Ndërlidhjet

Betohet presidenti i ri iranian, Ebrahim Raisi


Presidenti i zgedhur i Iranit, Ebrahim Raisi.

Presidenti i ri i Iranit, Ebrahim Raisi u betua para Parlamentit më 5 gusht duke e kompletuar inaugurimin e tij.

Ai po vjen në detyrë duke u përballur me një ekonomi të shkatërruar nga sanksionet e ShBA-së, një krizë shëndetësore në rritje, tensione rajonale dhe negociata të vështira për të ringjallur marrëveshjen nukleare me fuqitë botërore të vitit 2015.

Një ish-shef i drejtësisë, Raisi është kritikuar nga Perëndimi në lidhje me të drejtat e njeriut dhe ka qenë nën sanksionet e SHBA-së pjesërisht për shkak të përfshirjes së tij në ekzekutimin masiv të mijëra të burgosurve politikë, si dhe për qëndrimin e tij në fushën e drejtësisë.

“Unë do të dedikoj veten time për të shërbyer popullin tim, nderin e shtetit tim, përhapjen e fesë dhe moralit dhe mbështetjen e të vërtetës dhe drejtësisë”, u zotua Raisi në ceremoninë që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin e Iranit.

Më 3 gusht, ish-prokurorit kontrovers i janë dhënë kredencialet nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke shënuar fillimin e tranzicionit nga presidenca e relativisht të moderuarit Hassan Rohani.

Menaxhimi i situatës ekonomike pritet të jetë në krye të agjendës së Raisit, ashtu sikurse negociatat rreth marrëveshjes bërthamore.

Ai ka thënë gjatë fjalimit të fitores se përkrah negociatat në këtë aspekt.

Mediat iraniane kanë thënë se disa zyrtarë të huaj janë ftuar në ceremoninë e 5 gushtit, përfshirë presidentin e Irakut dhe kryetarët e parlamenteve në Niger, Siri, Taxhikistan, Tanzani dhe Uzbekistan.

Pas ceremonisë së betimit, ai pritet të prezantojë kabinetin e tij.

Përgjatë një adresimi më 3 gusht, Raisi ka thënë se Qeveria e tij do të marrë hapa për të hequr sanksionet “tiranike” të SHBA-së.

SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja bërthamore më 2018 dhe ka rikthyer sanksionet ndaj këtij shteti.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është pjesë e negociatave për rikthim të SHBA-së në këtë pakt.

XS
SM
MD
LG