Ndërlidhjet

Refuzohen kërkesat e Prokurorisë për paraburgimin e ish-zyrtarëve të lartë


Ministria e Drejtësisë në Shkup (Foto nga arkivi)
Ministria e Drejtësisë në Shkup (Foto nga arkivi)

Këshilli Penal i Gjykatës Themelore të Shkupit deri më tani nuk ka miratuar asnjë nga kërkesat e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit për zyrtarët e paditur për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Speciale të enjten njoftoi se ndaj 94 personave ka ngritur aktakuza për shpërdorim detyre, mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh, keqpërdorime financiare, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, ndërhyrje në gjyqësor, presione ndaj medieve, e vepra tjera që për bazë kanë materialet e siguruara nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, kushëriri i tij, Sasho Mijallkov, ish-drejtor i Policisë Sekrete si dhe shumë zyrtarë të tjerë në mesin e të cilëve edhe dy të BDI-së dhe po aq të PDSH-së, përfshirë edhe kryetarin e saj, Menduh Thaçi.

Nga Gjykata nuk kanë dhënë arsyetime për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale, e cila ka të drejtën e ankimimit të vendimit të Gjykatës.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se vendimet e gjykatës janë pritur duke marrë parasysh vendimet e kaluara, por ata besojnë se megjithatë do të ketë zbardhje të rastit dhe se çdokush që ka bërë shkelje do të përgjigjet para ligjit.

“Askush nuk ka qejf që me vetë-dëshirë të shkojë në burg, por tani është koha që ata të përballen me gjërat që i kanë bërë dhe të bartin përgjegjësi për një gjë të tillë. Vlerësoj se nuk është e lehtë të vendoset një praktikë e tillë e bartjes së përgjegjësisë në veçanti në këtë shtet ku njerëzit kur janë në pozita të larta, të kryejnë vepra penale dhe të shpëtojnë nga ndjekje apo dënimet për veprat e bëra dhe tani është Gjyqësori ai që duhet të veprojë”, thotë Besa Arifi, ligjëruese në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Evropës Juglindore.

Katër nga personat e akuzuar nga Prokuroria Speciale janë deputetë dhe në mungesë të një sqarimi nga institucionet, e para së gjithash nga Kuvendi, në opinion kanë dalë interpretime të ndryshme nëse këta persona mund ose jo të gjykohen.

“Në asnjë variant nuk munden t’i shmangen dënimit me burg nëse kanë kryer veprën penale nëse ajo dëshmohet gjatë procesit gjyqësor. Imuniteti nuk i mbron ata nga shkelja e ligjit. Deputetët nuk mund të përgjigjen vetëm në rast të prezantimit të qëndrimeve të tyre brenda institucionit ligjvënës, për çdo rast tjetër, apo për vepra penale për të cilat ngarkohen, ata bartin përgjegjësi, përfshirë edhe caktimin e masës së paraburgimit, pra nuk ekziston pengesë që një masë e tillë të zbatohet”, thotë Aleksandat Nakov, njohës i çështjeve juridike.

Ndërkohë, në opinion qarkullojnë edhe informacione mbi mundësinë që presidenti, Gjorge Ivanov që është i zgjedhur nga partia VMRO DPMNE të shfrytëzojë të drejtën e faljes që i jep Kushtetuta dhe me automatizëm të lirojë nga ndjekja të gjithë të akuzuarit e Prokurorisë Speciale.

Ai një vendim të ngjashëm e kishte marrë më parë po për veprat e njëjta, por që e tërhoqi pas reagimeve të shumta në opinion.

“Gjithçka mund të pritet, por duke marrë parasysh gjithë atë që ndodhi pas një vendimi të tillë për faljen e dhjetëra zyrtarëve dhe reagimin e shumta që çuan në tërheqjen e atij vendimi, mendoj se presidenti është vetëdijesuar dhe nuk do të bënte një gabim të ngjashëm, që do të çonte në një atmosferë që nuk do të ketë asgjë të përbashkët me sundimin e ligjit".

"Mendoj se kjo çështje duhet t’i lihet Gjyqësorit i cili pa presione, por duke u mbështetur në ligjet ekzistuese, të miratojë vendimet adekuate, bazuar në prova dhe jo sipas diktatit politik”, vlerëson Margarita Caca Nikollovksa, ish-gjykatëse në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Paditë kundër zyrtarëve u ngritën një ditë para se të skadonte afati ligjor për paraqitjen e tyre. Prokuroria thotë se puna e saj do të vazhdojë në pritje të një vendimi nga Kuvendi për heqjen e një neni të ligjit për punën e saj që t’i japë të drejtën e vazhdimit të hetimeve edhe për raste tjera përveç këtyre, për të cilat tashmë ka ngritur aktakuza.

Puna e Prokurorisë Speciale mbështetet fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare, e cila edhe kishte ndërmjetësuar në formimin e saj për hetimin e aferave kriminale të qeverisë së kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG