Ndërlidhjet

Perëndimi reagon pas njoftimit të Putinit për mobilizim të pjesshëm ushtarak


Njerëzit mblidhen në një stacion tramvaji përpara një billbordi që shfaq një portret të anëtarit të shërbimit rus, Sergei Tserkovniy, në Shën Petersburg, Rusi. 21 shtator 2022.
Njerëzit mblidhen në një stacion tramvaji përpara një billbordi që shfaq një portret të anëtarit të shërbimit rus, Sergei Tserkovniy, në Shën Petersburg, Rusi. 21 shtator 2022.

Pas nënshkrimit të dekretit të presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, kanë nisur reagimet e udhëheqësve perëndimorë, të cilët e shohin këtë si “shenjë paniku”.

Gjatë adresimit televiziv, Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në "shantazh bërthamor" dhe pretendoi - pa ofruar asnjë provë - se "përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata" për "mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e cilësoi fjalimin e Putinit si“të rrezikshëm dhe retorikë të pamatur”.

Stoltenberg tha për Reuters se ky është mobilizimi i parë i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe nuk është befasi që do ta përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë.

Ai tha se këto lëvizje të Putinit demonstrojnë se “lufta nuk po shkon sipas planeve të tij” dhe se është e qartë që presidenti rus “ka bërë një keqllogaritje të madhe”.

Putin, në fjalimin e tij, la të kuptohet se është i gatshëm të përdorë armë bërthamore për ta mbrojtur Rusinë.

“Ne do të sigurohemi që të mos ketë keqkuptim në Moskë lidhur me atë se si ne do të reagojmë. Natyrisht varet se çfarë situate apo çfarë armësh ata mund të përdorin. Gjëja më e rëndësishme është që të shmanget kjo gjë dhe prandaj ne kemi qenë shumë të qartë në komunikimet tona me Rusinë lidhur me pasojat e paprecedente”, tha Stoltenberg, duke iu referuar mundësisë që Rusia të përdorë armë bërthamore.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se fjalimi i Putint dëshmon se ai "nuk është i interesuar për paqe".

"Ai është i interesuar për luftë dhe përshkallëzim. Kjo është një tjetër shenjë e dëshpërimit për mënyrën se si po zhvillohet agresioni i tij kundër Ukrainës", tha Stano.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se Putin, me njoftimin e tij për mobilizimin ushtarak, "është duke pranuar se pushtimi [i Ukrainës] është duke dështuar".

Qeveria gjermane tha se njoftimi i Putinit tregon se “sulmi rus në Ukrainë nuk është i suksesshëm”.

Ndërkaq, Polonia, që kufizohet me Ukrainën, tha se Rusia po tenton të shkatërrojë Ukrainën dhe të ndryshojë kufijtë e saj.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi me aleatët tanë, në mënyrë që NATO të mbështesë Ukrainën edhe më shumë në mënyrë që të mbrojë veten”, tha ministri i Jashtëm polak, Mateusz Morawiecki.

Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, shkroi në Twitter se mobilizimi është shenjë e “dobësisë, e dështimit të Rusisë”.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se urdhri i mobilizimit i Putinit është "shenjë paniku" në Kremlin, që "nuk duhet të merret si kërcënim i drejtpërdrejtë për luftë me Perëndimin".

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, tha se vendi i tij po e monitoron nga afër situatën.

“Për sa i përket rrethinës së Finlandës, mund të them se situata ushtarake është e qëndrueshme dhe e qetë”, tha ai.

Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t'i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se "ky nuk është një mashtrim".

Ministrja e Jashtme britanike, Gillian Keegan, tha se kërcënimi i Putinit ndaj Perëndimit "është drithërues".

"Është një kërcënim serioz, por është një kërcënim që është bërë më parë", tha ajo për BBC-në.

Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë.

Lëvizja opozitare ruse, Vesna, më 21 shtator bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare, duke thënë se “mijëra rusë – baballarët, vëllezërit dhe burrat tanë do të dërgohen në thertoren e luftës. Për çfarë do të vdesin ata?”.

Qëkur nisi pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, autoritetet ruse kanë shtypur protestat dhe mospajtimet rreth luftës.

Pak kohë pas adresimit të Putinit, mediat ruse raportuan se ka pasur një rritje të madhe të kërkesës për të blerë bileta avioni për të udhëtuar jashtë vendit.

Të gjitha biletat për fluturimet nga Moska në Stamboll, Jerevan, Tashkent dhe Baku, për datat 21 dhe 22 shtator u shitën, raportoi media ruse, RBC.

Letonia, që ndan kufirin me Rusinë, tha se nuk do të strehojë asnjë rus që ik për shkak të mobilizimit ushtarak, tha ministri i Jashtëm i këtij shteti, Edgars Rinkevics, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

XS
SM
MD
LG