Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Viti 2017 nuk ka sjell ndonjë rezultat të theksuar në terren në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Kjo për faktin se edhe gjatë këtij viti, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka dominuar agjenda politike, sidomos angazhimet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe atyre lokale.

Ata thonë se shumë projekte kanë mbetur peng i stabilitetit politik

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se situata ekonomike në Kosovë nuk është e lakmueshme, porse, sipas tij, zhvillimi ekonomik nuk është peng i rrethanave politike vetëm të këtij viti.

Megjithatë, Sadiku thekson se edhe gjatë 2017-s, për shkak të dominimit të agjendës politike, autoritetet kompetente nuk kanë arritur që t’i zgjidhin problemet për disa projekte që konsiderohen të leverdishme për një zhvillim të mundshëm ekonomik.

“Është e vërtetë se kërkesat janë të mëdha që Kosova të bëjë një mjedis miqësor për investime dhe në fund të fundit, Kosovën ta bëjnë atraktive. Madje, as përmes disa projekteve të mëdha, siç është projekti i Trepçës, Brezovicës, Postës, nuk është arritur tërheqja e investitorëve të jashtëm. Dhe, sigurisht që kemi nevojë ta fuqizojmë stabilitetin politik”, thotë Sadiku.

Edhe Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thotë se gjatë këtij viti ka ngecur zbatimi i disa ligjeve të rëndësishme, të cilat mund të kenë ndikim në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Gashi përmend problemet në kombinatin “Trepça” kompleksin “Brezovica”.

“Në 18 vitet e fundit, agjendat politike janë jashtëzakonisht të ngjeshura dhe zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve,nuk është në agjendën e institucioneve të Kosovës.

Fatkeqësisht, përplasjet e subjekteve politike kanë shkaktuar polarizim të skajshëm të skenës politike dhe për pasojë kemi pasur një anashkalim të projekteve të mëdha kapitale dhe riaktivizim të resurseve që posedon vendi ynë”, thotë Gashi.

Për shkak të mungesës se zbatimit të Ligjit për Trepçën, nuk është arritur që të zgjidhet bordi i këtij kompleksi, bord ky që sipas ligjit është dashur fillojë procedurat për t’u regjistruar Trepça si ndërmarrje publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Edhe koncesionimi i kompleksit turistik “Brezovica”, është kthyer në pikën zero. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se për të rinisur procesi i këtij projekti, duhet të finalizohet dhe zbatohet Ligji për investime strategjike, i miratuar në fillim të këtij viti.

Përveç këtyre kompanive, situata politike ka ndikuar në moszbatimin në nivel të duhur të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi që nga prilli i vitit 2016. Këtë e kanë pranuar edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Por, një nga projektet që konsiderohet me vlerën më të madhe financiare është ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij projekti me një vlerë prej 1.3 miliard euro. Ky projekt në vitin 2023 pritet t’u japë fund problemeve të vazhdueshme me energji elektrike.

Në anën tjetër, Gashi konsideron se politika në disa raste ka ndikime negative edhe në sektorin në privat. Në tregun e Kosovës janë krijuar monopole, siç thotë ai, biznese të lidhura me politikën dhe për pasojë po vuan ekonomia e Kosovës.

“Kosova ende po përballet me një pabarazi të theksuar në treg, për shkak të disa monopoleve të krijuara nga politika kosovare. Dhe, fatkeqësisht, këto monopole janë duke e dëmtuar jashtëzakonisht shumë edhe buxhetin e shtetit, edhe konkurrencën e lirë, mirëpo, edhe futjen e bizneseve të reja në treg, më konkurrente, me çmime më të lira dhe me produkte më të lira për konsumatorët”, konsideron Gashi.

Edhe Muhamet Sadiku thekson se autoritetet kompetente nuk po arrijnë ta luftojnë korrupsionin dhe devijimet e shumta në ekonomi dhe të fuqizojnë një qeverisje moderne të zhvillimit ekonomik.

“Po, duhet pranuar se Kosova nuk e ka gjetur ‘passwordin’ e vet të reformave strukturore që duhen në ekonomi . Të gjitha raportet ndërkombëtare e kanë ngritur problematikën e korrupsionit në Kosovë. Kemi debate lidhur me pasojat negative që sjell korrupsioni, por që nuk ka rezultate në luftimin e kësaj dukurie”, thekson Sadiku.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, bizneset prodhuese vendore nga 1 janari i viti 2018, do të lirohen nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmë produktin, linjat e prodhimit, si dhe nga pajisjet e teknologjisë informative.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG