plotësojnë dhe i përmbushin standardet dhe të cilët tashmë janë në proces edukativo-arsimor atëherë ata do të vazhdojnë të jenë pjesë e procesit edukativo- arsimor”, deklaroi ministri Ademi.

Ekspertët thonë se cilësia e dobët e sistemit arsimor është një nga arsyet kryesore që të rinjtë largohen nga vendi.

Në këtë drejtim, Jasna Bacoska, profesoreshë universitare për Radion Evropa e Lirë thotë se krahas largimit të politikës nga shkollat, duhet të punohet edhe në orientimin profesional të të rinjve që në moshën e hershme.

“Shohim se si fëmijët gjithnjë e më shumë kanë për synim largimi nga vendi, sepse ata nuk duan të lodhen me mësimin e gjërave teorike që pastaj e kanë shumë vështirë që këtë dije ta aplikojnë në praktikë. Me shumë rëndësi është inicimi i shkathtësive që në moshat e hershme të nxënësve”, thotë Bacovska.

Ndryshe, nga dikasteri i arsimit në Maqedoninë e Veriut, janë zotuar se do të punojnë me intensitet që vitin e ardhshëm shkollor të fillojë me zbatimin e Ligjit të ri.

XS
SM
MD
LG