Ndërlidhjet

Policia në Shqipëri arreston tre kosovarë pasi iu gjet sasi eksplozivi


Policia e Shqipërisë - Fotografi ilustruese nga arkivi
Policia e Shqipërisë - Fotografi ilustruese nga arkivi

Policia në Shqipëri ka sekuestruar 46 kilogramë lëndë eksplozive që vinte nga Kosova dhe ka arrestuar tre të rinj nga Gjilani.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, tha se një grup kriminal nga Kosova ka kryer trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

“Gjatë një operacioni policor, më 4 shkurt në afërsi të urës së Gjolës në Fushë Krujë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve kosovarë: Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkëlqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan”, bëri të ditur Vocaj.

Ai tha se gjatë këtij operacioni, u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasëse të dyshuara të jenë tritol me peshë 46 kilogramë. Voca tha se kjo sasi eksplozivi dyshohej se do të përdorej nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Pamjet që publikoi Policia e Shtetit, tregonin se kallëpet e lëndës eksplozive ishin fshehur në kutitë e lëngjeve të frutave.

Gjithashtu, policia sekuestroi edhe 3 celularë dhe 1 automjet.

Më herët, po ashtu janë zhvilluar dy operacione dhe janë arrestuar dy persona e janë sekuestruar katër armë zjarri pistoleta, së bashku me krehra dhe municione luftarake, të cilat janë trafikuar nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG