Ndërlidhjet

Princi saudit përmend “kërcënimin iranian” në çmimet e naftës


Princi saudit i Kurorës Mbretërore, Mohammed bin Salman.
Princi saudit i Kurorës Mbretërore, Mohammed bin Salman.

Princi saudit, Mohammed bin Salman ka paralajmëruar se çmimet e naftës mund të rriten “në mënyrë të paimagjinueshme” nëse bota nuk vepron për të ndalur Iranin.

“Furnizimet me naftë do të ndalen dhe çmimet e naftës do të rriten aq sa nuk kemi parë kurrë në jetë”, është shprehur ai.

Trashëgimtari i fronit, bin Salman ka thënë se lufta në mes të Arabisë Saudite dhe Iranit mund të shkatërrojë ekonominë globale, pas sulmit në dy rafineri të naftës saudite dy javë më parë.

Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin për këtë sulm.

Irani ka mohuar ndonjë përfshirje në sulmet në rafineritë e naftës saudite, të cilat kanë ndikuar në zvogëlim të 5 për qind të furnizimit global me naftë, andaj edhe janë rritur çmimet.

Princi saudit ka thënë se rajoni i Lindjes së Mesme “është furnizues i energjisë botërore për 30 për qind, dhe i rreth 4 për qind të bruto-prodhimit në nivel botëror”.

“Imagjinoni ndaljen e këtyre furnizimeve. Kjo nënkupton shkatërrim të ekonomisë globale dhe jo vetëm Arabia Saudite apo shtetet e Lindjes së Mesme”, ka thënë ai.

Ai ka fajësuar Iranin për “marrëzi” sa u përket kryerjes së sulmeve, duke thënë se aty nuk ekziston ndonjë qëllim strategjik.

Arabia Saudite ka thënë se 18 dronë dhe shtatë raketa kanë sulmuar dy rafineri të naftës në Abqaiq dhe Khurais më 14 shtator. Rebelët Huthi, që janë të lidhur me Iranin kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Princi saudit ka kërkuar nga Irani që të mos mbështesë rebelët Huthi, duke thënë se kjo gjë do të lehtësonte shumë përfundimin e luftës.

“Sot ne jemi të hapur për iniciativa për zgjidhje politike në Jemen. Ne shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhë sot dhe jo nesër”, ka thënë ai.

*Expose: Përse janë armiq Irani dhe Arabia Saudite?

Përse janë armiq Irani dhe Arabia Saudite?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:12:12 0:00

Ai ka mirëpritur armëpushimin e rebelëve Huthi ditë më parë dhe e ka konsideruar këtë hap si pozitiv, drejt dialogut politik.

Lufta civile në Jemen ka rezultuar me krizën më të keqe humanitare, pasi 80 për qind e popullsisë kërkon ndihmë humanitare apo mbrojtje.

Më shumë se 70,000 persona besohet se kanë vdekur nga viti 2016 për shkak të konfliktit, kanë vlerësuar Kombet e Bashkuara.

Irani është rival rajonal i Arabisë Saudite dhe kundërshtar i Shteteve të Bashkuara, të cilat presidenti amerikan, Donald Trump i ka tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar këtë vit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Irani ka qenë mbrapa sulmit në dy transportuese të naftës në Gjirin Persik në muajt qershor dhe korrik, si dhe ndaj katër transportueseve tjera në muajin maj.

Teherani në anën tjetër ka kundërshtuar akuzat në të dyja rastet.

Rasti Khashoggi

Duke folur për transmetuesin, CBS News, princi saudit ka thënë edhe se pranon disa pjesë të përgjegjësisë për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në konsullatën e Arabisë Saudite në Turqi në tetor të vitit të kaluar.

Megjithatë ai mohuar të ketë urdhëruar personalisht për vrasjen e tij.

Princi, që de fakto konsiderohet udhëheqës i Arabisë Saudite, dyshohet të ketë shënjestruar personalisht Khashoggin, gazetar saudit, i cili është njohur si kritik i Qeverisë së Riadit.

Në një intervistë për emisionin “60 minuta” në CBS, ai ka thënë: “Unë kam përgjegjësi të plotë si lider i Arabisë Saudite, sidomos për faktin se vrasja është kryer nga individë që kanë punuar për Qeverinë Saudite”.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka pasur njohuri se do të ndodhë vrasja e tij.

Autoritetet saudite nga ajo kohë kanë filluar një operacion “të ashpër” pas vrasjes së gazetarit dhe kanë nisur gjykimin e 11 personave.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG