Ndërlidhjet

Krizë për pelet


Pelet. Fotografi ilustruese.

Besnik Hasani, tash e dy javë, është duke kërkuar pelet në tregun e Kosovës. Në shumë dyqane thotë se ka mungesë, ndërsa aty ku ka, është shtrenjtë.

“Nuk e di se si do t’ia dal dimrit”, thotë ky qytetar nga Fushë Kosova, i cili shtëpinë e ngroh me pelet.

“Dimri mund të jetë i paparashikueshëm, temperaturat mund të jenë shumë të ulëta, rrymë po thonë se nuk ka, mund të mos kem as mjete financiare... veç unë punoj në familje”, thotë ai.

Një ton i kësaj lënde djegëse, vitin e kaluar, ka kushtuar rreth 200 euro - sot kushton deri në 450.

Besniku, i cili punon në një agjenci turistike dhe paguhet 450 euro në muaj, thotë se vitin e kaluar ka blerë pesë tonë pelet me 900 euro.

Këtë dimër, mbajtësi i familjes 7-anëtarëshe thotë se do t’i duhen mbi 2.000 euro për të plotësuar nevojat.

Pelet. Fotografi ilustruese.
Pelet. Fotografi ilustruese.

Krahas rritjes së çmimit, në treg vërehen edhe mungesa të peletit. Arsyet janë të ndryshme - nga rritja e kërkesës deri te reduktimi i prodhimit.

Qeveria e Kosovës tashmë u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë dimrit, të gjejnë alternativa për ngrohje, për shkak të situatës së paqëndrueshme energjetike.

Dhe këto alternativa janë ose peleti, ose drutë.

Nga Qeveria, po ashtu, janë zotuar se do t’i identifikojnë fabrikat e shuara të peletit në Kosovë dhe se do t’i shqyrtojnë mundësitë për aktivizimin e tyre, me qëllim rritjen e prodhimit.

Në një deklaratë më 10 gusht, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se shumë kompani për prodhimin e peletit kanë dalë nga tregu viteve të fundit, por nuk ka treguar numrin e tyre e as arsyen e shuarjes.

REL ka pyetur Ministrinë që udhëheq ajo nëse ka identifikuar ndonjë kompani të shuar dhe cilat janë mundësitë e përkrahjes së tyre, por nuk ka marrë përgjigje.

REL ka biseduar me Xhevat Shalën, kompania e të cilit “Eko-Pelet” është mbyllur para pesë vjetësh.

Ai thotë se hapësira e vogël për biznes dhe pamundësia për të investuar më shumë e kanë detyruar të mbyllë kompaninë me bazë në Pejë.

“Investimi ka qenë rreth 100 mijë euro. Hapësira e objektit ka qenë e vogël. Objekti është në oborr të shtëpisë. Kam kërkuar ndihmë financiare nga institucionet, por nuk më kanë ndihmuar. Kështu që e kam mbyllur... Fabrika ekziston. Nëse më ndihmon shteti, unë mund ta aktivizoj”, thotë Shala.

Mungesë e lëndës së parë

Bashkim Zejnullahu, pronar i kompanisë së peletit “Thes-Ari” në Komunën e Vitisë, thotë se është duke prodhuar, por në sasi më të vogël.

Sipas tij, problem është bërë sigurimi i lëndës së parë, sepse, siç thotë, shumica e vendeve të rajonit e kanë pezulluar eksportimin e saj.

Zejnullahu thotë se, tash për tash, lëndën e parë e siguron nga Kroacia, por shton se kapacitetin e prodhimit do të duhet ta zvogëlojë nga rreth 15 mijë tonë, sa e pa ka pasur vitin e kaluar, në rreth 10 mijë.

“Është gjendje kritike... Rajoni ka qenë furnizues i madh në tregun e Kosovës”, thotë ai.

Kriza energjetike është bërë globale, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, e pastaj edhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Dhe, shumica e vendeve përpiqen të kursejnë produktet për nevojat e veta.

Zejnullahu thotë se kërkesa e konsumatorëve për pelet sivjet është shumëfish më e lartë se vitin e kaluar.

Çmimi për klientët e tij thotë se është 350 euro për ton.

Serbia dhe Bosnja ndaluan eksportin e peletit?

Zejnullahu thotë se disa shtete të rajonit, përveç që kanë ndaluar eksportin e lëndës së parë për pelet, kanë ndaluar edhe eksportin e vetë peletit, me të cilin janë furnizuar shumë kompani në Kosovë.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Shuajd Sopjani, menaxher në kompaninë e peletit “Aragonit”.

Sipas tij, tregtarët në Kosovë janë furnizuar me pelet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, por i vetmi shtet nga i cili mund të bëhen furnizimet, tash për tash, është Mali i Zi.

“Në Mal të Zi nuk mund të marr sasinë e nevojshme, sepse çmimi është i lartë edhe për ne bizneset”, thotë ai, pa dhënë më shumë detaje.

Ministria e Tregtisë e Kosovës dhe Dogana e Kosovës nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht ndalimin e importit të peletit nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, edhe pse mediat në këto dy shtete kanë raportuar qysh në fillim të gushtit për ndalimin e eksportit.

Sipas të dhënave doganore, vlera e importit të këtij produkti në Kosovë gjatë vitit 2021 ka arritur në rreth 9 milionë euro.

Përveç te peleti, rritje e çmimit është regjistruar edhe te drutë dhe shumica e produkteve të tjera. Një metër kub dru në tregun e Kosovës aktualisht shitet deri në 70 euro, nga 40 euro sa ka kushtuar vitin e kaluar.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se norma e inflacionit në muajin korrik ka arritur në 14 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.

Në një situatë të tillë, shtuar këtu edhe reduktimet e rrymës që tashmë kanë nisur, autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar “dimër të vështirë”, por janë zotuar se do t’i subvencionojnë disa produkte për ngrohje.

“Ekzekutivi do të subvencionojë pompat termike, stufat me pelet, ndërsa vëmendje e veçantë do t’u kushtohet familjeve që marrin ndihma sociale, duke subvencionuar edhe ngrohjen me dru zjarri”, ka thënë më 10 gusht ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli.

Diçka konkrete drejt materializimit të këtyre premtimeve nuk ka, ndonëse ende në stinën e verës.

XS
SM
MD
LG