Policia në Tiranë ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji gjatë përplasjeve me protestuesit opozitarë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë shqiptare pas pretendimeve të ngritura për korrupsion kundër zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Protesta e 20 shkurtit u thirr nga Partia Demokratike në opozitë. Protestuesit hodhën koktej molotovi dhe fishekzjarrë ndaj ndërtesës së Kryeministrisë dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Edhe në protestat paraprake ka pasur dhunë dhe të lënduar si në anën e protestuesve, ashtu edhe të policisë.
Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori i kaluar, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti aktakuzë kundër ministres së Edi Ramës, Balluku.
SPAK e akuzon Ballukun për ndërhyrje në tenderë publikë që kishin të bënin me projekte të mëdha infrastrukturore dhe për favorizim të kompanive të caktuara. Balluku i ka mohuar akuzat.
Mijëra mbështetës të PD-së brohoritën “Rama ik” dhe “Rama në burg” gjatë protestës.
“Ditët e Edi Ramës janë të numëruara”, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.
Një gjykatë në Shqipëri e ka pezulluar nga detyra Ballukun, por SPAK ka kërkuar nga Parlamenti që t’ia heqë imunitetin, në mënyrë që të mund të arrestohet.
Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, që vitin e kaluar fitoi mandatin e katërt me radhë qeverisës, ka shumicë në Parlament dhe është e paqartë nëse Kuvendi do t’ia heqë imunitetin Ballukut, e cila po ashtu mban postin e ministres së Infrastrukturës dhe konsiderohet aleate e ngushtë e kryeministrit.
Rama është ankuar për tejkalim të kompetencave nga gjyqësori, veçmas për ndalimet para zhvillimit të gjykimeve.
Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri më 2030, por blloku ka kërkuar nga Tirana që të bëjë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.