Ndërlidhjet

75 vjet OKB: Rrugëtim me dështime, suksese e sfida për të ardhmen


Ushtarë paqeruajtës francezë në Çad.
Ushtarë paqeruajtës francezë në Çad.

AP

Përgjatë 75 vjetëve të fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka dërguar mbi dy milionë paqeruajtës për t’i ndihmuar kombet në tranzicion nga konflikti në shtet-ndërtim, duke arritur suksese të dukshme në vende si Liberia dhe Kamboxhia, por edhe dështime të mëdha si në ish-Jugosllavi dhe Ruandë.

Sot, kjo organizatë përballet me pengesa të reja në rajone të shumta të paqëndrueshme ku janë duke u zhvilluar operacionet paqeruajtëse.

Këto sfida përfshijnë mjedise më armiqësore, përhapjen e fushatave të dezinformimit dhe një peizazh të ndarë të ideologjive botërore, që pengon objektivin përfundimtar të organizatës: rivendosjen e suksesshme të qeverive të qëndrueshme.

Organizata po shënon 75-vjetorin e misionit paqeruajtës të enjten. Do të ketë një ceremoni për nderimin e më shumë se 4.200 trupave paqeruajtëse që kanë vdekur që nga viti 1948, kur u mor një vendim historik nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të dërguar vëzhgues ushtarakë në Lindjen e Mesme për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjeve izraelito-arabe të armëpushimit.

Përmes një mesazhi, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i quajti paqeruajtësit "rrahjet e zemrës së angazhimit tonë për një botë më paqësore", duke treguar mbështetjen e tyre për komunitetet e tronditura nga konfliktet dhe trazirat në të gjithë botën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Shkalla e operacioneve paqeruajtëse të OKB-së ka përjetuar rritje të konsiderueshme. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë në fillim të viteve 1990, organizata kishte 11.000 paqeruajtës.

Megjithatë, deri në vitin 2014, ky numër u rrit në 130.000, i shpërndarë në 16 misione të ndryshme paqeruajtëse në mbarë botën.

Aktualisht, 87.000 persona shërbejnë në 12 rajone të përfshira nga konfliktet që përfshijnë Afrikën, Azinë, Evropën dhe Lindjen e Mesme.

Në një intervistë me Associated Press të mërkurën, shefi i paqeruajtësve të OKB-së, Jean-Pierre Lacroix, theksoi dy lloje suksesesh. Së pari, ka shumë vende, duke përfshirë Liberinë, Sierra Leonen, Bregun e Fildishtë, Mozambikun, Angolën dhe Kamboxhian, që kanë përjetuar një nivel të konsiderueshëm stabiliteti me ndihmën e përpjekjeve paqeruajtëse të OKB-së.

Së dyti, tha ai, ka vende ku paqeruajtësit luajnë një rol aktiv jo vetëm në monitorimin, por edhe në ruajtjen e armëpushimeve, si në Libanin jugor dhe në Qipro.

Sa i përket dështimeve, ai vuri në dukje dështimin e paqeruajtësve të OKB-së për të parandaluar gjenocidin e Ruandës në vitin 1994 që vrau të paktën 800.000 civilë dhe masakrimin e të paktën 8.000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1995 – që është i vetmi gjenocid i njohur në Evropë që nga Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Reputacioni i OKB-së është dëmtuar gjithashtu nga akuzat e shumta se paqeruajtësit e ngarkuar për mbrojtjen e civilëve abuzuan seksualisht me gra dhe fëmijë, duke përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore dhe Kongon.

Një tjetër gabim i dukshëm ndodhi me epideminë e kolerës në Haiti, e cila filloi në vitin 2010 kur paqeruajtësit e OKB-së futën pa dashje bakteret në lumin kryesor të vendit përmes rrjedhjes së ujërave të zeza nga baza e tyre.

Pavarësisht kësaj, Richard Gowan, drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në OKB, tha se organizata “ka një historik çuditërisht të mirë".

Edhe pse tragjeditë e Ruandës dhe Srebrenicës marrin vëmendje të madhe, Gowan tha se është e rëndësishme të pranohet se Kombet e Bashkuara kanë trajtuar në mënyrë efektive krizat, kanë mbrojtur civilët dhe kanë lehtësuar rindërtimin e kombeve të shkatërruara në raste të ndryshme. Këto raste variojnë nga kriza e Suezit në vitet 1950 deri në Liberi në vitet 2000.

Për sa i përket së ardhmes, nënsekretari i përgjithshëm për operacionet e paqes, Lacroix, identifikoi si sfidë kryesore fragmentimin e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht ndarjet brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili mban përgjegjësinë e miratimit të misioneve paqeruajtëse.

“Rezultati i kësaj është se ne nuk jemi në gjendje të arrijmë atë që unë e quaj qëllimin përfundimtar të ruajtjes së paqes - të vendosemi dhe të mbështesim një proces politik që ecën përpara, dhe pastaj gradualisht të zvogëlohet [prania jonë] kur ai proces politik të përfundojë”, tha ai.

“Ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse proceset e paqes nuk po ecin ose nuk po shkojnë në shpejtësinë e dëshiruar”, shtoi ai.

Si rezultat i kësaj, Lacroix tha se OKB-ja e gjen veten të detyruar të përqendrohet kryesisht në objektiva të përkohshme të ruajtjes së paqes si: ruajtja e armëpushimit, mbrojtja e civilëve - duke përfshirë qindra mijëra prej tyre - dhe duke bërë përpjekje për të mbështetur iniciativat politike kudo që të jetë e mundur.

Lacroix theksoi pengesat shtesë, me të cilat përballen paqeruajtësit, duke përmendur një mjedis operacional më të rrezikshëm dhe armiqësor ku sulmet janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara.

Përhapja e lajmeve të rreme dhe dezinformatave përbën një kërcënim të madh, si për popullatën, ashtu edhe për personelin paqeruajtës, tha ai. Për më tepër, nxitësit tradicionalë të konfliktit, si aktivitetet kriminale transnacionale, trafikimi, tregtia e drogës, përhapja e armëve, shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve natyrore dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, sipas tij, kanë ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpjekjet për ruajtjen e paqes.

Lacroix theksoi nevojën që Kombet e Bashkuara t'i trajtojnë të gjitha sfidat në mënyrë më efektive.

Ai nënvizoi rëndësinë e rritjes së ndikimit të ruajtjes së paqes dhe zbatimit të iniciativave që lidhen me performancën, kundërshtimin e lajmeve të rreme, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e rekrutimit të grave si paqeruajtëse.

Sipas Gowan të Grupit të Krizave, ka një tregues të qartë se Kombet e Bashkuara janë "të bllokuara" në vende si Mali dhe Kongo, ku prania e paqeruajtësve është e pamjaftueshme për të thyer ciklet e dhunës.

Disa qeveri afrikane, si Mali, po përdorin ofruesit privatë të sigurisë si Grupi rus Wagner për t’i luftuar kryengritësit.

"Ne e kemi mësuar në mënyrë të vrazhdë në raste si Afganistani që edhe forcat perëndimore të armatosura rëndë nuk mund të imponojnë paqen. Historiku i OKB-së mund të mos jetë i përsosur, por as të tjerë nuk kanë aftësi më të mira për të vendosur stabilitet në kombet e trazuara”, tha ai.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG